Trupin
Sadoherë që ta kesh parë
sado që ta njohësh
sado të jetë ai përherë
kurrë s’e ke parë
kurrë s’e ke njohur
kurrë s’ka qenë ai që është
Është i njëjti por nuk është
Pasioni e bën të mos jetë kurrë i njëjtë e rinon
Çdo herë e sheh për herë të parë
çdo herë e njeh për herë të parë
çdo herë është si asnjë tjetër herë
i pazakontë i panjohur i paeksploruar i pashterueshëm
çdo herë ta zotërosh nga fillimi
ta shijosh ta gëzosh e të ngopesh me të çdo herë nga fillimi
i porsangjizur unik
i paplotësueshëm dhe i pazëvendësueshëm çdo herë i lakmuar si herën e parë
Përktheu: Eleana Zhako
Monologu poetik dhe dramatik “Apokalipsi i Kasandrës”, me titullin dytësor “Lajm lindës”, rijetëson mitin e njohur të Kasandrës, bijës së Priamit dhe Hekubës, e cila njihej në lashtësi për dhuntitë e saj profetike. Për shkak të refuzimit të dashurisë së Apolonit, ai e ndëshkoi me mosbesimin e parashikimeve të saj nga të tjerët. Kasandra e mitologjisë është armiqësore ndaj dashurisë mishtore, një femër e tëhuajtur nga tundimet trupore dhe dëfrimet seksuale. Kasandra e Dimitriadisit është një anti-Kasandër, një grua e dhënë totalisht pas joshjes dhe dashurisë me Apolonin, e cila pohon dhe ripohon shprehjen e njohur të Niçes: “Trupi ka më shumë të drejta se dituria më e madhe”.
Gjithashtu, një veçori tjetër e autorit është mungesa e përdorimit të presjeve, çka i jep lexuesit mundësinë t’i japë monologut ritmin dhe frymëmarrjen që dëshiron, të krijojë grupime fjalësh, në varësi të intonacionit dhe përjetimeve intime.
Dimitris Dimitriadis ka lindur në vitin 1944 në Selanik. Është dramaturg, poet, prozator, eseist, etj. Në vitin 2010 u nderua me çmimin “Autori bashkëkohor i vitit” në Paris. Dimitriadis shuhet kryesisht për rikrijimin dhe ridramatizimin e disa prej tragjedive dhe miteve më të njohura të antikitetit grek. Veprat e tij janë përkthyer në anglisht, arabisht, gjermanisht, italisht, katalanisht, portugalisht, rumanisht, rusisht, spanjisht, shqip dhe kryesisht frëngjisht.
(Botuar nga “Albas”, 2019)










Be First to Comment