Doja
Unë doja të isha për ty
Mrekullisht e bukur, si një perëndi.
Gëzimi hareshëm në shtat të më derdhej
E buzëqeshja të më përhapej si magji.
Ëndërrimtare doja të mbetesha unë
Latuar shpirtin me rreze dielli
pluhur yjesh hedhur në flokë
Në sy të më pasqyrohej qielli.
Unë kohën doja ta ndalja për ty
Me duar ta mbysja e tej ta largoja
Trishtueshëm kuptova se dot nuk munda
Çdo ditë që shkonte, një ëndërr harroja!
E ja tek jam si një pemë e zhveshur,
Rrahur nga erërat, përkulur nga stuhia
Në rrugët e jetës ku unë hedh vështrimin
Shoh si humb shkëlqimi i ëndrrave të mia!
Dorën zgjat drejt meje, ashtu si përherë
E më sheh në sy ku veç ti gjen dritë.
Më shtrëngon në krahë e më pëshpërit:
Ti je aq e bukur, si të parën ditë!
Mjegulla
Mbi këtë qytet ka rënë mjegulla,
as njëri-tjetrin nuk e shohim dot,
xhamat veshur nga fjalët e rënda,
megjithëse pranverë, përreth është ftohtë!
Mjegulla ra mbi rrugë e çati,
e treti si vesa dritën e agimit,
jemi krejt të huaj në qytetin tonë,
mendimet rrëqethur si në palcë të dimrit!
Mjegulla të paska zënë dhe ty mik i mirë,
që kur më flet, as në sy s’më sheh,
heshtja është e thellë porsi një humnerë,
e buzë saj endemi dhe ne!
Unë mbaj mbi supe këtë peshë të zbrazët,
udha e largimit heshtas po më thërret,
e lë pas mjegullën e kokën s’e kthej,
por gjurmët e mia mbetën në qytet…
Përjetësi
Sa herë u treta në përqafimin tënd,
si t’fundit herë, përhumbur gjer në shpirt,
a do na prek agu sërish nesër,
a do marrim nga jeta ende dritë?
Sa herë kridhem në blunë e syve të tu,
krejt veten gjer në eshtra e dorëzoj,
a do më ndrijë udhën gjer në fund,
tek shtegu i fundit pas të më shikojnë?
Ethshëm përkëdhel unë dashurinë,
gjer në pjalm të jetës madhërisht,
me nektar të saj zbukuroj ditët,
si çdo ditë e fundit të ish…
Unë…
E vesha petkun e mëngjesit
Plot erëra të dimrit e dëborë
Flokët i kreha mendueshëm
Buzëqeshja më vesh si auerolë…
Në rrugë dëgjoj hapin tim
Me hapa të tjerë ngatërruar
Unë shpirt i vetmuar mes turmës
Drejt asgjësë vrapoj për të shkuar…
Është mbrëmje, jam edhe unë
Ashtu si veten kërkoj
Me flokët të bërë rrëmujë
E vërtetë e si askush njësoj…
Tinguj përjetësie
Në dhomë përhapet një melodi,
e ëmbël, magjike, hyjnore,
një vajzë vallëzon e përhumbur,
si me një hije të kapur përdore.
Gramafoni drithshëm vërtitet,
shpërndan tinguj të etur,
vallëzon vajza me ajrin,
vështrimin në bosh e ka tretur…
Ajo që vetëm vallëzon,
Jo, jo, nuk është e marrë,
keqas nga jeta është plagosur,
dhe zemrën e ka të vrarë.
Por tingujt u tretën në erë,
dhe gramafoni pushon,
mbeti ajo vetëm e mjerë,
e në heshtje nis e loton.
Loton për djalin që humbi,
mes yjesh tani ai përndrit,
ajo e takon veç në ëndërr,
e me të vallëzon çdo ditë.
Tej dritares që sheh nga mallet,
një vajzë me ajrin vallëzon,
përjetësisht nën këta tinguj,
një ëndërr që kurrë nuk mbaron!
Porositë e prindërve
Babai më tha: bijë të jesh e drejtë,
dhe nga i dobëti kurrë mos përfito,
mirënjohjen virtyt ta kesh në jetë,
dhe të vobektin përherë ndihmo.
Nëna më mësoi të jem e urtë,
me sjellje fisnike e dritë në shpirt,
të mirat që bën kurrë mos i përmend,
e falënderuese të jesh çdo ditë.
Prindërit më thanë të jesh kurajoze,
e në jetë kurrë mos bëj padrejtësi,
edhe kur të fyejnë, tregoji faljen,
dhe kur të urrejnë, dhuro dashuri!
E unë shoh përreth, sot pas kaq dekadash,
kur hapat e mia udhën kanë përshkuar,
në shpinë mbaj ende porositë e prindërve,
por bota dhe njerëzit shumë kanë ndryshuar.
Unë jam kokëforte e vazhdoj njësoj,
me dritë në sy ende buzëqesh,
le të jem e vetme, as dua t’ia di,
le të thonë për mua: nga bota s’merr vesh.
Nëse heqim dorë nga virtyti jetës,
e lejojmë veten të na marrë rrjedha,
bota do mbetet e ftohtë, e pandjenjë,
bosh nga dashuritë, edhe pa vlera.
Mëngjeset në qytetin tim
Qyteti dergjet ende i përgjumur
mbuluar me mjegullën e agut të mëngjesit,
rrokullimën e ecejakeve të nxituar,
kalimthi troku i shiut e prek…
Jetë njerëzore që drejt fatit të tyre rendin
e qyteti dëshmitar i heshtur që sodit
jetët që kapërthehen drejt askundit
nxitimthi, si të ishte e fundit ditë…
Brengë malli
Në dhomën tënde tani ka rënë heshtja,
sepse ti shkove për të mos u kthyer kurrë.
Sendet i ruajnë si gjethet e fundit vjeshta,
i lëshon e bien lehtë mbi rrugë, mbi gurë.
Gjurmët e shkëlqimit të dikurshëm,
me majë të gishtave dua të ledhatoj.
Shtrati mjegull të brishtë pluhuri ka zënë,
mbuluar kujtime që ëndrra dot s’i zgjoi.
Mbyll derën dhe menduar largohem
për t’u kthyer sërish zemërthyer nesër.
Shpirti trazohet keqas e trishtohet,
kthehet vjeshta – brengë malli e vjetër…






