Press "Enter" to skip to content

Të vodhën, nëna ime

Të vodhën nëna ime.
Në shtëpi të hynë, petkun
tënd prej deti e ndanë,
si hajdutet e mesnatës mbrapa stacionit.
Floritë dhe bizhutë
prej qafe t’i tërhoqēn, mbi lëkurën
tënde të bukur, nënë.
Të tmerrshme tatuazhe shkruan
me emrat e tyre plot ligje zyrash.
Të vodhën nëna ime.
Ta shqyen diademën
që edhe në terr rrëzëllinte, hajdutët
me kollare. Ta vodhën edhe lirinë.
Shqyer nëna ime, për turp të dynjasë. Nuk e di.
Për besë nuk e di. Nuk di ç’të them.
Turpin me bukë e hanë fëmijët e tu të gjorë,
që bredhin shesheve plot reklama
dhe drita vezulluese; fajtorin kërkojnë.
A ish a s’ish gjithçka e rreme.
Një lojë e tmerrshme fjalësh
Në trupin tënd plot plagë.
Nëna ime dhjetëmijë vjeçare.
Pranë ujit shtrirë, pa faj.

Autori
Artur Spanjolli

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *