Press "Enter" to skip to content

Është poshtërsi?

Unë kaloj qëllimisht përmes rrugëve ku janë kurvat. Kalimi pranë tyre më ngashënjen, më jep mundësinë e largët, por gjithnjë ekzistuese, të shkosh me njërën prej tyre.
A është kjo një poshtërsi?
Por nuk di asgjë më të mirë dhe realizimi i diçkaje të tillë më ngjan në themel i pafajshëm dhe nuk më bën aspak të pendohem. Unë dua vetëm një grua të moshuar e të bëshme, me rroba të vjetra, por në njëfarë mase me stoli të bollshme të varura në to.
Njëra prej këtyre grave më njeh, me sa duket. E takova sot pasdite; ishte ende me rrobat e punës, flokët ende mbi kokë, nuk kishte kapele, por një bluzë pune si ajo e kuzhiniereve dhe mbante disa rroba, ndoshta për t’i çuar te rrobalarësja. Askush nuk do të kishte gjetur diçka ngashënjyese tek ajo, vetëm unë.
Tani në mbrëmje, kur koha ndërkaq u ftoh, e pashë me një mantel të verdhë në bojëkafe, në anën tjetër të rrugës “Zeltner”, rrugës së ngushtë e të degëzuar, ku po shëtiste. Vështrova në drejtim të saj dy herë; e kapi shikimin tim, por pastaj ika prej saj.
(Ditari)

Bordello të rregulluara në mënyrë racionale. Grilat e pastra të dritares së madhe të shtëpisë të lëshuara poshtë. Te lozha e portierit, në vend të një burri, një grua e veshur me sqimë, e cila ndihet kudo si në shtëpinë e saj.
Që në Pragë, unë kam vënë re kalimthi karakterin prej amazone të bordellove.
Këtu kjo është edhe më e qartë. Portierja femër, e cila lëviz llambën elektrike, na ndal te lozha e saj, sepse sapo e lajmërojnë që po vijnë klientë nëpër shkallë; pastaj dy gra të nderuara sipër (përse dy?) që na presin, ndezja e dritës elektrike në dhomën pranë, ku qëndronin në errësirë ose në gjysmerrësirë vajzat e pazëna, duke formuar tri të katërtat e një rrethi (që e plotësonim ne) rrotull nesh, duke ndenjur me trupin drejt në pozicionet favorizuese të menduara prej tyre, dhe pastaj hapi i madh, me të cilin e zgjedhura del përpara, dhe grishja me të prekur që më bën zonja… por unë ndjehem si i shtyrë drejt daljes.
Dhe është e pamundur të përfytyroj se si dola në rrugë, kaq shpejt ndodhi kjo.
Është vështirë t’i shohësh ato saktësisht, sepse janë shumë, picërrojnë sytë dhe, mbi të gjitha, qëndrojnë tepër afër. Të duhet t’i shqyesh sytë dhe për këtë nevojitet të ushtrohesh.
Në kujtesë kam vetëm atë, që qëndroi pranë meje.
Ajo kishte dhëmbë me hapësirë ndërmjet tyre, zgjatej në lartësi, duke mbajtur fustanin me grushtin e mbledhur, duke hapur e mbyllur sytë e mëdhenj dhe gojën e madhe. Flokët biondë i ishin të shprishur. Ajo ishte truphollë.
(Shënime udhëtimi)

Përktheu: Fatmir Alimani

Autori
Franc Kafka

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *