Portokallishtë
Çka ndihet atje jashtë,
është aroma e portokajve,
që flenë nën shi.
I përkund era, i shkund
dhe tokës i zihet frymëmarrja.
Aty ku çahen lëkurët, nata bëhet rozë.
Nëse i mbyll sytë, grua, zotat vetmohen.
Lehtësojua dhimbjen, zgjuar rri
dhe falja trupin tënd dikujt,
që di si zhvishen portokajtë.
Një grua kreh flokët në mesnatë
Një grua kreh flokët e gjatë
në mesnatë…
Qafa e përkulur
dhe gjunjët e mbledhur tërthor,
janë një përqafim larg.
Merr frymë thellë… sikur një puthje
t’i jetë mbërthyer mes brinjëve.
Ndërsa këmishë e natës, në kremastar,
qëndron e varur
dhe pa frymë.
Motrat
Largohen secila në fatin e vet
e me vete mbartin pafund, fate të vogla,
të mëdha.
Flokët qëndisur me gishtërinj,
që provuan t’u përkëdhelin ëndrrat
e shkëmbyera mes tyre,
siç teshat e trupit, kur
ngushtë u rrinin gjinjve.
Dhe sytë me lule bajame,
në ajthin e haresë.
Kur udhëve bashkohen sërish,
në portën nga dolën vello-bardhë,
struken në shtratin, ku dikur flinin prindërit,
me kokën mbështetur te njëra-tjetra.
Dhe ashtu të hatashme
…gjumi i merr.
Vajzë
Njolla gjaku mbi një cule,
në shtratin e vjetër.
Fustan i ngritur,
i pashkopsitur
…sandale shkelur.
Duar pas belit shtrënguar,
dera e dhomës gjysmë e hapur,
gërvishtja e brumbullit në trarët e kalbur.
Dhe ende pas kaq kohësh,
dëgjohet rënkimi i drurit.







Comments are closed.