Press "Enter" to skip to content

Adolfo Bioy Casares (1914-1999): Letra mbi Emilian

 

 

 

 

Këmbënguli:
– Dua ta di tani. Mos më kërko që të pres. Unë kurrë nuk pres. Urrej dyshimin.
Kurioziteti ia shkëlqente fytyrën dhe ia errësonte inteligjencën. Emilia ishte mrekullisht e re.
– Epo mirë: po mendoja se duhet të merremi vesh për sa do t’ju paguaj.
Sikur të më thoshte: “Prisja diçka më interesante se sa kjo hiçgjë”, thirri:
-Ah.
Atë pasdite pimë mate dhe punuam. Zotëria im Grinberg, a t’ju them dy aksiomat e sjelljes sime? I keni këtu: e para vendoset e para dhe që secili ta njohë. Nëse nuk pikturoj Emilian, ndoshta nuk pikturoj më asgjë. Unë me Emilian jam i kënaqur; çdo gjë tjetër vjen pas kësaj. Më lejoni që të ngre pak zërin, sikur ju të ishit shurdh, për t’ju bërë të qartë se çdo gjë tjetër përfshin gjithçka tjetër. Natyrisht, gjendja ime me Emilian nuk është aq e qëndrueshme siç unë do ta dëshiroja (as siç ajo do ta pohonte: “Femra kërkon stabilitet”  është një frazë të cilën ajo gjithmonë e përsërit). Ngushëllohem ose përpiqem të ngushëllohem, me mendimin se jeta vetë, e krahasuar me një dritë të ndryshueshme e cila kalon për ne, gjithashtu është e pasigurt. Këto ide më sjellin kujtimin e njerëzve të shtëpisë në krah, kur unë isha fëmijë. Sapo shtrëngonte vera, ata, të ngarkuar me valixhe, të ndjekur nga kamionë të Vijalongës, të ngarkuar me baule, niseshin për në Detin e Argjendtë, për t’u vendosur gjatë stinës së nxehtë, por ju, duke numëruar valixhet, do të mendonit se nuk do të ktheheshin deri kushedi se kur; epo shikoni, megjithëse atëherë koha rridhte me një ngadalësi të habitshme, përpara se ju të mësoheshit me idenë se ishin nisur, i shihnit që ktheheshin me valixhet, me baulet, me Vijalongët. Siç predikon në park një anglez me jakën prej celuloidi dhe kostumin e zi, mbi rërën e lëvizëshme ngritëm një tabernakull.
Jeta ime është e qetë dhe e rregullt. Në mëngjes punoj mbi shënimet e mbrëmjes ose vizatime të kujtesës, derisa vjen Tomasa, shërbyesja. Atëherë, me rrjetën poshtë krahut, vrapoj tek dyqani i bukës, në treg, në market dhe (e besoni ju?) me dëshirë zgjedh gjërat për të blerë, shkëmbej përshëndetje dhe komente me të njohurit, gati do të thosha me miqtë, të cilët i takoj zakonisht, në të njëjtën orë, në të njëjtat vende. Kur kthehem shtëpia është e pastër, Tomasa përgatit drekën, unë vazhdoj të pikturoj. Pas drekës shëtis në park, marr pak diell dhe bisedoj me pensionistët, pamja e të cilëve e ligështon Emilian. Duke hyrë në bisedë, njeriu vlen për atë që thotë, në mënyrë që unë, megjithëse piktor, kaloj mbi prirjen time kur është një mendim i drejtë, ose kur është e dobishme, siç parashtroi dje don Arturo, ai me sy si dy vezë të skuqura syze, që, sipas të dhënave, ka punuar në cilësinë e shkundësit me shkop me ndonjë hamshor të bregut të lumit Plata, duke u nisur nga fakti që deklarohet si i graduar i Pallatit Barolo. “Qymyri në dorën tënde”, më tha don Arturo, “djersin që të të djersijë për të nxjerrë një portret të ngjashëm me personin të cilin pikturon dhe vë kokën në satër se ndërkaq, më e keqja, filania kopjon pikë për pikë veprimet e tua, fjalët, përveç opinioneve: gjë që kurrë nuk do të ndalet. Gruan duhet veç ta shohësh si kopje”.
Në pesë fiks kthehem në shtëpi, të pres Emilian, e cila vjen me vonesë. Puna ime zgjat tre orë (të tjerë kanë më pak). Para nëntës Emilia ikën dhe të ndarë ne përshkojmë një trajektore të gjatë të cilën e parashikoj me frikë dhe që më vonë, shumë herë, e vajtoj: rrotullimi i njëzet e një orëve, në të cilat Emilia përshkon një botë armiqësore. Të gjitha këto i di, sepse ajo është në mënyrë perfekte e sinqertë.
Emilia nuk shkon në shtëpinë e saj, në nëntë, por në klub. Më beso, zoti Grinberg, nuk e di se si një vajzë e re me një gjykim të gjallë dhe delikat toleron ata lloj njerëzish; sepse zemërbutësia ime, duhet të thosha mëshira ime, është e vogël, nuk e shoqëroj në klub dhe vuaj pastaj atë që vuaj. Në këto nivele të raportit tonë, të dyndem në klub më duket virtualisht e pamundur. Pa dyshim, në fillim, vetë Emilia më kërkonte që ta shoqëroja. Unë nuk pranoja, për t’i treguar superioritetin tim. Dihet se nëse tani unë do të shfaqesha një natë nëpër sallonet e klubit do bëhesha aq i urryer sa çdo spiun. Emilia shkon, sepse në ndonjë vend duhet të shkojë, por ju siguroj se nuk ka afrimitet me shokët të cilët takon atje: njerëz pa interes, asnjëri nuk është artist, njerëz të zakonshëm me bollëk. Nuk mund t’i kërkoj që të rrijë në shtëpi, sepse shtëpia e saj e dëshpëron. Cilin nuk do ta dëshpëronte poterja e asaj zënke të pafund mes prindërve; dhe shoqëria e të vëllait, me shpirt tregëtari, dhe e motrës, profesoreshë, e cila nuk i fal askujt shëmtimin dhe ndershmërinë e tij? Kështu pra që nuk mundem, pa provokuar lloj-lloj telashesh, ta mbaj në shtëpi. Emilia më paraljamëron: “Unë nuk dua të jem pre e bishave. Nuk dua të jem në gojën e askujt”. Për sa më përket mua, unë mendoj se ka të drejtë.
Ju do të pyesnit se pse nuk martohem me të. Çdokush i cili e sheh nga jashtë nuk i kupton pavendosmëritë e mia dhe me një logjikë të shpejtë hedh konkluzionin e tij shpërfillës. Martesa me Irenën, me Antonian ose me Violetën nuk do të kishte patur kuptim; kur më në fund erdhi Emilia, unë kisha vendosur të rrija beqar; isha i gatshëm të vuaja, por të mos ndërroja zakonet e mia. Më pas, nga sedra dhe një çështje tjetër, Emilia nuk deshi që të martoheshim.
Për ta kuptuar Emilian duhet njohur ana e karakterit të saj e cila më ka sjellë shumë mërzi. E kam fjalën për kalamallëkun e saj. Kujtoj si fakt për ta ilustruar se në dimrin e kaluar, kur i erdhën nga Tukumani dy nipat, Norma, pesë vjeçe, dhe Roberti, shtatë vjeç, mikja ime vazhdimisht imitonte vogëlushen, imitonte përkëdheljet dhe mënyrën e të folurit të saj. Një pasdite ndërsa pinim mate, më propozoi që të luanim sikur ishim Norma dhe Roberti, duke pirë qumësht. Mos shfryj, zoti Grinberg. Nga dashuria njeriu bën çdo gjë. Kur Emilia fillon të shajë miqtë e saj të klubit, dridhem. Edhe pse nuk e kundërshtoj, këmbëngul, për shembull, se Nogueiri, një individ të cilin nuk e njoh aspak, është më harbuti: e shtrëngoi ndërsa kërcenin; me pretekstin e mungesës së ajrit e nxori në ballkon, ku e puthi, dhe në fund i premtoi se do ta telefononte “për të bërë ndonjë gjë”. Me inat komentova: “Duhet ta kesh provokuar!”.
Hamendja ime e ofendon, por kur më sheh të inatosur dhe të zbehtë mallëngjehet, pyet se mos bënë gabim duke m’i treguar të gjitha. Pas disa ditësh, kur lajmërojnë për një tjetër ballo në klub, i lutem që të mos ndodh një episod tjetër si ai me Nogueirin.
– Nuk duhet të të tregoja këtë – thërret. – Për më tepër pas kaq kohësh! Më duket se atëherë unë kam qenë ndryshe. Nuk të doja si tani. Tani nuk do të mundja të bëjë një gjë të tillë.
Me pafajësinë e saj jo të shtirur, Emilia më pështjellon. Nëse nuk ia vlerësoj dashurinë e cila në atë moment e mposhtë, jam mosmirënjohës; nëse nuk kam besim, jam i pandjeshëm, thyej mirëkuptimin tonë të mrekullueshëm. Këto sjellje aq spontane tek ajo, nuk zbulojnë një brendi të turbullt dhe të egër, por (gjë e cila nuk është e re për mua) një temperament strikt femëror. Përpiqem, pastaj, të harroj vargun vuajtës i cili përfshin Vierin, Sentronin, Pastin (një i vetëquajtur aktor), Ramponin, Gratesin, një peruan, një armen dhe ca të tjerë. Papritur ankthi ka marrë fund. Emilia, për mrekulli, ndryshoi. Nga mesi i vitit e këtej, nuk më sjell më lajme për aventurat fatkeqe të netëve me miqtë që takon në klub. Unë kam qenë më i lumtur. Unë isha mësuar të parashikoja, me zemër të ngrirë, episodet e pashmangshme, të treguara besnikërisht ditën më parë, të cilët arrinin gjithmonë të faleshin, sepse në të vërtetë nuk ishin shumë serioze, as me efekte shqetësuese në mënyrën tonë të të jetuarit, sepse kishin vetëm karakter dobësish të dhimbshme, të urryera nga vetë Emilia, nga rënie të njohura nga konfuzioni i alkoholit ose thjesht një kalamallëk ekstrem, të shkaktuara në mirëbesim. Dhe tani, e kuptoni ju se çdo të thotë të zbulosh menjëherë dhe më pas të vërtetosh se mori fund ankthi i cili më ishte përsëritur shumë herë?
Siç ju thashë, kohët e fundit kam qenë shumë i lumtur. Mbrëmë, jo më tej, unë mendoja se nuk do të mësohesha dot me këtë realitet, që bota dhe Emilia të më trajtonin kaq mirë; sepse më natyrale do të ishte të zbuloja, në fillim, ndonjë të çarë dhe më pas, nëpër të çarën, një të vërtetë të frikshme; e cila ndryshe nga të gjitha eksperiencat e mia të mëparshme, ditë pas dite të përforconte karakterin autentik të fatit tim të pabesueshëm. Nuk mjaftoi vetëm që të merrnin fund tradhëtitë në klub; dëgjova nga buzët e Emilias, fjalët:
– Do të rri këtu, këtë natë, deri vonë. Sido që të bëjmë, ato që flasin nuk do të na heqin çmenduritë që bëjmë dhe ato që nuk flasin nuk do të na kthejnë ato që lëmë pa bërë.
Për të marrë një vendim aq kundër bindjeve të saj të gjithë jetës, duhet të më donte shumë Emilia. Unë mendova se ndërsa një femër e do, një mashkull nuk duhet të ketë zili askënd tjetër.
Po agonte kur e lashë tek porta e shtëpisë së saj. Rrugës, gjatë kthimit, recitova vargje dhe, papritur, me entuziazmin e dikujt i cili zbulon, ose ëndërron se zbulon ndonjë mrekulli, kuptova se në forcën e pllakave, nën këmbët e mia, dhe në dritën joreale që pasqyronte rruga, kishte një simbol të fatit të padukshëm të meshkujve. Jo vetëm që ke Emilian, më tha, me të cilën shton trofetë; gjithashtu je inteligjent. Po, zotëria im Grinberg, unë njoha orët e triumfit.
Ditën tjetër, në telefon, Emilia më shpjegoi se për të “qetësuar inatet” nuk do më vizitonte atë pasdite. Që nga atëherë kombinojmë ditët në të cilat qëndron deri në mëngjes, me ditët e mungesës së plotë.
Me pak gjykim të shëndoshë, nëse unë do t’i përmbahesha fakteve dhe jo të bluaja me mend, duhet të isha i lumtur. Si përfundim, cili është ndryshimi? Sigurisht ka ditë në të cilat nuk e shoh, por ka ditë në të cilat e shoh dymbëdhjetë orë, në vend të tre orëve të mëparshme; në javë, më parë e shihja njëzet e një orë dhe tani, të paktën, tridhjetë e gjashtë orë.
Mund, kështu, të quhem si i shpërblyer mirë, mbi të gjitha kur nuk mendoj se në raportet e dashurisë, nëse një person ndikon mbi tjetrin, normale është që kjo të ndodh që në fillim. Por pas shumë vjetësh, për çfarë djalli do të ndikonte mbi tjetrin? Pse Emilia nuk shkonte më në klub? Përse nuk bën më aventurat e saj të natës? Për mua? I trembur, si i sëmuri i cili në mes të natës pyet se mos ka një sëmundje të pashërueshme, unë pyes veten se mos ka hyrë ndonjë burrë tjetër në jetën e Emilias.

Pages: 1 2 3

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *