Press "Enter" to skip to content

Magazina e komunizmit shqiptar

 

Ka qenë gjithmonë e vështirë e ngandonjëherë edhe e pamundur t’u shpjegosh fëmijëve e të rinjve tanë, të lindur pas viteve nëntëdhjetë, jetën tonë ndën komunizëm. Shpesh kjo përpjekje bëhet kaq e komplikuar sa edhe ti vetë e kupton se nuk mund të shtyhesh aq thellë në absurdin e përshkrimit të asaj jete. E si mund t’i shpegosh një të riu të sotëm dushin me vajguri apo një bigudinë të bërë me tubin plastik të instalimit të dritave, apo krëhërin e morrave, atë krëhër me fije të ngjeshura fort, të bërë enkas për të ekzaminuar çdo fije floku e për të përjashtuar prej kokës “kokrrat” e morrave, të fituara në klasë prej ndonjë bashkëmoshatari?! Duket pra se kemi të bëjmë me një mision të pamundur.

Mirëpo nga ana tjetër, kujdesi ynë për të ruajtur dhe konservuar objekte të asaj kohe qe pothuajse zero. Neveria dhe urrejtja për atë sistem na bëri që t’i hedhim, thyejmë, shkatërrojmë dhe, ç’është më e keqja, edhe t’i nxjerrim nga kujtesa imaxhet dhe funksionet e këtyre sendeve, që po t’i kishim, do ta mediatizonin e ta bënin më të thjeshtë komunikimin tonë të sotëm dhe të nesërm me brezat e rinj.

Me të drejtë, Umberto Eko, në një “lectio magistralis”, mbajtur në OKB më 2013-n, “Kundër humbjes së kujtesës”, thotë se civilizimet nuk mbijetojnë dot pa kujtesën kolektive. Kur ndonjë akt censure përpiqet të zhdukë një pjesë të kujtesës të një shoqërie, kjo shoqëri pëson krizë identiteti. Në një botë në të cilën tentohet të harrohet apo të injorohet shumë, rizbulimi i së shkuarës sonë kolektive duhet të jetë projekti themelor i së ardhmes.

Albumi “Magazina e komunizmit shqiptar” është frut i një pune të gjatë dhe të pandërprerë kërkimore në terren dhe në nivele të tjera si: biblioteka, internet e media sociale, për grumbullimin, sistemimin dhe interpretimin e objekteve, që kanë shoqëruar jetën e njeriut shqiptar në periudhën e komunizmit.

Kemi të bëjmë me një koleksion me rreth 500 imazhe të përzgjedhura dhe të grupuara në: triska e tollona, mobilje, elektro-shtëpiake, paisje ngrohje dhe gatimi, ndriçues, telefona, aparate fotografike dhe orë, enë kuzhine dhe gatimi, kafe e takëme kafeje, cigare dhe takëme duhani, ujë dhe lëngje të tjera, ushqime dhe pije, veshje, batanije dhe mbulesa, lavanderi, lojëra dhe artikuj shkollorë, paisje zyre, biçikleta e motoçikleta, lekë dhe objekte të tjera të ndryshme.

Dhe e gjitha kjo për të thënë se, ajo çka ne kujtojmë nga e kaluara, na bën ata që jemi, qoftë si persona apo edhe si shoqëri. Prandaj, përvojat e së kaluarës, duke qenë të lidhura ngushtësisht me këto shenja kulturore, janë tejet të rëndësishme në formësimin e kujtesës kolektive dhe rrjedhimisht në formimin e identitetit dhe bindjeve politike.

Por duhet thënë se edhe kujtimet për komunizmin përshkohen prej ecejakesh, për shkak se vetë komunizmi ka pasur fazat e tij të zhvilimit. Kështu, përshembull, ne të lindurit në mes të viteve ’60, nuk arritëm dot të kishim memorien e atij komunizmi konkurrent të kohës, kur qemë mirë politikisht me Bashkimin Sovietik. Po kështu qemë shumë fëmijë për të “shijuar” liberalizmin e tri-katër viteve të para të ‘70-s dhe ishim mjaft të rritur sa për të vuajtuar varfërinë ekstreme të viteve ‘80, pas prishjes edhe me Kinën e Madhe. Pra, vetë komunizmi shqiptar pati periudhat e veta të “shkëlqimit dhe rënies”, ashtu unik siç ishte në të keqen e vet.

Situata pa zgjedhje dhe mungesa e varieteteve në kulturën materiale të asaj kohe duket se na kanë mbledhur në një hapësirë të përbashkët e të ngushtë. Ne të gjithë, që kemi konsumuar ato mallra, kujtojmë mënyrën se si ato shijonin dhe mund ta identifikojmë të kaluarën tonë të përbashkët përmes saj.

Kultura materiale e përditshmërisë së socializmit, artefaktet e industrisë së saj të lehtë dhe ushqimore nuk janë arkivuar, përshkruar apo vendosur në muze. Ato mungojnë plotësisht në debatin e dobët publik mbi të kaluarën. Historianët i shpërfillin si “shumë të parëndësishme” për të merituar vëmendjen e tyre dhe kështu, si padashje, ato mbeten jashtë rrëfimeve të mëdha historike.

Kështu libri na vjen si një arkivë pamore, një katalog i koleksioneve të dyqaneve socialiste, duke pasur si qëllim të ofrojë një histori alternative të “komunizmit” shqiptar, nëpërmjet kulturës pamore të objekteve të përditshmërisë, përmes historisë së penetrimit të projektit komunist në jetën private e urbane, nëpërmjet përpjekjes për një unifikim total të shijes së shqiptarëve.

Supozimi themelor i librit është se të kuptuarit në thellësi i “komunizmit” shqiptar kërkon një metodë të rafinuar të studimit të materialit jetësor të përdorimit vetjak e shtëpijak, larg interpretimit të vetë historisë socialiste, e cila do ta kryejë këtë mision nëpërmjet kongreseve partiake, ngjarjeve politike apo nëpërmjet përmendoreve e monumenteve publike, si rrëfime rreth komunizmit, të përqendruara kryesisht në heroizmin e të rënëve apo të burgosurve.

Libri gjithashtu na dëshmon se, paralel me iniciativën e Partisë së Punës për krijimin e “njeriut të ri socialist”, prodhimi socialist jo vetëm që nuk synonte të rriste qarkullimin, por synonte “edukimin” e këtij homo sapiensi me “shije të reja”.

Përfundimisht, libri paraqet një shtresë të kulturës materiale të socializmit, e cila kishte formuar dhe deformuar shijen e shumicës së shoqërisë shqiptare. Ai mbështetet në shokun vizual, në identifikimet momentale, në njohjet e papritura të “nënndërgjegjes pamore” të njeriut të socializmit.

Autori
Elektra Haxhia Çapaliku

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *