Udhëtimi i radhës
Po nisem.
Udhëtimi i radhës më gjen
në krahët e këtij qielli të madh dhe të pabesë.
Mik,
ky kthim i mbartur me ankthe,
është rruga e metaltë për në atdhe.
Asgjë të re nuk ka në këtë kthim.
Po ajo përgjumje njerëzore
dhe uturima avionësh.
Ja edhe pak,
e më të madhen tashmë do e lemë pas.
Dhe pak,
e qielli fillon të zbresë
mbi relieve e peizazhe të lodhura.
Aty poshtë është shtëpia ime e parë.
Marr frymë thellë, i jap forcë vetes.
Bashkudhëtar, zgjohu!
Jashtë na pret asfalti i lagur i pistës
dhe përtej kapërcimit absurd të vetvetes,
fillojnë erërat e çmendura fshikulluese.
Befas
Befas, kjo verë nuk është më.
Në ikje la pas gjëmime dhe zjarre të murrme…
Zërat janë shuar, netët janë të qeta.
Ja, në ajër po mblidhen ujërat e vjeshtës së parë…
Ditët tashmë janë fruta të verdha dhe të pjekura,
ngrohtësia e tyre e paktë më kujton,
një stinë dhe një kohë që do vijë përsëri…
Unë e di, në fusha do duken njolla të gjelbra.
Do shihen udhëtarët e parë, shaluar mbi mushka
dhe herët mëngjeseve, shumë herët,
do ndihet zgjimi i lagësht i molusqeve…
Poezia
Poezia,
është silueta e një gruaje
dhe hapave të saj
në një mjegull mëngjesi.
Herë shfaqet,
herë zhduket
herë digjet.
Mos ik, mjegull!
Ti fsheh ditën e parë të jetës.
Mos ik,
lërmë të zbuloj misteret e tua,
skalitur në kurmet e një siluete!
Çdo gjë nis nga e para
Njeriut i është dhënë një kontur,
dhe një përmasë.
Kështu kupton se qiejt janë të paskajshëm,
oqeanet të mistershme me thellësinë e tyre,
malet, zota të madhërishëm e krenarë,
universi një pushtet diejsh e planetësh.
Pastaj erdhi fjala,
dhe lindën përbindëshat.
Qiejt u tkurren në horizontin e tyre,
oqeanet i humbën dallgët, u poshtëruan,
malet ulen kokat e ranë në krisje,
universi mbeti shurdh, pa të vërteta.
E gjitha kjo,
kur doli fjala dhe lindën përbindëshat.
Çdo gjë tani nis nga e para.
Një ëndërr
Një ëndërr pa fund,
një yll që këputet,
kush ishte ajo vajzë?
Një prekje e lehtë,
një puthje e bardhë,
kush ishte ajo vajzë?
Një zgjim pa kohë,
një kohë pa zgjim,
pse ky trishtim?







