Artani kish kohë që nuk merrej më me skulpturë. Pas punës së diplomës në Akademinë e Arteve të Bukura, punët e tjera i numëronte me gishtat e njërës dorë. Zuri të punonte në një punishte mermeri, ku porositeshin kryesisht pllaka varri, skulptura me shenjtorë në gips, zogj e turli shenjash përkujtuese, që të kamurit – edhe të varfrit në garë me të kamurit – porosisnin për të afërmit e tyre në botën tjetër. Lekë pothuajse nuk i mbeteshin në xhep; aq lodhej mendërisht e fizikisht, sa mezi priste të dilte nga puna e të rrumbullakosej në pijetoren më të afërt. Prishja e parave dhe zhytja në borxhe e telashe është një mënyrë e sigurt për t’u bërë artist i madh, endacakëria dhe rrënimi janë mësuesit më të përshtatshëm për çdo krijues në formim. Artani nuk donte të eksperimentonte në këtë mënyrë. Ai thjesht shtynte orët e dëshpërimit. Kish disa shokë të varfër si veten, me të cilët kish kaluar ditë të bukura dikur. Me ta hante, pinte e këndonte, sa i soste krejt ato që kish fituar ato ditë dhe ato që mund të kish hequr mënjanë. Mundësitë për të jetuar përmes talentit si skulptor i diplomuar shkëlqyeshëm po zvogëloheshin dita-ditës. E vetmja mundësi reale për të bërë para ishin porositë për skulptura monumentale ose zbukurimi i ndonjë vile, fund e krye, punë me akord. Këto janë me leverdi, nuk i prish dot menjëherë ato që fiton nga punë të tilla. Pas shumë ngjarjesh të papëlqyeshme me ankime e kanosje klientësh mistrecë, që s’dinin as vetë se çfarë lloj pavdekësie për të vdekurit e tyre kërkonin prej skulptorit, dita e mirë mbërriti. Një emigrant i vjetër, i riatdhesuar tani vonë në Shqipëri, arriti të kontaktojë me të. Ishte xhaxhai i një shoku. Xhaxhai do të bënte zbukurime në një vilë trekatëshe, që kish porositur për kënaqësinë e tij, për ditët e pleqërisë; nipi, i papunë, i diplomuar dhe ai tek artet e ndërmjetësoi me Artanin. Nuk ishte problem për t’u marrë vesh për çmimin; gjetën një të mesme të pranueshme, pa shumë debate dhe secili nisi punën e tij. Xhaxhai shkonte e vinte oborrit të vilës duke parë me kureshtje dhe kënaqësi punimet. Artani filloi të bënte forma për derdhjet në gips, gdhendje në dru e në mermer. Nipi vinte të mbante me llafe xhaxhain kur Artani punonte dhe këtë të fundit kur xhaxhai largohej prej andej. Ishte i këndshëm nipi në biseda, por jo më shumë se gjysmë ore, mandej bëhej i mërzitshëm, përsëritës, i padurueshëm, torturues. Artani shumicën e kohës nuk e dëgjonte. I zënë me punë, por kur rrinte të merrte frymë, ia falte llafazanërinë shokut të tij – fundja ai i kish gjetur të paktën pesë muaj punë: pagesa e sigurt, kushtet e punës të pranueshme.
Xhaxhai ishte arratisur nga Shqipëria në vitet pesëdhjetë, kishte provuar në SHBA punë nga më të lodhshmet, siç thosh nipi, ishte martuar disa herë, sikurse qe e zakonshme atje, kish gjashtë fëmijë, por vetëm vajza e vogël, Shilla, i fliste rregullisht në telefon. Për fëmijët e tjerë nuk shfaqte asnjë interes, sepse as ata nuk ndiheshin mirë nga ndërhyrje e pyetje të llojit atësor. Ai i ka në mendje ata, e sqaroi nipi Artanin – ata, sikurse është rregull i pashkruar në Amerikë, janë indiferentë ndaj prindërve. Gruaja e fundit e xhaxhait kish qëndruar në Australi. I pëlqente klima e atij vendi dhe nuk mund të fillonte një aventurë të rrezikshme në Shqipëri, vend nga i cili, i shoqi kish ikur dikur nga sytë këmbët, arratisur si nga ferri, si nga çmendina.
Në shumë sjellje, xhaxhai kish mbetur shqiptar, nuk e numëronte kurrë reston që i kthenin kur blinte diçka, kish dëshirë të qeraste ata që ishin më të mëdhenj se ai në moshë, i pëlqente të jepte lëmosha të vogla për të vobektit kur i aviteshin me dorën e shtrirë. Pikërisht këto cilësi, bujaria dhe mosbërja biznes edhe me vogëlsirat e përditshme, e detyruan Artanin të tregohej i sinqertë me të. Pyetjes sa të bën puna, ai iu përgjigj aq sa ishte minimumi, megjithëse pikasi te xhaxhai gatishmërinë për të pranuar çdo shifër.
Kam punuar nga gjashtëmbëdhjetë orë në ditë, nga e hëna deri të dielën. Gjatë festave dhe pushimeve që bënin të tjerët unë punoja, shpjegoi një ditë xhaxhai. Tregoi disa histori, ku për të dhe për çdo emigrant si ai, po t’i besoje, të ngjallej mëshirë dhe keqardhje. Asnjë vend nuk ka nevojë për njerëz, të gjithë duan skllevër, kafshë pune, qenie të zhveshura nga personaliteti dhe nevojat njerëzore fillestare, tha një herë xhaxhai.
– Ike si antikomunist dhe u ktheve të flasësh si komunistët, – i tha pa u menduar gjatë nipi.
Xhaxhai nuk iu përgjigj menjëherë. Ndezi një puro, tymosi dhe tha:
– Nuk e di njeriu i shkretë përse ikën, çfarë bën, si e ka fundin.
Kjo lloj shprehjeje e tij e entuziazmoi nipin. Të diplomuarit që nuk gjejnë punë, veçmas ata të akademisë së arteve, mezi i presin kësi rastesh për të arsyetuar pasivitetin, limontinë, shkuarjen dëm të kohës, por edhe për të shpalosur krejt prozën poetiko-filozofike të grumbulluar në heshtje si helmi i gjarprit nën gjuhë.
– E di unë, – briti nipi, patetik e qesharak, si orakull i dalë mode. Mori në grushte ca çimento: – ja, pluhur e hi si kjo çimento do të përfundojmë, nga presidenti i SHBA-së, nga rokfelerët e rothçildët deri te çdo kopil i lënë nga tutorët te dera e kishës për të lypur.
Artani vazhdoi punën. Nipi, si me të qeshur, shkujdesur e pa frerë, si një ortek bore në rënie të lirë, u fut në luftë pikëpamjesh, përplasje mendimesh, sharje e grindje me xhaxhain. Flisnin me zë të lartë. Xhaxhai mbronte parimet e tij, Artani justifikonte mungesën e parimeve. Secili kërkonte përligjje teorike për mënyrën e tij të jetesës, asgjë më tepër. Më sulmues qe nipi, i vuri disa epitete fyes xhaxhait, ndërsa ky e quajti rob koti. Kur e humbi fare durimin, nipi thirri:
– Sa herë ke bërë pushime? Sa ditë ke kaluar me fëmijët e tu? Kur je parë për herë të fundit me tët shoqe? I njeh po t’i takosh në rrugë fëmijët e fëmijëve?
Xhaxhai u mat të kundërpërgjigjej përsëri: “Ti je rob koti”, por u kujtua për praninë e Artanit dhe i foli:
– Artan, shko pi ndonjë freskuese, my son, te klubi matanë. Llogarinë ma lër ta paguaj unë.
Artani, i lodhur, nuk priti urdhër të dytë. Mori një sanduiç, ujë me gaz dhe u ul pranë dritares. U përpoq të imagjinonte si po ecte konflikti midis nipit dhe xhaxhait. Të gjitha përfytyrimet e bënin të qeshte. Të dy ishin qesharakë, secili në mënyrën e tij, sidomos xhaxhai; kish punuar si skllav për gjysmë shekulli, tani, për një kapriço boshe, në prag të vdekjes, po bënte një vilë. Çfarë donte të tregonte me vilën, kurorëzimin e jetës së tij, apo kotësinë e saj?
Nipi shkoi i pari në klub, nuk piu asgjë, veprim i rrallë për të, sidomos kur gjente shokë të shtruar më parë. Dukej i zemëruar, i dridheshin pak duart.
– E dhjeva, e dhjeva me xhaxhain. E lëndova, u fye, e nisa me shaka, por fjala iku si e vërtetë. E dhjeva fare, Artan. Më fyeu edhe ai, më tha rob koti. Unë i kujtova boshësinë e një jete të shkuar dëm, në punë krahu, pa zbavitje dhe gëzime njerëzore.
Artani nuk kish çfarë të shtonte. I përsëriti kërkesën për ta qerasur dhe ngriti supet i zënë në faj kur tjetri iku me shpejtësi, pa e përshëndetur. Fill pas ikjes së nipit, erdhi xhaxhai. Hodhi sytë e skuqur nëpër klub dhe iu drejtua Artanit.
– Mbarove?
– Mbarova.
– Vjen dot me mua tani?
– Vij, si jo.
– Dua të të pyes, dua të më përgjigjesh me sinqeritet.
– Natyrisht, me sinqeritet.
– Ti je me shkollë të lartë.
– Kam mbaruar akademinë.
Dolën nga klubi. Shkuan te vila. Xhaxhai futi dorën në një thes të çarë çimentoje. U ngrit pak pluhur, iku me erën.
– Kjo?!
– Ҫimento. Cilësi e parë. E pavdekshme, siç e porosite, – tha Artani.
– Këto të tjerat? – pyeti xhaxhai, duke parë me vëmendje materialet në oborrin e vilës: tulla, trarë, pllaka, tjegulla, pajisje hidrosanitare.
Artani tundi kokën në shenjë pohimi. Xhaxhai vazhdoi:
– Markë e zgjedhur, cilësi e parë. Një shekull garanci, siç porosite ti, mall cilësor… Lavamani, karriget, muret… Kështu, apo jo?!
Artani nuk u përgjigj. Heshtjen e tij xhaxhai e mori për pohim dhe psherëtiu.
***
Të nesërmen, Artani shkoi pak më vonë se zakonisht. Te vendi i punës gjeti katër-pesë burra, që nuk i njihte. Bisedonin me rrëmujë. Artani i mbajti ca hapat në pritje, larg tyre. Kur u afrua pa se thasët me çimento ishin çarë, çimentua ishte shpërndarë e shpërdoruar, ishin thyer shumica e tjegullave, që ishin shkarkuar prej ditësh në oborr, ishin thyer qindra copash pllakat me të cilat do të shtroheshin banjat dhe korridoret, pajisjet hidrosanitare ishin rrokullisur në një rrëpirë aty pranë. Dukej si fushë beteje. Dëmi ishte i madh. Kish ardhur në panik vetë kryetari i komunës.
– Pra ti dyshon te ky djali, – tha kryetari, duke treguar me kokë Artanin. Xhaxhai ishte ulur te shkallët, mbante kokën me duar dhe vështronte përdhe. Ashtu foli, me sytë poshtë, pa u çuar në këmbë:
– Nuk dyshoj, zoti kryetar, e di kush është shkaktari, ai ma ka bërë punën përshesh, m’i shkatërroi të gjitha, ai, ai m’i theu, kush tjetër do të ngjitej deri këtu?!
– Përse është fjala? – pyeti Artani i habitur, duke lënë në tokë çantën me rrobat e punës.
– Do ta sqarojmë në qendër, – u dëgjua pas shpinës së Artanit një zë i trashë.
Artani u kthye. Ishte polici i zonës, i cili u kishte kthyer shpinën burrave të tjerë dhe po shurronte në drejtim të kundërt me erën.
– Kujtuam se e kish bërë për hakmarrje ish-pronari i tokës, por puna doli më e thjeshtë. Apo jo kryetar? – tha polici, duke kopsitur pantallonat.
– Fare e thjeshtë, – i vuri kapak kryetari, – tjetri i mbush zorrën me bukë, ky vete dhe ia shkatërron të gjitha, pa përfitim, me ligësi, me shpirt të keq. Maskara, kryemaskara me daulle.
Artani deshi të shpjegonte ndonjë gjë, por ata e vunë në mes dhe u nisën bashkë për në qendrën e komunës, aty ku kishte dhe një pikë të përhershme policie. I ndodhur mes turmës zhurmuese, Artani pati mundësi të qëndronte disa sekonda për të parë mbrapa. Xhaxhai rrinte ulur te shkallët e papërfunduara të vilës. Një zbehtësi vdekjeje i dallohej në fytyrë, asnjë gjurmë tjetër nga tronditja e pasdites së djeshme, asnjë nuancë paqësore në fytyrën e tij të tkurrur tej mase. Artani u tremb – vila mund të pësonte dëme të tjera. Artani mendoi për veten e tij dhe vuri buzën në gaz të hidhur marazi: do ta ndëshkonin shoqërisht autoritetet vendore të thirrura aty nga xhaxhai, me sa kuptohej nga pëshpëshet e tyre, do t’i propozonin zgjidhje kompromisi, nuk do të paguhej për punën e katër muajve dhe problemi do quhej i mbyllur ose, në të kundërt, kallëzim penal për dëmtim prone e drejt e në burg.
Vështirë të binden tani policët e komunës, tha me vete Artani, duke u çliruar nga barra e shqetësimeve për fatin e mëtejshëm të vilës. Askush nuk do ta besojë se xhaxhai, në atë histeri të papërmbajtur vetëgjykimi dhe sinqeriteti i theu në tërbim e sipër tërë ato materiale të çmueshme që kish blerë për të përfunduar së ndërtuari banesën e tij të parafundit. Vështirë të më besojnë. E pamundur.
(Botuar më parë në Revista Letrare – Vjeshtë 2022, në print. E gjeni në Amazon dhe të gjitha dyqanet e tjera online, si dhe në “Art’s Librari”, në Tiranë)