Brenda gurëve
Por, nuk kreva vetëvrasje.
A keni parë ndonjë bredh të bjerë vetë,
mbi dhëmbët e sharrës?
Vendi ynë është këtu,
brenda këtij pylli,
me degë të prera, trungje gjysmë të djegura,
me rrënjët të ngulitura brenda gurëve.
Ana
(Vargje të shkëputura)
Gjithë kohës flas për vija, nivele dhe gurë,
që të mos vëresh,
sa ngurroj të të prek,
si i dënuari, që qëndron në mes të natës
dhe shtrëngohet të fusë fletë-lirimin në xhep,
pasi e di që kaq dritë s’mund ta durojë.
Mbaja gjithnjë një shishe të vogël,
që ta hidhja në det.
Gjerësia veriore – ndryshonte çdo ditë.
Meridiani – ndryshonte çdo natë.
Koordinata – prangat e mia.
Nuk e hodha kurrë.
Ti ekzistoje gjithnjë.
Aq kohë sa ekziston,
udhëtoj.
Do të gjej.
Atje ku ti shkel,
bien gjethe të gjelbra.
Përktheu nga origjinali: Eleana Zhako
Aris Aleksandru konsiderohet një ndër shkrimtarët më të rëndësishëm bashkëkohorë grekë. Lindi në vitin 1922 në Leningrad (Shën Petërsburg) në Rusi dhe ishte biri i një greku nga Trapezunda (Turqia e sotme) dhe i një ruseje me origjinë estoneze. Emri i tij i vërtetë është Aristotelis Vasiliadis. Vdiq në Paris në vitin 1978, në moshën 56-vjeçare, duke lënë pas një krijimtari të pasur poetike, romanin brilant “Arka” dhe një mori përkthimesh nga letërsia ruse e franceze. Aleksandru ishte aktivist i njohur i së Majtës dhe nga viti 1948 deri më 1958-n u burgos dhe u torturua për bindjet e tij. Pas vendosjes së diktaturës së kolonelëve në Greqi dhe largimit të tij si refugjat politik në Francë, do deklarojë më pas që i përkiste Partisë inekzistente të Poetëve.










Be First to Comment