Press "Enter" to skip to content

Zoti është Zonjë dhe ka fytyrën tënde…

Lirika e lirisë

e gjerë ishte zemra
kur e madhe ëndrra
dhe dremitjen tënde flija unë
sa i ëmbël zgjimi
hutuar si harrimi
që ty të linte pa gjumë…

mbyllur porta
për trokitjet e vona
xixëllonjat fikur në errësirë
shpirti që më dhe
ngushtuar, nuk më nxë
ndaj dhe më ka lënë të lirë…

e shtrenjtë liria
kur e lirë dashuria
më shpie në të tjera vende
por si re pa qiell
të nesërmen nën diell
lëshoj hijen tënde…

…dhe ngatërroj udhë
në shtigje të njohura
që kam harruar si quheshin
dhe më turbullohen sytë
por vetëm për një ditë
aq sa duhet
dhe jo sa duheshim…

Amore mio, I love you shumë

do t’i harrojmë të gjitha gjuhët, e dashur,
të vjetrat
të vdekurat
të rejat që shpikëm
dhe nuk do të besojmë në asgjë
as në Zot
as te njëri-tjetri
për herë të parë dashuria e të gjithëve
do të jetë e askujt
si dielli…
por hënës së vjedhur nga poetët
sa herë të ketë ftohtë tek unë
vetmia jote do t’i këndojë
me fare pak fjalë
këngën e saj
amore mio, I love you shumë
dhe jehonë e heshtjes
nga të tjera kohë dhe vende
do të më bëjë përsëri të besoj
se në të vërtetë
Zoti është Zonjë
dhe ka fytyrën tënde…

Dashuria është si njerëzit…

…ka jetën e saj të fshehtë…

para se të ikë i bie nuri i vdekjes
bëhet lule për funeralin e vet
dhe lulja nuk është ajo që shohim ne
por ajo çka mbetet
pas largimit të bletës…

Autori
Artan Gjyzel Hasani