Te “Mitologjitë”, Roland Barthes, kur përpiqet të përkufizojë se çfarë është miti, e sintetizon atë në një fjali shumë të thjeshtë në dukje: “Miti është një thënie”. Po çfarë është një thënie? Është shpesh një fjalë, një e folur nga dikush, disa fjalë dhe germa, që mbartin ose rrugës iu vishet një kuptim. Fjalë që përfaqësojnë një imazh, që japin një ide. Thënie që konvencionalist diç shprehin. Pra, miti është edhe një tekst. Një tekst i shkruar apo i folur, por sidomos i folur. Më tej, Bathes shton se miti ripërsëritet, duke na bërë të kuptojmë që miti është thënie bash kur përsëritet, kur thuhet e rithuhet.
Ndërkaq, në realitetin tonë postmodern, thëniet që thuhen e rithuhen, dhe që në mënyrë të pashmangshme dëgjohen e ridëgjohen, janë tekstet e këngëve. Janë tekstet e këngëve të një zhanri muzikor të papërcaktueshëm, por gjithnjë nën gjurmët e gjuhëve dhe rrymave të huaja. Sigurisht, çështja e gjuhëve të huaja kërkon një trajtim të veçantë. Le të marrim një pjesë nga teksti i një kënge, që për gati një muaj është klikuar mbi 20 milionë herë në platformën youtube (një mit tipik).
E shoh krejt panorama ama, ama amakejt panorama
E shoh krejt panorama ama, ama amakejt panorama
Dy vargjet e mësipërme janë refereni i këngës me titullin shumë relativ “Panorma”. Themi relativ sepse panorama në analizën Sosyrjane në mendje sjell një panoramë të varur në mur e mandej një foto të shprehur në (smartfon) panorama dhe nëse mendohemi edhe më tej, në mend na vjen një majë mali me një horizont në dukje të pafundmë. Pra, duke na sjellë parasysh skemën tradiconale të shenjës (shenjë, shënjues dhe i shënjuar). Por le të analizojmë tekstin e mësipërm, në një mënyrë krejt të kuptueshme dhe duke renditur tiparet mbizotëruese:
- Paplotshmëria. Në tekstin e mësipërm fjalia nuk është e plotë, madje edhe sintagma është e mangët. Autori tregon që diç sheh dhe e sheh të plotë, të shtrirë horizontal në panorama (landscape), por se çka është as ai vetë nuk e përcakton. Në një kënvështrim bartjan, paplotshmëria është element i rëndësishëm në mit, sidomos në zhvillimin e tij.
- Përsëritja. Refreni në vetevete është fundekrye përsëritje. Dhe për këtë arsye konsiderohet si gjëja më e rëndësishme kuptimore në tekst, ngaqë, a nuk duhen përsëritur gjërat e rëndësishme? Përsëritja ndodh në disa nivele: a) refreni përsëritet nga dy këngëtarët (mashkull dhe femër); b) të dy vargjet e refrenit janë identik; c) fjala “krejt” dhe “panorama” përmenden dy herë brenda një vargu; d) fundorja e “panorama” përmenden disa herë (ama, ama, ama). Një thënie me përsëritje të katërfishuar e ka të pamundur të mos jetë mit. Në këtë mënyrë lind ajo që Juri Llotman e quan shpërthim.
3. Thjeshtësia (ose po deshtët: plogështia). Teksti i mësipërm është krejt i thjeshtë, duke rrokur veç një logjikë të dobët (ose palogjikë), siç thotë edhe titulli (panorma), një logjikë veç horizontale. Pra nuk i hyn në punë një logjikë vertikale. Teksti vetëm lyp një ambient kërcimi që të tundesh e shkundesh, thënë ndryshe lyp që të mos mendosh as në të (tekstin), as nëkontekstin ku gjendesh, por sidomos të mos mendosh në të. Në këtë rast thjeshtësia nuk është e bukur, por e zbrazët, dhe më keq e plogësht.
Ndërsa jashtë refrenit kënga na paraqet me disa aftësi të tjera të këngëtarëve, veç faktit që munden me pa’ në versionin panorama, ata dinë t’i ikin policisë, dinë t’i ikin njëri-tjetrit dhe ta tradhtojnë njëri-tjetrin. Herë pas here, disa fjalë të huaja hyjnë si pykë mes një dialekti të shpikur vitet e fundit nga tekstshkruesit kosovarë të këngëve. E gjitha kjo skenë ndodh në jahte, mes detit dhe me një shishe shampanje (ndoshta bosh, kushedi!) që mbahet në dorë para kamerës.
Le të marrim edhe një refren tjetër sa për të ilustruar këtë tipilogji këngësh:
Se f’tyrën e ki t’bardh si ko… si ko… si kokaina
Se f’tyrën e ki t’bardh si ko… si ko… si kokaina
Se shpirtin ma ke marrë si ko… si ko… si kokaina
Se shpirtin ma ke marrë si ko… si ko… si kokaina
Edhe në këtë tekst tiparet mbizotëruese janë paplotëshmëria, përsëritja dhe thjeshtësia. Anipse është bërë një përpjekje për të bërë një krahasim mes kokainës dhe fytyrës së të dashurës, krahasimi bie, ngaqë koncencionalish fytyra e një femre mund të krahasohet me gjësende shumë më fisnike, të tjera të bardha.
Mund të sillen pafund shembuj të tjerë, tekste të ngjashme me peshë të përafërt kuptimore, me të njëjtin ligjërim, por tash nuk është më e nevojshme. Në modelin e analizës së Sosyrit, shenja është e barabartë me shënjuesin dhe të shënjuarin.
Shenja (diçka që mbart një kuptim: këngë), është e barabartë me shënjuesin (gjëra që sjellin imazhe: tekst + melodi), pjesëtuar me të shënjuarin (konceptin që lind në mendje: videoklip). Kjo skemë klasike paraqet se si janë marrëdhëniet semiologjike të fjalës dhe të konceptit këngë në ditët tona. Pra, prej kohësh asaj i është shtuar dimension vizual: videoklipi. Pa këtë të fundit, kënga ose nuk ecën, ose shihet si e mangët. Megjithatë, kjo skemë, vitet e fundit është pasuruar edhe më shumë.
Shenja: kënga është e barabartë me shënjuesin: tekst + melodi (superioritet), pjestuar me të shënjuarin: videoklip (luks).
Po të krahasojmë skemat e mësipërme, shohim që teksti lipset të demonstrojë superioritet kundrejt botës, kundrejt kolegëve këngëtarë (këtu rastet janë të shumta) dhe kundrejt fansave që i ndjekin. Superioriteti logjikisht dhe semiologjikisht të avit në mendje dhunën, paranë, drogën, krimin, pushtetin etj. Tekstet që lidhen me dashurinë e ndarë pastërtisht nga seksi janë gjithnjë e më pak, zor të gjindshme, tekste për anëtarë familjeje askund, tekste me tematika sociale jo e jo, duke e lënë terrenin e lirë për elementët e sipërpërmendura. Nga ana tjetër, i shënjuari mbetet videoklipi. Kështu, videoklipi (spoti – thonë kosovarët) si një dimension shumë i rëndësishëm i këngës si koncept i ridimensionuar, duhet të demonstrojë atë çka sugjeron teksti: superioritetin. Ky lloj superioritet nuk arrihet ndryshe veçse me luks: makina të shtrenjta, pije, plazhe, pishina, vila, etj.
Theodor Adorno, që në vitet ’60, te Industria e Kulturës si Iluminim Masiv, i bën një analizë të thellë industrisë së kulturës. Ideja më e madhe e tij ishte që kjo lloj industrie nëpërmjet të ashtuquarit art po shërben për të përçuar ideologji te masat. Më tej, Adorno thotë që të gjitha prodhimet e kësaj industrie, edhe pse na paraqiten si të ndryshme, praktikisht janë vetëm fragmente të së njëjtës gjë. Në këtë këndvështrim, edhe këto lloje këngësh na paraqesin një ideologji të pastër për një mënyrë ndryshe jetese, të gjitha në dukje ndryshe nga njëra-tjetra, por në thelb si e njëjta gjë: jetesë ndryshe nga ajo realja.
*Një koncept që u zhvillua nga Ziauddin Sardar në kontekstin e shkencës post-normale. Sipas tij, e tashmja është një “kohë postnormale”, njëfarë periudhe e ndërmjetme, ku idetë e vjetra po vdesin, ndërsa të rejat ende nuk kanë lindur ose kanë lindur, por nuk kanë kuptim për shumë njerëz. Në këtë gjendje, sipas Sardar, shumë pak gjëra duket se kanë kuptim.






