***
Kur bien simbolet
ngashërehemi si fëmijët se ra e keqja.
Trupin e bëjmë litarë çeliku
dhe tërheqim me fijet e muskujve të kalit,
që prafullon brenda nesh
durimin, dhimbjen, zemërimin
e kockëzuar e gangrenizuar shpirtit.
Kur dëgjojmë përplasjen përdhe
tingull paqeje na nanuris
e ndërsa ato bien,
me tërkuzën e zhytur pusit të lëndimit ashtnor,
ngremë e tërheqim lart litarëve,
nxjerrim vrerin nga guvat dhe ua hedhim sipri.
A thua se acidi i tyre do t’i fshijë nga kujtesa?!
A thua se rënia e tyre,
do ua kthejë kohën që ua vodhi?!
E dimë që nuk mundet.
Po rënia, përplasja e tyre para këmbëve,
ka një tingull hyjnor,
një melodi shprese dhe jete,
që na bën të fluturojmë drejt lirisë,
na tregon se ia dolëm.
Ndaj, ka kaq shumë fuqi magjike
ai momenti i vogël,
teksa sforcohen të gjithë muskujt,
për të rrëzuar një simbol…
***
Truma zogjsh të hutuara,
si pikëçuditje qiellit habiten nga shiu.
Përpiqen të mbrohen
herë si pikë e herë si presje.
Dialogojnë me retë e errëta
E nuk marrin përgjigje tjetër, pos gjymave të shiut
lëshuar pikiatë mbi dhe.
Truma-truma zogjtë
bëjnë monologun e tyre
në bezen e lagur, bërë llucë
nga pluhuri i baltosur qiellit.
***
Si dhelpër të mbërthen për gryke
hija e ullirit të krasitur.
Degët cung të mbërthejnë për zverku
dhe të thonë, jam këtu…
Vrapo po deshe të zësh diellin,
se pas të ndjek hija jote
e kapërthyer e zgjatur nga rrënjët te dega.
Ulli, a do gjelbërosh edhe pasi të jem mbytur
ujërave e kujeve të vajit tënd që loton!?
***
Një zog pa kokë
kërleshet me qimet pubike
të kohës së tashme.
Sjell prej së shkuarës
mallkimin e mbartur
të burgosjes në kafaz.
Fluturon sipër meje,
dhe nga fundi i pusit të tharë
dëgjoj përplasjen e krahëve
tingull i një tiktaku të vrarë.
Nga kjo hapësirë e ngushtë rrethore,
si grykë, si gropë, si gop,
ndjej pikat e gjakut të tij
që më lagin lëkurën.
Bëhem qull…
Uji nis të rrjedh gjithandej.
Ngadalë më vjen tek gjunjët
tek beli, tek supet
dhe më përmbyt…
Zogu krrokat sipër meje.
Lëshon pendët e fundit
dhe prish magjinë e mallkimit…
***
Rrathët e kafesë ngushtohen drejt llumit
e përngjasin me rrathët e Dantes.
I pimë gllënjkë pas gllënjke
e nuk dimë në cilin rreth sosëm.
Qetësisht a nxitimthi i kapërdijmë,
e na shijojnë a helmojnë pa vramëndje.
Vetëm kur llumi na rrëshket në fyt
kuptojmë që kapëm fundin.
Kështu, hurbë pas hurbe tretet jeta,
e nuk dimë, a mbetëm në ferr
a në purgator, duke ëndërruar parajsën!?
***
Hëna më shfaqi sytë e tu,
me ta më pa sonte gjithë përdëllim,
aq sa ula kokën e u skuqa,
aq paturpësisht më zhvishte me dritë.
Me sytë e tu më puthi sonte,
tek rrëshqiste çarçafëve
vjedhurazi nga dritarja u ngjit,
e më damkosi me vulën e artë.
Me sytë e tu më pa sonte
E në zemër m’i nguli rrezet si thika
E në the të tyre shtillej e pështillej
Syri im që i mbive brenda.
Sy më sy u pamë sonte
E hëna qau kur aq larg na pa.
Ndaj syrin tim tek ty e sosi
E syrin tënd, si heshtë brenda ma la.
Më puth sonte me sy hëne
Të të përqafoj në lot malli,
Se ashtu si hëna me diellin
U ndamë dhe ne për së gjalli!
***
Njerëz që vdesin,
mëshirës së fatit a të madhit zot
nuk merret vesh, në kohën pa kokë pa këmbë.
Epitafe të njëjta me pikë e presje.
Kosë e mprehur në shërbim vjetor,
mbledh dietat e fjetjes nëpër hotele,
duke bërë kërdinë holleve.
Tutje dëgjoj boriet,
tingëllimën e kuajve të bardhë e të zinj,
që në galop të marrësh
shtypin me thundra fate njerëzish.
Ata po vdesin… vdesin
kazanëve të grykësisë.
Dergjen në shtretër korrupsioni
dhe japin shpirt të telikosur.
Ne, që ende mbahemi në këmbë,
veshim maska dhe të frikur presim radhën
pa lëvizur as gishtin e vogël.
Ndërkohë, bandat me kollare bëjnë kërdinë.
Antikrishti jep meshë me përdëllim
dhe ne në korr pëshpërisim Amin!
***
U këputën krahët e muzgut,
e shtjellave të kuqërremta
mbështillnin në pëllëmbët e hapura
sytë e tu…
Qëmtoja fije muzgu e qëndisja mbi lëkurë
shikimin tënd…
Me grepin e thyer të diellit
e punova puthjen e agimit.
Tani, nuk do më marri malli muzgjeve e agsholit,
kur me mua nuk je…
Qëndisur të kam në pëlhurën e lëkurës,
që ende drithmohet nga prekjet e tua.
***
Me gishtat e gërshërta
hëna qethi vijë drejt gjithë pyllin përkundruall.
Imtësisht shkurtoi çdo gjeth, që dilte sipër kurorës.
Pastaj u shtriq, tendosi shpinën,
nxori para gjoksin e rrumbullakosur ditëve të fundit,
në prag të ciklit menstrual
dhe vështroi ftohtë, prerjen perfekte të gishtave të saj.
U largua me zhurmërimën e çapitjeve të takave mbi re,
pa e kthyer më kokën pas.
Të jesh grua ka dritë dhe prerje të egërta, murmuroi
ashtu akullemë e pagojë.






