Gjërat që i marrim për të mirëqena
Dashurinë e zotit, familjes, partnerit
Një gotë me një mik gjatë kampionatit botëror
Bukën e përditshme
Çatinë mbi krye
Mirësinë e një thuajse të panjohuri
Fuqinë për të ëndërruar e zgjedhur
Të thuash “po” dhe për të thënë “jo”
Përgjakjen për liri
Shenjtërinë e fëmijërisë
Mëkatet e bukura të rinisë
Një “të dua” e thënë si fryt i këputur nga juga
Ethet, pagjumësia e një lutjeje
Një puthje në vragë
Urtësia e tmerrshme e një rrënje në qiell
Shirat e nëntorit dhe…
Një ditë nuk do t’i kemi më
Shihemi në Valhalla, posi.
Anti-poezi
Përkundër,
e thënë qysh në krye të herës:
Ndërmjet Pemës së Jetës dhe kureshtjes artistike,
shtrihet një magjistricë me krye njeriu dhe sy ngjyrë gjumi.
Tash,
tek avitet, përfytyrojeni
dhe poezinë më të bukur këndon.
Lyudmilla Ignatenko, Çernobil
Im shoq ka gëlltitur ferr,
im shoq ferrin ka gëlltitur.
Dua ta përqafoj për të mbramen herë,
por, medet, një tjetër ferr na ndan:
i paanë, si lavdia e tij, rrnoftë Bashkimi Sovjetik!
Im shoq ka gëlltitur ferr,
unë kam gëlltitur tim shoq:
shtatzënë̈, veç gjaku e Hyu
e dinë që jam.
Pripiati pllakos mbi qiell,
ashtu si terri në shi.
Çajniku vlon e vlon.
Ende…
Ferri zgjohet.
∗∗∗
Kahmos shoh njerëz të përvuajtur,
nëpër rrugë, stacione, spitale… gjithkah.
Dua t’i përqafoj, t’ua puth duart me kallo,
pse jo, t’ua mbaj vetë thesin me halle.
Mirëpo mëdyshem; ndrydhem.
Kam frikë mos më injorojnë a më marrin për të çmendur.
Kështu dhembshuria ime merr trajtë hipokrite:
Vë syzet e errëta dhe qaj. Qaj!
Aq sa edhe zëri përligjës i ndërgjegjes ungjillore,
më vjen si fishkëllimë nga fundi i pusit.
Metafizika e një gjelle
Tani që nëna po kavërdis ca kraklla mishi
dhe fqinji po e poshtëron të bijën në dialekt,
një brerje e thiktë ndërgjegjeje më sikteris;
(Diçka mes lemzës
dhe çapit kur shket huq ndër fille ëndrrash)
Por trazimi nuk zgjat më shumë se herët e tjera.
Kësisoj unë kthehem në trupin tim,
në realitetin fizik,
dhe hedh sytë tek libri i hapur që mbaj në duar,
ku, si gjithmonë,
po me atë gabueshmëri të përpiktë hutimi,
më duhet të rilexoj një apo dy paragrafë.
∗∗∗
Ngrihu, ngrihu dhe lartësohu në qiejt më të epërm
a pastrohu në ujërat më të thella, ti e di!
Veç largohu sa më parë atje ku
lajkat e mira, buzëqeshjet e shtira frymën s’ta ndrydhin,
atje ku koha nuk ia ngul dot gozhdët fatit,
atje ku është i harruar emri njeri
e ku pakuptuar shkëmben shqisat me hyun tënd,
me qumështin e athët të akacjeve ndër buzë,
si fëmijë i trallisur të rendësh zbathur në zabelin e pafund.
Të shkundësh çdo pemë me fruta që rrugën ta pret
dhe duart t’i kesh gjithë rrëshirë̈ e pickime bletësh,
të puthësh çdo imazh tek ëmbël zhduket,
ta tradhtosh atë me çastin që pason.
Të qeshësh me syrin Nil, të flasësh me heshtje yjesh,
a të ndjesh mall për mrekullitë që do të ndodhin,
ti e di, mjaft që të lartësohesh; ashtu siç ta lyp shpirti.
Në t’sëmës
Në djall vaftë kjo heshtje, që palcën po ma gërryen;
Në djall edhe ti Venerë, që me hiret e tua më çmend;
Në djall pulëbardha e Anakreontit;
Në djall edhe Nositi yt Lasgush;
Në djall faturinot e urbaneve;
Në djall edhe qenushi yt i dashur;
Në djall filozofët e Portikës;
Në djall edhe Ganimedët e politikës;
Në djall kuçka e flijuar e Agamemnonit;
Në djall edhe rrufetë e tua Zeus;
Në djall gjithë kameleonët e gazetarisë,
Bashkë me ta edhe papagajtë e dashurisë…
Në djall krejt vemjet e kësaj bote;
E di çfarë? Në djall edhe ti Sizif!
Në djall edhe ju me këtë globalizëm;
Në djall edhe virgjëreshat vegjetariane.
Pse jo?! Në djall klerikët e çdo feje;
Ndërsa ti, o Zoti im, jo! Jo tani!
Në djall demokracitë industriale;
Në djall edhe mbingrohja e planetit;
Në djall vrima e ozonit;
Në djall edhe tabuja e virgjërisë;
Në djall çdo Junë që zemra lëndon,
Në djall edhe ndonjë si unë që i dashuron…
Në djall homoseksualët, bashkë me feministet;
Në djall edhe moralistët dhe kritikët;
Në djall amvisat moderne, që as konservat s’hapin;
Në djall edhe ora e ndarjes nga Itaka…
Në djall Coca-Cola me Deklaratën e Pavarësisë;
Në djall edhe nafta në Lindjen e Mesme;
Në djall ata që të vërtetën nuk e thonë;
Në djall edhe ata që me “thonjëza” shprehen e në thonjëza gjallojnë.
Në djall gjithë virtytet e Argjirosë;
Në djall edhe kanuni i Dukagjinit;
Në djall Borëbardha me shtatë tutorë;
Në djall edhe psikiatriku i metalurgjikut…
Në djall Karta e të Drejtave e Lirive të Njeriut
Në djall edhe krushqitë e lidhura qysh në djep;
Në djall gjithë inteligjencat ushtarake;
Në djall edhe normat, pra, veset e shoqërisë…
Në djall edhe ti, o djall, që si muzë e panjohur,
në shpirtin tim shpretkën tënde mbjell
dhe mllef e vrer si sukses prej aty korr!









