Matematikë
M’thuaj gjyshe për besë
Dy plus dy, si bëjnë pesë?
Matematika ka pak sherr
Një nga xhepi po na merr!
E ndonjëherë dua të di
Dy plus dy, pse bëjnë tri?
Matematika – një në xhep,
Ndryshe logjika nuk e jep.
Më trego të lutem gjyshe:
E njëjta gjë – pse ndryshe?
Eh, si të them kësaj here:
Matematikë plus dallavere!
Lapsi
Një ditë Beni, në një shitore
Bleu një laps dhe një fletore
Me fletoren e lapsin kuqezi
U kthye Beni, vrap në shtëpi
Në tavolinë, nisi pa bërë zë
T’i bëjë detyrat një nga një.
Më prit, tha, o shkolla ime!
Atje mësuesi, i gjeti gabime.
Nervoz Beni: laps e kënaqe
Dhjetë gabime, në një faqe!
Me lot në sy, ai del nga ora
Dhe niset shpejt te shitorja.
I thotë shitësit: Pse o dreq,
Ma ke dhënë lapsin e keq?
Ku ke parë laps n’këtë jetë
Dhjetë gabime në një fletë.
Qeshet shitësi e bën hoka:
S’ka faj lapsi, ka faj koka!
Urimi
Kur lind fëmija
Qeshin muret,
Ngjallet shtëpia
Gëzohen gurët.
E, si ta urojmë,
Cilit t’i ngjajë?
Babit o mamit,
Apo njërit dajë?
Si kush të bëhet,
Si ta urojmë pra?
T’i ngjajë ndoshta
Ndonjërit xhaxha.
A t’i themi vallë
U bëfsh si Boletini
A u bëfsh i rrallë,
Sikur poet Naimi.
Sikur Azem Bejta
A si trime Shota,
O si mbret Agroni,
Që ta njohë bota…
Hë, si ta urojmë,
Oh një vocërrak?
Përgjigjen e dha,
I mençur një plak:
Çdo voci në jetë,
Uroja një dëshirë,
Le t’i ngjajë kohës!
Nuk ka më mirë…
Zënka
Po ecnin dy burra
Rrugës nëpër pyje
E shikonin qiellin,
Mbushur plot yje.
Nisën një bisedë
Me gaz dhe qeshje
Dikur sikur trimat,
Bënë marrëveshje!
Uh, marrëveshja
Habiti edhe pyjet:
Njëri mori qiellin,
E tjetri i mori yjet!
Pastaj nën një lis,
Burrat u shtrinë,
Të dy plot ëndje
Shihnin “pasurinë”
Pronari i yjeve:
-Sa gëzim i madh,
Oh, delet e mia,
Kullotni në livadh!
Pronarin e qiellit
E nxiu hidhërimi:
-Hiqi delet shpejt
Livadhi është imi!
Fjala nxori fjalën
E s’u morën vesh
U kapën për fyti,
U bënë përshesh…
Një sorrë, thonë,
Nga një degë lisi,
Me nder me thanë
Me glasa i qëndisi!
(Vjershat janë shkëputur nga libri për fëmijë “Jam i madh”, që në vitin 2014 u vlerësua si libri më i mirë në Kosovë nga karvani i shkrimtarëve për fëmijë “Agim Deva” dhe u nderua me çmimin “Ymer Elshani”.)






