Press "Enter" to skip to content

Magjia e frymëmarrjes

Mbrëmë

Mbrëmë rilexova
Ciklin tënd poetik
Vjeshtën e braktisur
Gjethet e këputura…

U mahnita
U deha
Qava

Pastaj
Shkova në dhomën e letrave
Dhe
Pa dhembje
Pa dhembje grisa
Të gjitha
Dorëshkrimet e mia…

Mos ik

Shumë të madhe e ke zemrën
Nuk ka helm, virus a murtajë që të mund ty

Shfaqu edhe një herë i madh, i pazmbrapsur
Trego sa të madhe e ke dashurinë

Ji sy lumturie
Mbi re të bardha qielli

Në anën tënde është drita
Mos u lëkund, mos u fik

Mos thuaj se është vonë
Se s’është vonë të fluturosh mbi zjarrin e trishtë

Mos ik, mos ik, mos ik…

Fundi i vjeshtës

Fundi i kësaj vjeshte më gjeti
Eskil thellë në greminën tënde

Ti më josh duke m’u shfaqur
Herë nga një cep e herë nga cepi tjetër
Me hije gjysmë të errët të një Hyjneshe

Po deshe të më shpëtosh moj e shpirtëzuar
Zbrit kësaj thellësie mistike
Aty do i gjesh edhe copëzat e këngëve
Që i shkrova për ty

Po nuk erdhe do tretem kësaj gremine
Kot s’do thonë shtojzovallet
Iku herët ky poet i vogël
Iku pa u ngopur kurrë me ty…

Zgjuar

Zgjuar jam edhe në fundin e kësaj vjeshte
Ditën e kaloj mbi pemët e tua të pjekura
Nata më ikën duke shkruar balada për ty
Dhe drita më zbardh pa vënë gjumë në sy

Magjia e frymëmarrjes

Kur na ndalet fryma
E marrim me mend
Magjinë e frymëmarrjes

Të rrahurat e zemrës
Fillojmë t‘i matim
Me orën e madhe të vënë dikur moti
Në katedralen e kaltër të gruas

Ballë atij sheshi të vjetër të Cyrihut
Përulemi për dashurinë
Lutemi (mos) të na ndalet fryma

Vjershë vashës në vjeshtë

Unë vazhdoj të besoj verbërisht në vjeshtën tënde të praruar
Mbuluar me gjethet e mia të vyshkura
Edhe më verbërisht besoj se shpirti yt veç kurmit tim merr frymë
E zemrën time të trishtë e mban në jetë

Më fal mike se ndoshta s’ta mbusha mendjen kurrë
Por s’të kam lëshuar edhe kur mbërtheheshe prej shkurreve të nëntokës
Edhe kur të mbyllnin horizonteve të kështjellës së krisur
Se gjallë prej teje s’mund të hiqja dorë

Të lëshoja dorën s’guxoja kurrë
Se marramendthi më hidhte përdhe
Tani mos më vrit me shkëlqimin tënd magjik
Se s’është vonë në mua besim të kesh

Kthemi sytë shikomë në sy
Mes shushurimave të përflakura hapi qepallat e fjetura
Në shenjë të dashurisë piqe mollën tonë të kuqe

A do ta shkruaj poezinë për ty

Po druaj shumë
Se nga dashuria e madhe
Nuk po di të të dua

Nga dashuria e madhe
S’po di as ta shkruaj
Poezinë për ty

Po druaj shumë se as ti
S’po e merr vesh mirë
Këtë dashuri të përjetshme

Edhe nëse ndonjëherë e shkruaj poezinë për ty
Po druaj shumë se ti do të thuash:
“Kjo nuk është poezia jote për mua”

Po druaj shumë se kurrë s’do të mundem
Ta shkruaj poezinë për ty
Dhe nëse vdes
Sytë çelë do më mbesin

Dallëndyshja që iku

Mbi degët e lagura të qershisë
Folenë e le bosh
Pa një fluturim për mua

Ky nuk është fundi i stinës
Pse ike me kaq fërfëllimë
Frikshëm dhe pa zë

Dallëndyshe
Qielli i zymtë mbeti
Po s’u ktheve
Diell s’nxeh këtu më

Po e takuat dallëndyshen time
Mos e trembni mos e trishtoni
Duke ngritur fole jeta i shkoi
Dhe jeta i shkoi pa fole
Si mua pa atdhe

Puthje

Vite
Që lëngoja
Në shtratin e vetmisë
Papritmas
Ti erdhe
E butë si drenushë
Më puthe
Ndjeva se po ma ktheje
Shpirtin
Kur hapa sytë
Ti ishe nisur
Në ikje
Vetëm copëza dritash
Pashë të vinin
Si vetëtima pas teje

Autori
Bujar Salihu