Në Bakarak na ishte një shtrigë leshverdhë,
sa burra e djem vdiqën për të e ç’gjak u derdh?!
Një ditë, një peshkop e thirri në gjykatë,
që ta dënonte egër për shkelje dhe mëkat…
Por djallka ishte e bukur me sy plot hir e dritë,
i shtangte fare lehtë, si djemtë dhe zotërinjtë.
O Lorelaj e bukur, me sytë plot xhevahirë,
ç’dreq magjistar të bëri kaq mrekullisht të mirë?!
Po digjem e shkrumbohem nga sytë e tu të bukur,
nuk mundem të dënoj, më duket e pamundur!
Ti po më tall peshkop, por lutju pak për mua,
zonjës Shën Mëri, me fjalëzë e i thuaj:
I dashuri më iku, mjaft larg, se ku, s’e di,
dënomëni, se s’mundem të dua më njeri!
Më ther në zemër keqas, më erdhi vdekja, fundi,
ç’më duhet jetëzeza, kur çdo gëzim më humbi?!
Peshkopi u bë xhind, shpejt thirri tre kalorës:
Me ushta merreni dhe shpejt drejt murgëtores!
Ikë Lorë e shkalluar, me sy ngjethës të çmendur,
do bëhesh një murgeshë, krejt bardhë e zi e veshur…
Dhe që të katër morën shpejt udhën për mërgatë,
u lutej Lorelaj, me sytë yje-brilantë:
Më lini që të ngjitem tek ai shkëmbi lart,
të shoh edhe një herë kështjellën dhe tim atë!
Të shihem nëpër ujin e lumit të kulluar,
pastaj të shkoj të mbyllem me shpirt më të qetuar…
Dhe era lart ia shprishte flokët me mall e vaj,
teksa nga kuajt rojet thërrisnin: Lorelaj!
“Përtej një varkë shket me djalin që fort dua,
më pa e më thërret, se dot nuk rron pa mua…
Më lehtësohet zemra, pëllumbi vjen drejt meje…”,
shkëputet edhe bie në Rinin dallgë-hareje.
M’u lehtësua zemra!
Pëllumbi vjen, ç’gëzim!
Përkulet edhe… dhe Rini e përpin…
Përktheu: Perikli Jorgoni










Be First to Comment