Press "Enter" to skip to content

Vejusha e ushtarakut

Një shtëpi e bukur dhe e bollshme, me oborr të madh, nga ku arrihet në shesh përmes një portiku, nuk i përket më familjes që e zotëronte prej shumë brezash, sepse u shit shumë vite më parë, madje dhjetëra vjet më parë për të siguruar një prikë të stërmadhe, e destinuar të kalbej e të hahej nga mola. Prika e teze Esperias e përgatitur për martesën me Gjeneralin, e parashikuar dhe e shtyrë për vite të tëra, ndoshta e përgatitur edhe për të fituar kohë e për ta larguar tezen nga zvarritja e kësaj torture.
Kush e ka njohur qysh në fëmijëri Esperian dhe llafologjinë e saj të pandërprerë, e kujton fëmijë të gjallë e të urtë dhe përshkruan zellin e pareshtur shkollor, miqësinë – me respekt deri edhe në lojërat që luanin – me vajzën e drejtorit të shkollës, adoleshencën entuziaste e të vitytshme, gjithmonë e shqetësuar të mos mëkatnojë, me gjithë këshillat e rrëfyesve, të cilët e ftonin të thoshte lutjen e mëngjesit e të lëshohej më pas e gëzuar, plot besim, në atë që do t’i sillte pjesa tjetër e ditës.
Vajzë e grua e re, Esperia ishte tmerrësisht e devotshme ndaj fesë dhe kultit, po aq sa ngulmuese ndaj të gjitha praktikave supersticioze të dënuara nga Kisha. I lante duart vazhdimisht, ngurronte të postonte një letër, pasi kishte frikë se mos, pa dashur, kishte shkruar ndonjë gabim a budallallëk dhe, pasi ta kishte postuar, trembej se mos në vend që ta fuste në kutinë e postës, e kishte hedhur. Ishte një krijesë vërtet e përhënur, nuk i ishte dhënë harrimi i bekuar, falë të cilit harron se je vazhdimisht i ndjekur nga vdekja e, para se të arrijë ajo, edhe nga mënxyra të tjera.
Me obsesionet, fobitë e ritualet e saj, Esperia kishte krijuar një labirint mbrojtjesh për t’i shpëtuar ankthit që i depërtonte nga çdo anë. Gjithashtu, duke mundur të bindej deri në shtresën e parafundit të psikikës së saj të brishtë, kishte vendosur se bota ishte e mirë, e populluar e mbi të gjitha e drejtuar nga të mirët. Mundohej kështu të jetonte pa frikë, duke i besuar një mirësie të përgjithshme dhe duke i lejuar zemrës të donte ata që e rrethonin – sepse i donte vërtet, kishte lindur për të dashur botën, njerëzit e kafshët, ndonëse jo vetëm një insekt, por edhe një qen a mace i ngjallte neveri – e luftonte në mënyrë të errët për të penguar që frika t’ia mbyste dhembshurinë që ishte brenda saj. Kur diku thellë besimi në mirësinë e jetës dhe të njerëzve lëkundej, ajo turbullohej dhe e mbulonte ankthi, që i mblidhej në grykë me një lumë fjalësh, duke folur e folur për gjithçka e me të gjithë.
Nga fundi i viteve ’30, njohu në tren një oficer emilian, ai që për të dhe për të gjithë, do të qe Gjenerali. Esperia ishte e gjatë, me flokë të verdhë në të bakërt dhe oficeri, të cilin lidhja e hekurt e gjërave e kishte dërguar pa e pyetur në atë kabinë treni, nisi bisedën. Ishin kohë të respektueshme dhe Gjeneralit të ndershëm, i cili nuk do të kishte dashur kurrë të gënjente, aq më pak të mashtronte një grua, nuk do t’i kishte shkuar kurrë nëpër mend se ajo njohje e pafajshme, për të cilën emri flirt do të ishte i tepruar, mund të keqkuptohej. Ajo thuajse “asgjë”, për Esperian u bë menjëherë gjithçka; entuziazmi i dha një absolutësi plot pasion, e bëri të vetmen, të pamatë, substancë të nevojshme për jetën. Oficeri fatzi nuk kishte ndër mend të martohej me të dhe nuk bëri asgjë që ta shtynte një person të arsyeshëm për ta menduar këtë, por e kuptoi se, po t’ia thoshte, për Esperian do të ishte diçka e tmerrshme. Pra, i dha karar që të mos vendoste, të mos bënte as njërën e as tjetrën, ta zgjaste pafundësisht atë lloj parafejese, e cila në këtë vazhdimësi zvarritëse, bëhej gjithnjë e më e pazgjidhshme…
Leja e mbretit, e nevojshme për martesën e oficerëve në karrierë, nuk mbërrinte kurrë; ai transferohej nga një komandë në tjetrën dhe të dy takoheshin fare pak, mes një nisjeje e tjetrës, shpesh në stacionet e trenit, peizazh i duhur për atë pikëllim e nostalgji. Kohët e virtytshmërisë dhe dëlirësia e Esperias nuk ndryshonin, për fatin e të dyve, as që përfytyroheshin takime të tjera. I pezmatuar, ai torturohej, u hapej vëllezërve të tij e studionte me ta – ata e mirëkuptonin dhe ishin solidarë me fatin e tij – plane tërheqjeje, që dilnin gjithnjë e më të pamundura.
Ajo, Medea, e sfilitur dhe e tërbuar torturohej dhe e torturonte pa pushim ngashënjyesin e pavullnetshëm gjithashtu të ngashënjyer, duke e persekutuar me dhimbjen e vet, që i brente ndërgjegjen: ndërkaq, familjes ia lexonte me zë të lartë letrat e Gjeneralit të saj, të cilin gjithnjë e thërriste kështu e kurrë në emër, duke menduar se papërcaktueshmëria e tyre në rritje qe sublimimi i dashurisë dhe duke i mbushur muret me disa foto të mëdha të tij, veshur në uniformë, portrete të një njeriu trupmadh e të butë, të cilit uniforma dhe dekorimet i jepnin dinjitet autoritar, pa ia hequr mirësinë. Ndërkohë, prika rritej gjithnjë me gjëra të reja, por që kishin kërkuar shitjen e asaj shtëpie të familjes në Malnisio, megjithë kundërshtitë e vëllezërve, të prekur e njëkohësisht të trembur nga pasojat e paimagjinueshme të një refuzimi të tyre; çarçafë, mbulesa krevati e tapete që vendoseshin në baule dhe komo, mobilje të grumbulluara në qilar, si dhe një piano.
Si për të lehtësuar Gjeneralin, mbas vitesh të një ekzaltimi gri, mbërriti Lufta e Dytë Botërore dhe me të edhe fushata e Afrikës, largësia, një plagë në mushkëri. Mundësia për të vdekur dhe të qenit larg shtëpisë, i bënin më pak të dhimbshme letrat e Esperias, kurse gjasat e moskthimit, i bënin thuajse të dashura e ngushëlluese. Qe stina e tyre e lumtur apo, të paktën, e durueshme, sepse tragjedia kolektive e luftës dhe pamundësia materiale për t’u takuar, e shndërronin zvarritjen torturuese në një vuajtje të lartë.
Kjo ndalesë përdëllimtare u duk se mbaroi me luftën. Por para se Gjenerali (i cili sapo mbërriti në Itali e u kthye në shtëpi, në çifligun e tij në Emilia) të mund ta rishihte Esperian e mbetur në Trieste, u mor një natë nga disa njerëz të armatosur – në atë kaos e në ato vende, ku rezistenca zvetënohej me hakmarrje personale e sociale – dhe u vra me pistoletë. Në shpirtin e Esperias zbriti çlirimi i madh e mirënjohës dhe i një dhimbjeje fisnike. Që nga ai çast, nuk qe më nusja e panusëruar, por vejusha, një grua që kishte vuajtur, por kishte jetuar, që kishte humbur burrin e saj në një tragjedi mizore, por ama kishte pasur burrë. Familja e madhe e Gjeneralit, e tronditur nga vdekja, e priti si të qe vejusha e tij dhe për të nisën vitet e lumtura. E çliruar nga mëdyshjet, shkonte të takonte në qytete të ndryshme të afërmit e bashkëshortit të saj që kishte vdekur, shkonte te kunetërit dhe kujdesej për nipërit e stërnipërit, ndiqte pagëzimet, krezmimet, ngjarjet shkollore, martesat.
Udhëtonte gjithmonë, si dikur, por tani bota ishte miqësore e tërheqëse, plot me gjëra, ngjyra, stinë, mbështetur në kujtime të trishta e të mira.

Përktheu Viola Adhami

Autori
Claudio Magris
Autori
Viola Adhami

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *