Press "Enter" to skip to content

Fjalimi

Krejt qytetarët i tregonin njëri-tjetrit se ku duhej t’i blinin mobiliet. Më të mirat, më të bukurat dhe elegantet gjendeshin te “PossMob”. Radiot lokale po se po, por edhe ato nacionalet ndërprisnin emisionet e tyre më të dëgjuara: “A jeni ulur në një kolltuk të markës “PossMob”? A po na dëgjoni nga dhoma e gjumit e mobiluar nga “PossMob”? Meqenëse po hani darkë në një sallon të mobiluar nga “PossMob”: ju bëftë mirë!”.
– Bruno Poss! “PossMob”?
Burri përpara meje i kishte kaluar të tetëdhjetat. I gjatë, me flokë të thinjur e sigurisht me të gjitha shenjat që zoti i madh ka mirësinë të na i lërë në lëkurë, për të qenë para botës ata që jemi. Fill pas këtij vëzhgimi, hetohej që veshja e tij ishte pak më e sofistikuar, shumë më cilësore se e krejt atyre që u kisha shërbyer gjatë gjithë ditës.
S’e kam krenarinë e Çehovit kur prezantohem, por jam autori i këtij tregimi dhe farmacist, e po i shërbeja një njeriu, që me fabrikat e mobilieve dhe shitoret e panumërta ishte ndoshta më i pasuri i krejt luginave juglindore të alpeve zvicerane.
– Jo, Bruno Poss. Nesër kam një mbrëmje lamtumire me punonjësit e mi! Kam nevojë për ndihmën tuaj!
– Me kënaqësi, zotëri!
– Dua t’u them se vërtet kam qenë pronari i tyre për gjashtëdhjetë e pesë vjet, por bashkë kemi ndarë një mijë halle e kemi gjetur një mijë zgjidhje, kemi rritur fëmijët me punën tonë. Më fal, doktor, por nuk i them dot këto fjalë pa më mbërthyer lotët. S’më prish ndonjë punë të madhe! S’e kam problem të qaj! Më duhet thjesht të mbaroj fjalën.
Bruno Poss kishte nënë italiane e babë gjerman. Hijeshia e mobilieve, thoshte ai, nuk vinte nga mama, por nga i ati. “Se këtu është kurthi, që ia dola ta mposhtja: një mami italiane sjell hijeshi e sentimentalizëm, por jo nëna ime, Maria Leone; ajo ishte një ushtare e pashpirt. Një ish-sekretare e sekretarëve të partisë komuniste italiane. Ata, kur nuk e deshën më, i gjetën një burrë në Zvicër. Babanë tim, Wolf Poss, punë internacionalizmi”.
– Bruno, – iu drejtova në intimitet, – askush nuk e beson që një burrë me pasurinë dhe dinjitetin tuaj ka dëshirë të ndajë me të tjerët detaje të kësaj natyre. Bari që ju dhashë, s’është asgjë. Një betabllokues, i aftë të ndajë emocionet e zemrës nga ato të trurit. Domethënë, do flisni gjëra emocionale me mendje, por adrenalina e emocioneve nuk do ndikojë në fjalimin tuaj. Sa më thatë se janë? Ah, po, mbi gjashtëqind vetë, që do t’ju dëgjojnë. Zemrat e tyre do t’ju mësojnë si të flisni, si të silleni, si të rezistoni. Ata ju duan, siç i doni ju ata.
– Po ia arrita ta mbaroj atë fjalim pa qarë, do t’ju jem mirënjohës përjetë!
– E rëndësishme është që ata që do t’ju dëgjojnë, të jenë e do t’ju jenë mirënjohës përjetë.
Këtë bisedë e bëmë në një kafe të vogël, ngjitur me farmacinë. Shkoj ndonjëherë me pacientët e mi aty. Zoti Poss nuk është pacient, është personalitet, po ja që për fjalimin e fundit i duhet të vijë të flasë me mua, të gjejë një zgjidhje! E s’ka faj. Është fjalimi më i rëndësishëm në atë shteg që e ka sjellë jeta. Të nesërmen, ndërmarrja që ka krijuar para shumë vjetësh s’do të jetë më e tij. Ai do jetë Bruno Poss. “MobPoss” do jetë e huaj.

Në fund të sallës së madhe me mbi një mijë ulëse, po ndiqja fjalimin e “pacientit” tim. Asnjë dridhje zëri. Asnjë rrëzim emocional.
– Ia arrita ta mbaroj këtë fjalim pa më mbytur lotët dhe për këtë i falënderohem farmacistit e mikut tim, një shkrimtari nga Shqipëria, që më gjeti barin e duhur. Nuk e mbaj mend emrin e barit, por mbaj mend që më tha: “Nëse i do ata njerëz, edhe ata të duan. Nëse qan dikush aty, qani të gjithë bashkë”.
Dola nga salla duke lotuar…

Autori
Arbër Ahmetaj
Kryeredaktor   | [email protected] | Website

Arbër Ahmetaj lindi në Tropojë në vitin 1965. Është diplomuar për farmaci në universitetin e Tiranës dhe atë të Gjenevës. Në vitin 1986 filloi bashkëpunimin me shtypin shqiptar të asaj kohe dhe më pas punoi si gazetar në departamentin e informacionit në TVSH. Në vitin 1993 iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe u specializua për diplomaci në Oksford, Uashington, Gjenevë dhe Maltë. Pas detyrave të ndryshme në këtë ministri u emërua Sekretar i Parë në Ambasadën Shqiptare në Bukuresht. Nga shtatori i vitit 1997 jeton në Sion të Zvicrës, ku ushtron punën si farmacist. Disa nga veprat e tij në prozë janë "Fletëhyrje për në varr", "Varri i braktisur", "I huaji, ai kosovari", "Një natë te Luiza", "69 gra", "Procesi 3K", si dhe librat me poezi "Më mori malli e dashur" dhe "Poezi". Nga viti 2020 është Kryeredaktor i Revistës Letrare.