Press "Enter" to skip to content

Mos eja

Mos eja

As në ëndrra mos eja
të ma lidhësh buzëqeshjen
me gjalmë të trishtë.

Lidhur mijëra fijesh
me retë e qumështa,
jam vetë buzëqeshja,
në ëndrrat e pagjumëta.

Mos eja
të ma marrësh frymën,
për ta shpënë s’di ku;
i kam mbyllur dritaret e shpirtit,
grimca dhimbjesh
kanë mbetur jashtë,
fluturojnë kuturu.

Mos eja si hije e vyshkur,
të më errësosh pamjen,
të më tregosh shijen e lotëve të mi.
Bashkë jemi parë sy më sy:

Në botën time,
s’ka ajër për ty.

Engjëjt

Nuk dua ta di se ku rrinë engjëjt,
kur lindin,
si vdesin.
Unë di që i kam
në ninëzën e syrit,
sa herë që bota më duket e djallosur,
sa herë që dua të qesh,
por më vjen të qaj,
sa herë që dua të këndoj,
por kënga shndërrohet në vaj,
sa herë që dua të flas,
por më vjen të ulërij,
sa herë që dua të vrapoj,
por më pengohen hapat…
Nuk dua ta di çfarë ndjesish kanë,
a lodhen,
çfarë hanë,
a kanë gjak,
mish,
eshtra…
Di që drita e tyre është në syrin tim,
di që engjëj ka pak, fare pak…

Autori
Elmira Rama

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *