Press "Enter" to skip to content

Andrrim

Andrrim

N’mes të gjumit përftyrohem
Me një lule t’bukur t’prillit,
Me gazmend un hopa çohem,
S’shof kërken veç yjve t’qillit.

Ah! Andrrim i rrem, pa besë,
Ç’më trondite gjumin kot
M’dridhe trup dhe flokt’ e kresë,
M’bane t’mjerin t’qaj me lot.

Për ç’ka mue po m’përftyrohet
Zemra jeme m’pikon gjak,
Thom se trupi po m’helmohet
Si me m’hangër gjarpni plak.

Perëndija nuk ka thanë
Lulja lulen m’e helmue,
As mallkim pra nuk ka dhanë
Kur dy zemra t’jen’ bashkue.

Naim Frashërit

T’falem Naim bilbil në za,
Qi ke k’ndue me dashtuni,
Porsi ti bilbil nuk ka,
Me k’ndue ambël për Shqipni.

Përgëdhele Bagëtinë,
Bukurin ja adhurove,
Por ma fort për Bujqësinë,
Për Shqipni pra ti vajtove.

Si vajtove si këndove,
Fryma jote asht e njejtë
Për çka ti na ligjirove,
Ndjeja e jote fryma e shejtë.

Ky bilbil që leu nji here,
Si n’koh tij për s’dyti s’lenë,
Vjershëtor me t’madhe vlerë,
Shoqin k’ti ma kund s’ja gjenë.

Kush të qau më shum’ shqipni?!

Vaso Pasha thom se qau,
Thirri vajza, thirri gra,
Mal e fush’ me lot’ i lau,
Qavi, qani duhet qa.

Qau e shfryeni pa pushue,
Tue trokit gjithkuj në derë,
Nga nji gjum i rand m’u zgjue,
Qau, vajtoj me shumë se t’tjerë.

Qave Vaso Pasha qave,
Se përzine n’kang’ vajtimin,
Mal e fush’ me lot’ i lave,
Se përzine n’gzim dëshprimin.

Si nji her’ Tonush Topija,
N’mosh të vjetër të pleqnis,
Që kur foli mpit’e e bija
T’shoq’n e kte kish mposht lakmija.

Kur qan’ trimi qan dhe zana,
Kur qan zana qan njerzia,
Qan fëmija se i vuen nana,
Nan Shqiptarësh Shqipënia.

Hamid Troplinit – herojt Tiranës
– Dishmori i luftës së Morinës “Kosovë” 1944 –

Lamtumirën ia le nanës
Lamtumir’o prind’t e mi,
Lamtumir’i the Tiranës,
Kur u nise për n’kufi.

Se n’Kosov’ e kah Morina,
Dalun paskan prap trazime,
Pjell’ gjithmon’ që pjellën shkina,
E pa ngopun për fitime.

Shko bir paç bekim’n e Zotit,
Bahu ndihma e vllaznvet t’tu,
Der jan endun shekujt motit,
Na me shkja po kem’ luftue.

Njikto vende njikto toka,
Që ne Zoti na i ka falë,
Me i grabit’ prap shkjau po doka,
Fal i qofsh’ Shqipnis o djalë.

Kur mandatin e muer nana,
Për Hamidin djal’n e vet,
Si t’gjith bijt që çoi Tirana,
Rroft’ Shqipnija dhe kjo thrret.

Rroft’ Shqipnija e jon’ etnike,
Shkroi me gjak Hamid Troplini,
Mos e qa’ moj nan’ fisnike,
N’ radh’ t’dëshmor’ vet aj sot hini.

Dialekte të bukura të gjuhës sonë

Thjesht shqiptare në dialekt,
Ligj’ron ambël Toskënija,
Qoft’ krahin, qytet a sekt
Ambël flet po dhe gegnija.
Përqafimi pra na duhet,
Si kur flet e gjith’ Shqipnija,
Ambël flitet bukur shkruhet,
Kjo na duhet lum zotnija
Me fjal’ t’bukra të përzihet,
T’njeshet brum’ për m’u gatue,
Gjuha e jon’ në kulm do t’ngrihet,
Zyrtarisht m’u ligjirue…

Hajdar Grepsa (1907-1957) lindi në Tiranë, në një familje të thjeshtë, zbritur në këtë qytet breza më parë. Mbiemri Grepsa vjen nga fshati Grepës, që ndodhet midis Krujës dhe Tiranës. Hajdari pati një shkollim normal për kohën. Ka bërë punë të ndryshme, si: sekretar daktilografist në Ministrinë e Drejtësisë para dhe pas çlirimit dhe në ndërmarrjen e ndërtimit “Muhamet Gjollesha”.
Cikli poetik është shkëputur nga libri “Nëpër hijet e kopështit”, që u bë gati për botim që në korrik të vitit 1944, por, për rrethana që nuk dihen, ky libër e pa dritën e botimit vetëm 74 vjet më vonë, nga djali i autorit, ashtu siç ishin lënë në dorëshkrim.

Autori
Hajdar Grespa