Në jetën e përditshme themi shpesh për raportet tona me njerëzit: “Me filanin kuptohem shumë mirë”, por mund të themi edhe “Me fistanin nuk kuptohem fare”. Unë do të bëja të njëjtin krahasim, jo më si problem të së përditshmes, por në një shkallë më të epërme: si problem mes shkrimtarëve dhe lexuesve. Më ka ndodhur shpesh të mendoj: “këtë shkrimtar e kuptoj shumë mirë”, dhe “këtë tjetrin kam vështirësi për ta kuptuar.” Por ndodh që vetëdija ime e përjetimit artistik të bëjë edhe kompromise me veprat e lexuara, të tipit: Këtë vepër e miratoj plotësisht. Pra, parë nën këtë vështrim, ta kuptosh një vepër letrare, nuk do të thotë gjithmonë ta miratosh atë.
Mund të ndodhë ta kuptosh dhe ta miratosh. Por, mund të ndodhë ta kuptosh, ose ta miratosh.
A mund të njihet çdo gjë në një vepër letrare prej lexuesit, ashtu siç njihet prej krijuesit të saj? Të kuptuarit e veprës është një akt i depërtimit intelektual shpirtëror dhe ndjesor, që mund të sjellë në raporte të njëjta, si të miratuarin, edhe të mosmiratuarin. Kushti i mundësisë së të kuptuarit intelektual, sipas Dilthey-it, është hamendësia e përgjithshme, se të gjitha situatat jetësore njerëzore janë të kuptueshme. Ndërsa për të përcaktuar më saktësisht këndvështrimin intelektual të një vepre letrare, duhet të këtë një ndarje shumë të saktë mes ndjeshmërisë në kuptimin e përgjithshëm dhe në atë teorik.
Nisur nga kjo, shpesh ndodh që lexuesi ta kuptojë një situatë jetësore të veprës, më mirë se vetë krijuesi i saj. Këtu luajnë padyshim një rol shumë përcaktues ndjeshmëria, simpatia dhe antipatia. Ndjeshmëria është më e rëndësishmja, pra gjëndja emocionale, në një situatë të caktuar e një personi, para së gjithash ndienjat dhe gjëndja shpirtërore. Nëse ndjenja e frikës dhe gjëndja e tensionit që shoqëron lexuesin janë pjesë e momentit të jetës së tij, në kohën kur kontakton me të njëjtën situatë letrare, atëherë ndodh, që përjetimi i kësaj situate letrare vjen në një formë dhe intensitet krejt të veçantë. Me këtë nuk kam parasysh eksperiencat e frikës në përgjithësi, por të një situate konkrete frike, tek një person konkret, që përkon me të njëjtën situatë, që i serviret atij në mënyrë letrare.
Para ca kohësh lexova një roman që më dhuruan, të shkruar 10 vjet më parë, dhe pashë ngjashmërie të habitshme mes botës sime dhe personazhit, aq sa besoja se situatat dhe rrethanat jetësore të tij (personazhit) në atë kohë, ishin të miat në këtë kohë. Në një bisedë me shkrimtarin e veprës m’u tha se e njihja shumë mirë atë tekst, madje më mirë se vetë ai. Më vonë, pashë se e kisha atë libër, madje dhe e kisha lexuar, por ndoshta nuk ishin të pranishme në atë kohë, as përqasja me ndjeshmërinë dhe gjëndjen shpirtërore të personazhit e as simpatia dhe predispozita për të lexuar mbi bazën e të kuptuarit miqësor, të cilën do mundohem ta shpjegoj më poshtë. Vepra atëherë, ose “nuk është kuptuar” prej meje, ose nuk është miratuar, ndaj edhe nuk kishte lënë gjurmë. Edhe pse në dukje paradoksale, por këtë besoj të gjithë e kemi përjetuar, kur në tekste letrare të veçanta, krijojmë lidhje të tilla me përmbajtjen, që e tejkalojnë ndoshta vetë lidhjen e krijuesit me tekstin e nxjerrë prej duarve të tij. Kjo ndodh kur ndjenjat “e huaja” shfaqen në formën e ndjenjave tona. Të ndjerit e veprës është i drejtpërdrejtë, ndërkohë që të kuptuarit është më i distancuar dhe kërkon patjetër ndihmën e intelektit. Në rastin e sapo shpjeguar ndjeshmëria e kapërxen të kuptuarin, prandaj edhe mund të thuhet në këtë rast, se lexuesi e kupton situatën më mirë dhe se vetë shkrimtari.
Otto Friedrich Bollnov (1903 – 1991) filozof dhe pedagog i shquar, publikues i veprave të rëndësishme si: “Udhëtim në filozofinë e Dilthey-it”, “Natyra e gjendjes shpirtërore”, “Filozofia e jetës” etj, shpjegon po në mënyrë filozofike pyetjen që ngre në artikullin: “Ç’do të thotë, që një shkrimtar ta kuptosh më mirë se ç’kupton ai veten?”. “Megjithëse duket si një mendjelehtësi shumë e guximshme”, thotë autori i artikullit, “përsëri nisur nga rezultate konkrete të interpretimit të tekstit jemi të detyruar ti japim kuptim pohues shprehjes së më sipërme.” Kjo ndodh kur vepra ka si tipar të saj konçizitetin dhe ky është kushti për plotkuptueshmërinë e saj. Pasi vetëm kështu mund të ndodhë, që hipotezave të realitetit tënd jetësor t’u përgjigjesh mes shembujve të sjellë në mënyrë sintetike nga shkrimtari, pastaj përmes perceptimeve ndjesore, të vullnetshme dhe pasurisë së të menduarit, ti plotësosh, pra ti plotkuptosh ato.
Por gjithashtu nga përvoja mund të themi, se e kuptojmë më mirë një njeri, kur ndaj tij pozicionohemi pozitivisht, pra kur kemi simpati dhe e përkrahim, sesa një tjetër me të cilin kemi marrdhënie negative. Simpatia dhe dashuria e lehtësojnë proçesin e të kuptuarit, ndërkohë që urrejtja dhe armiqësia e vështirësojnë, në mos e bëjnë të pamundur atë. Kjo nuk do të thotë se mund të mos jemi në gjëndje të kuptojmë dhe „armiqtë“ tanë. Ka një ndryshim mes të kuptuarit me tendencë miqësore, dhe të kuptuarit me tendencë armiqësore.
Otto Friedrich Bollnov e përshkruan në këtë mënyrë: “Të kuptuarit armiqësor e sheh shpirtin e palës tjetër domosdoshmërisht nga jashtë, ndërsa të kuptuarit miqësor fiton mundësinë të identifikohet së brendshmi me palën tjetër. Kjo sjell edhe lidhjen e ndjeshmërisë vetëm me të kuptuarin miqësor, ndërkohë që të kuptuarit mbi bazë armiqësore e përjashton ndjeshmërinë. Përhapja e këtij pozicionimi të njëjtë të të kuptuarit dhe identifikimit mbi bazë ndjeshmërie, tregon se vetëm ana e jashtme e këtij raporti merret në konsideratë, ndërsa ana e brëndshme e tij lihet jashtë vëmendjes.”
Kjo është e dukshme sot me disa kritikë ose dhe shkrimtarë, që dikur kanë bërë be për veprat e Kadaresë, kanë folur e stërfolur tavolinave për mesazhet e tyre kombëtare e letrare, ndërsa sot kanë tjetërsuar qëndrimin për arsye nga më të ndryshmet, që nuk janë qëllim i këtij shkrimi. Disa prej tyre vazhdojnë ta plotkuptojnë, madje ndoshta më mirë se ai veten, disa ia nënshtrojnë veprën e tij të kuptuarit armiqësor, dhe disa të tjerë, thjesht e vështrojnë në mënyrë kritike. Të kuptuarit armiqësor është forma më ekstreme e të kuptuarit, që hap rrugën për të kuptuarin kritik. Besoj kjo ishte arsyeja që hapi edhe udhën për t’u parë në mënyrë kritike vepra gati e padiskutueshme e Kadaresë. Po ashtu siç ishte të kuptuarit miqësor, që hapi udhën e leximit të disa shkrimtarëve të konsideruar tabu në kohën e realizmit socialist.
Të kuptosh në mënyrë kritike një vepër, do të thotë të distancohesh prej saj. Dhe është mbajtja e distancës, që sjell të kuptuarit e veprës sipas disa kritereve të paracaktuara, dhe pastaj përpjekjen për të gjykuar veprën mbi bazën e tyre. “Kritika, si arti i të gjykuarit ndan të vërtetën nga e gabuara, të bukurën nga e shëmtuara, të drejtën nga e padrejta, autentiken nga kopja.”, thotë historiani dhe themeluesi i teorisë së termave, Reinhart Kosellek në veprën e tij “Kritika dhe kriza”. Mungesa e kritikës serioze sot, bën që në letërsinë shqiptare, kundërshtitë e mësipërme, pra e drejta dhe e padrejta, e bukura dhe e shëmtuara, autentikja dhe kopja etj., të jetojnë përkrah njëra-tjetrës dhe lexuesve duke e dëmtuar letërsinë. Por edhe ky nuk është qëllimi i këtij shkrimi, ndaj po kthehem edhe njëherë tek problemi i të kuptuarit kritik dhe lidhjen e tij me paraqitjen e objektivizimit të shpirtit përmes gjuhës së shkruar.
Teksti letrar, që vjen në formën e përmbledhur gjuhësore, gjykohet prej nesh në bazë të kriterit të “plotkuptueshmërisë së tij”(Bollnov). Në bazën e këtij kriteri, shihet se si ajo që autori don të thotë, pra “e preferuara”, materializohet dhe vjen në formën “e realizuar”. Mundësia e përputhjes së tyre sjell “veprën më të mirë të mundshme” ose “veprën ideale”. Vetë shkrimtari, mes veprës së tij sjell mbajtjen parasysh të kritereve logjike, estetike, konjitive dhe të llojeve të tjera. Pretendimit të shkrimtarit për mishërimin dhe arritjen e këtyre kritereve i përgjigjet interpreti, duke u përpjekur të bëjë krahasime mbi bazën e distancës që mban si ndaj veprës, ashtu dhe shkrimtarit.
Në këtë kontekst, lexuesi don ta kuptojë shkrimtarin, “më mirë” se ai vetveten, pasi lexuesi e ka mundësinë të vërejë lënien mënjanë ose jo, të kritereve që përcaktojnë plotkuptueshmërinë e veprës letrare. Po ta kishte këtë mundësi shkrimtari, nuk do ti kishte lënë ato mbas dore. Pra lexuesi sheh “më shumë” se sa do të mund të kishte parë shkrimtari. “Të kuptosh më mirë” simbas studiuesve të Hermeneutikës, është qëllimi më i fundmë i kritikës imanente, si formë e të kuptuarit kritik. Nëse vetë vepra ka lënë të hapur një hapsirë loje për lexuesin, nuk transkripton një realitet tejet të plotësuar, atëherë mendimet e asociuara të lexuesit, lëvizin në kahjen e plotësimit të tyre. Arsyeja e këtij vakumi nuk qëndron gjithmonë tek paaftësia e shkrimtarit për ta mbushur atë, por shpesh qëndron tek vetë paplotshmëria e situatës që trajtohet në një kontekst të caktuar kohor. Kjo mendoj se duhet të jetë edhe arsyeja, që disa shkrimtarë kuptohen më mirë sot, sesa në kohën kur kanë shkruar. E kështu do të kuptohen ndoshta më mirë nesër disa të tjerë që shkruajnë sot.
Kjo nuk vë në diskutim faktin, se të kuptuarit ka lidhje me individët konkretë, në situata jetësore të përcaktuara. Kur i tregova një mikut tim shkrimtar para disa kohësh, diçka që kisha shkruar, më tha, se nuk është e thënë të jesh shkrimtar shumë i mirë, mund të jesh lexues shumë i mirë. Doja të thoja, se nuk jam ndjerë aspak e fyer. Është karakteri krijues, që banon në brendësi të të kuptuarit të çdo individi, i cili i bën ata të kuptojnë edhe atë çka nuk është thënë. Ose të kuptojnë më mirë atë që është thënë.
Pra, do të këtë shkrimtar shumë të mirë, se ka lexues shumë të mirë.

Ana Kove
Anna Kove është një poete dhe përkthyese e njohur. U diplomua në vitin 2001 në Institutin Goethe në Gjermani, me diplomën "Gjermanisht si gjuhë e huaj në teori dhe praktikë". Vazhdoi studimet e masterit në Universitetin Evropian të Viadrina në Gjermani (2002–2004) në "Media dhe Komunikim Ndërkulturor". Gjithashtu u diplomua në "Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe" në Universitetin e Tiranës (1986-1990).
Anna Kove është autore e “Shën Valentin ku ishe”, “Djegë Ujërash”, “Nimfa e pemës së humbur”, dhe “Kambanat e së dielës”. Është shpërblyer me shumë çmime në ndryshme konkurse në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi. Ajo është një ndër autorët më të dalluar bashkëkohorë në Shqipëri, duke tërhequr vëmendjen e kritikëve, hulumtuesve dhe gazetarëve, të cilët kanë shkruar vazhdimisht për veprat e saj.
Kontributi i saj në përkthime është edhe më i gjerë.







Be First to Comment