Press "Enter" to skip to content

Cikël me poezi dhe prozë poetike

Por hëna luan me imazhet e mia, i përthith të tëra ato dhe atëherë ç’më mbetet?
Ah, pas lajthitjes së një ëndrre, mbetet ndjenja ime e  kapitur…dhe ti…kaq  i pandjeshëm…
S’mbetet asgjë për të bërë, përveçse ta shtrëngoj atë ëndërr fort, ku ti zhytesh i panginjur brenda meje, si në një gotë verë….
Dhe e dehur dhe e lumtur vdes, e ngazëllyer vdes e vdes…
O mall fëmijësh! Kam frikë të të thërras ndonjëherë, kam frikë të të puth ndonjëherë. Ti më ndjell e më tremb ndonjëherë…
Pas joshjes tënde…
…mbetet dashuria ime për ty kaq e tmerrshme dhe ti, kaq i  pandjeshëm, gjersa të agojë plotësisht.
Dhe trishtohem e ftohtë, e hutuar, e pakuptimtë, nën qerpikë endem rreth imazhit tënd.
Oh, po ti s’e di sa të bukura mund të jenë akoma gjethet, ti s’e di sa i bukur mund të jetë akoma dielli, sa shumë gjëra do të doja të t’i tregoja t’i ndjeje ndryshe, por tani  s’kam ç’bëj më, përveçse të mbyll sytë dhe të mendoj për ty.

Buzët e tua
Janë të tejdukshme ,
Si qelqi rozë i thellë,
Si ujë i bukur,
Sytë e tu janë alga të jeshilta
Dhe shkëmbinj të gjelbër nën det.
(dhe unë jam një letër…)
Era i flak gjethet tej. Disa flaken që kur lindin, të vetëm vërtiten…
Braktisja s’i çudit, nuk vdesin nga vetmia. Janë të dënuara me vërtitje dhe të destinuara për kalbje. ( I kalburi zarfi im!).
Kam ardhur dhe do të jem këtu e ftohtë si copëz xhami në borë, e thyeshme, por kurrë e thyer.
Sa e mjerë gjithçka !…Sa e braktisur…sa e hedhur…
I heshturi im i mërzitur!
Ti s’e di se edhe kështu mund të duhet
Dhe kjo është mënyra ime.
Harro një ditë dhe fol!
Në heshtjen tënde dëgjoj tinguj.
Nëse ato më thonë: Harro!,
Gjithçka do të harroj,
Veç ngrohtësisë së çuditshme,
Që prej gjirit të akullit përhapet ëmbël…
…në gjumë më flit,
nëse më sheh në ëndërr…
Pezm vjeshte  që pështillet rreth meje
Si gjarpër i ftohtë, i ngrirë
(-zëri  yt nga telefoni-)
ky s’qenka prill, por shkurt….!

Miliona zogj të bukur keqdashës maratonën e fluturimit e  ndalin tek unë. Më çukasin, më ndukin e humbin n’ëndërrime. Pastaj të helmatisur u mpihen krahët  dhe struken pranë meje për t’u çukitur nga të tjerë zogj të bukur keqdashës.
…Në këtë moment, i dashur, të urdhëroj t’i ndiesh rrënqethjet e të mendosh për fundin e betejës dhe rënien tonë. Në këto ditë të fundme, dallgët e tërbuara preki dhe kulmet e egërsuara përkëdheli, se ditët e pushtetit tonë morën fund…
…Se kush e vrau atë, kur e frikësuar nga bishat, kërkonte shtigje për të dalë nga ai pyll i ngatërruar. Ajo i ndjeu shigjetat tek shtrëngimi i duarve, tek shpotia e zemrës…gjithandej…

…………………………………….

Në jetën tonë vdekja vjen ndryshe. Ndryshe vdiset sot. Të vdesësh sot nuk është njëlloj si të vdisje vite më parë…Nuk shkohet më për ngushëllim. Madje as  që lajmërohet se vdiq dikush. Kjo ndodh sepse njerëzit sot vdesin në një mënyrë tjetër. Në mënyrë tjetër vdiqa edhe unë…
Një ditë limitet e jetës do të asgjësojnë infinitin, mbase shkenca dhe teknika kanë për të sfiduar dekompozimin dhe ky planet do të popullohet nga trupa të panumërt…(Nga të vdekur të panumërt gjithsesi…)
Një miku im pati një vdekje të përafërt dhe më tregoi me gojën e tij një pasdite të  qetë tek po pinim çaj të ftohtë. I kishte plasur zemra sepse  kishte parë një tjetër në pasqyrë. Çudi e madhe! E takon tjetrin në rrugë dhe vetëm kur merr vesh se ai paska vdekur dhe ti s’dije asgjë!
Ti flet me një të vdekur pa e kuptuar. Ndonjëherë, i vdekuri vetë s’e kupton, ndonjëherë s’i pëlqen ta pranojë. Ka edhe nga ata që shtiren se kanë vdekur, por ata unë arrij t’i dalloj, për faktin e thjeshtë se kam vdekur…
Humbëtira e një premtimi – kjo thepisje rrënqethëse. Jehonë e huaj që shurdhohet, shurdhohet…Rrënoja jeshile – ngjyra juaj është e bukur, shkëlqimi juaj është i fisëm. Shkëmbinj që me t’u prekur thërrmohen në rërë, shkëmbinj pa emër, pa ardhmëri.
Dyshim për të shkuarën e tyre…
Dëbuar krizantemat, violat… Mosdëshirë për asnjërën  për ato…Dëshirë ndoshta për ndonjërin nga ata…(gurë mes të cilëve ekziston…)
Do ta dashuroja ashpërsinë tënde, hijet e tua nëpër vapë, o vend i shkretë i harruar, egërsia jote do të më përkëdhelte pa më gërvishtur, afshi yt do të më përthithte e s’do të ndahesha dot nga ty, por ti qenke i mbaruar, vakëf, ti qenke i mjerë, për t’u ardhur keq. Kush të mohoi, kush të mallkoi? Ndodh të të ketë mallkuar vetja?
Mugëtirë, diell i nxehtë borë e ftohtë, pranverë e hidhur…
Asnjë cep i shpirtit tim s’e pranon shterpësinë, asgjë e imja s’të pranon ty.
A ka rrënjë në këtë vend, apo dielli ka djegur edhe nëntokën?
Asnjë shije, asnjë erë, asnjë ngjyrë, përveç jeshiles, jeshiles së bukur që ju dha lavd.
Filloi të fryjë. Unë duhet të shkoj. Nëse era ngrihet përpjetë do të më qërrojë sytë. Unë i dua sytë e mi, më pëlqejnë…Janë të bukur, edhe pse bojëkafë.
Unë mendjen tënde kam puthur me dëshirë
Dhe zemrën tënde me afsh e kam lëpirë,
Shpirtin si opiumin e kam thithur.
Thonjtë mbi gjoks t’i ngula -‘’V’’-duke gërvishtur.
S’ke ditur të më gjesh, apo të ndjesh s’ke ditur?

……………………………………………

Zoti M.përshkon korridorin i përqëndruar mbi një letër.
Ai mbase priste ndonjë lajm nga puna: përgjigjen e përpjekjeve të tij për t’u afirmuar, ose mbase Zoti M. mund të priste një medalje ari si vrapuesi më i mirë nëpër pluhur, a ndonjë çmim ndoshta për ndërhyrjet kirurgjikale që i bën kohës.
Ç’qenka kjo kështu? – ka menduar ai pasi ka lexuar rreshtin e parë.
Ti je A…,këtë e di…Dhe ka vazhduar të lexojë.
Aty  brenda ai gjeti atë. AJO ,-pa emër dhe pa fytyrë e bëri të çuditej.
Zoti M. mbështetet pas një shtylle i zhytur në ato rreshta. Nuk kuptohet: është ai që i përthith, apo janë ato që e përthithin.
Ajo është me të më në fund. Po i flet më në fund. I buzëqesh më në fund, i thotë  :përshëndetje!
Ajo kërcënon me mospërfillje. Ai duhet ta dinte gjithsesi se ajo  letër ishte shkruar me kujdes të madh: çdo fjalë, çdo shkronjë, kërkonte njohje. Njohje!
Aljete Odra e ndjek nga një derë gjysmë e hapur. Ajo e ndjen atë që do të ndodhë. Pritje. Gjithmonë me të pritur! – i vjen asaj të ulërijë.

Po ndoshta me të pritur, qëkur qenkam mësuar,
Pritja zemrën e dhembshur s’ma paska ashpërsuar…
Zoti M. kthen faqen i turbulluar. Truri i tij ka harruar të marrë frymë.
Jam në duart e tij për të parën dhe ta fundmen herë. Kam rrëmbyer vëmendjen e tij për të vetmen herë. Ai më prek, ai më kundron, ai më dëgjon i habitur…
Letrat! Thonë se Romancieri R. (ai shtazë), hoqi dorë nga shkrimet kur lexoi letrën nga një e panjohur. Ai ndjeu atë rrymë të fortë, të tmerrshme, duke menduar ’’cila të ketë qënë?”

Romancieri R. s’do të mund ta kërkonte asgjëkund, sepse ajo ishte duke vdekur—këtë ia rrëfente  në letër. Ai do të kishte dashur ta kërkonte në të gjitha shkretëtirat e botës. Por ajo kishte vdekur – në asnjë shkretëtirë s’do të mund ta gjente.
Studenti në Moskë do të thoshte:…nofullat e zemrës më dhembin Llora…
Tatjana do të thoshte:                     s’ mund ta rilexoj…
Odra do të thoshte:                       vërtet asgjë mbi to s’do të më shkruash ti,
Por unë do të lexoj tamam sikur të di.

Ernandes do të thoshte:Dhe po të jem nëntokë, që vdiqa ti mos thuaj,
Më shkruaj edhe nën tokë, se edhe unë kam për të shkruar
Zoti M. do të thoshte: po ndoshta interesi nuk ishte kaq i madh sa për në shkretëtirë…
(Vërtet si do të më thoje ti A.M. në një bisedë telefonike??!!!!)
Dhe Lori ishte e bindur se letra s’do të ndryshonte asgjë.
Por, ah! Zoti M., mos duhet të të kërkoj falje për për atë kohë të çmuar që të mora kur ti lexove letrën time?
Ti sigurisht, mund të kesh mbetur pa mend. Në shekullin tonë, zarfet u përdorën në luftën bakteriologjike, apo jo?
Po kjo ç’do? – duhet të kesh thënë ti.
Vërtet kjo ç’do? Se kur ajo filloi të shkruante stilografi ngeci. (se kur të shkruaj unë do të shkruajnë eshtrat e mia- mjaft, Ernandes – do të shkruajë gjaku im…-mjaft të them! ). Ndërsa kur ajo do të tentonte të dërgonte mesazh, bateria e telefonit do të shkarkohej që në fjalën e parë…
Se kur të shkruaj unë, do të dridhet kallamari,
Do të skuqet boja e zezë nga flakërima zjarri.
(Ernandes, të lutem, të lutem hesht! )
alJeta do të zmbrapsej tri herë ,ndërsa përpiqej t’i linte Zotit M. këtë letër në dorë.
Një MOS që shtrihej kudo. Një MOS i qetë, mpirës. Një MOS modern.
Zoti M. mbaroi së lexuari letrën. Po në fund të fundit, thelbi ishte po ai i dikurshmi:

Po nderit tuaj i besoj,
me plot guxim duke shpresuar.
E palos letrën dhe e fut në zarf. Është i sigurt se ajo do të  provojë sërish.
Ai e palosi në katërsh atë femër të largët, atë femër të afërt. Ai mbylli në zarf tërë jetën dhe aftësitë e saj. Për katër muaj asaj do t’i merrej fryma duke pritur. Ai e burgosi këtë të huaj. Ai di t’ia merrte shpirtin në muajt që pasuan duke e harruar aty, në zarf.
…e mbyllur e huaja,…e burgosur…e harruar diku  dhe e hedhur…
P.S.  Po ndoshta s’do(… … …)të më gjesh, dhe ndoshta s’do(… … …) të vij.
Ajo e paska ndjerë lamtumirën që në fillim!

Duhej të njihja llojet e bukurive dhe të tmerreve që t’i vija emër vetmisë sime.
Veç lotë do të dilnin nga muret e mia se do të isha pranë portës dhe s’mund ta hapja atë. Dhe të çarturit do ta plagosnin shtazën dhe ajo do të përpëlitej pa kërkuar kurrë ndihmë.(…me paqytetërim, me tërbim-krenaria ime hajvane).Dhe unë do ta mbroja me egërsi, me ëmbëlsi dhe do ta vija krah zemrës sime.
Prapë heshtja e murosur do të fyente minutat me tinguj rënkimesh, edhe një herë, dhe njëqind herë dhe përjetësisht.
Me të, ose pa të unë do të isha dhe le të isha! (me gjak të njejtë, me deje të copëtuara).
Por vorbullat e tmerrit unë i rrëmova dhe ankthin e shpërbëva…për vete ….dhe për të tjerët.

 

Autori
Viola Isufaj

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *