Gershom Scholem (1897-1982)
Gershom Scholem – filozof, historian dhe akademik izraelit. Një nga studiuesit më të mëdhenj të Misticizmit Hebraik. Ishte ai që e vendosi për herë të parë këtë subjekt mbi baza universitare si disiplinë dhe shërbeu për herë të parë si profesor në lektimin e tij në Universitetin Hebraik të Jeruzalemit. Një mendimtar mjaft prodhimtar. Shkroi mbi 700 artikuj akademikë dhe një sërë studimesh dritëhedhëse, tashmë të njohura botërisht, si: “Major trends in Jewish Mysticism”, “On the Kabbalah and Its Symbolism”, “Sabbatai Sevi: The Mystical Messiah”, etj. Poezia, si diçka private dhe një zakon gjerman, ka qënë një dashuri e hershme rinore e Scholem dhe ky fakt u zbulua shumë vonë dhe krejt rastësisht në arkivin e tij prej përkthyesit dhe profesorit të letërsisë në Harvard, Richard Sieburth. Këto tri poezi, dedikuar tri personaliteteve izraelite, Chaim Bialik, Theodor Herzl dhe Walter Benjamin, janë nxjerrë pikërisht prej përmbledhjes poetike të realizuar nga Sieburth.
Për Chaim Bialik
Aq shumë kumt kishin fjalët e tij,
sa shpesh humbisnin autorësinë,
aq pranë u qëndronte njerëzve,
sa në çdo takim thellohej n’kuvendime.
Por vdekja-një pushim në këtë bisedë të shtruar,
teksa zhytur mendimesh, ai ende qëndron,
po kush do ta thyejë vallë këtë heshtje të mallkuar,
që e mbart tej e me klithma na zgjon?
(1934)
Për Walter Benjamin
Ti rron fillikat në ditarin e jetës sime;
një ekzistencë e pavdekshme në çdo faqe.
Koha, pas shuarjes, të sjell në dorën time,
që mos të humb nga ty madhështinë e vargjeve.
Tabloja befas kthehet në çarçaf,
armiku do ngrihet kundër meje me zemërim
dhe ti, e dashur, oh do mbash qëndrim,
që ai të mos përbetohet me të madh.
Edhe nëse vdes i ri, ti ke bërë historinë,
nga dashuria jote, koha posi rrezet derdhet
dhe pavdekësia prej jetës sate ndrin.
U bë e shkuar; e ardhmja u vdir,
e tashmja para zotit do të na ndajë-
në këtë tëhuajsim, ne do të jemi të lirë!
(1918)
Për Theodor Herzl
Ai e shqiptoi shpresën i pari,
ato fjalë që na çuan peshë në havanë,
i pari guxoi për një botë të re,
që u ngrit befas para syve tanë.
Na priu drejt një udhe të përparuar,
u tregoi shtigje të pashkelura atyre në dyshim,
neve që vuajtëm nga e shkuara e tmerruar,
na shpalosi një pranverë në lulëzim.
Ai foli për ata që janë shtypur prej mallit
dhe për të tjerët, zëprerë me pikëllimin.
Të gjithë ulën kryet t’i falen djalit,
atij që u shembi mosbesimin.
Kurrë s’do t’ia harrojmë fjalën – të begatën,
atij që na e dha këtë ëndërr të ndritur,
që na ktheu atë që dikur patëm
dhe atë ç’ka humbëm pa e ditur.
Ai brohoriti për një botë që u ngrit papritur,
në fjalët e tij, fjala jonë u mbështet.
Flamurin valëviti përballë armikut të skërmitur,
atë flamur të gjakosur krejt! (1918)
*Chaim Bialik (1873-1934) – Pionier i poezisë moderne izraelite dhe poet kombëtar i Izraelit.
*Theodor Herzl (1860-1904) – Shkrimtar, gazetar, publicist dhe aktivist politik. Vepra e tij “Der Judenstaat” (Shteti Hebre-1896) do të hidhte piketat ideore për themelimin e mëvonshëm të shtetit izraelit.
*Walter Benjamin (1892-1940) – Filozof hebre, eseist dhe kritik kulturor. Anëtar i “Shkollës së Frankfurtit” dhe mik i vjetër i Gershom Scholem.
Përktheu dhe përgatiti: Melsen Kafilaj










Be First to Comment