Chateao de Lavigny
Shi jargavani bie në Chateao de Lavigny
cepit të syrit pikëlon një dritëz misteri
si në shtegth ëndrrash
retë fryhen në qiell
e shprazen mes gjinjve
mbi krenat e thithkave
dëshirat mbi buzë
m’i nuhat veç gjuhë e gjethes
unë mekem në ofshama pazane…
mbi sythin gjallues të stinës
Them t’i jepem këtij maji kaq joshës
them t’i jepem
Ne me quitte pas
Hukamë që m’i jep jetë ëndrrave
lot që kripë m’i fal detit të harbimit
prush që ma ndez hënën e trilleve
zemrën e pritjes ma shndërron në vetëtimë
dalldisjen e kurmit në stuhi
pa ty s’do ta njihja mishin nën lëkurë
as gjakun kur pompon damarësh gjer në fyt
sa ma ndal frymën
e nyje ma lidh padurimin
për me t’pas
për me t’pas
për me t’pas…
Prej së pari
Afër gojës m’i zhvesh bukuritë
me dritën e syrit të rrumbullt
m’i shpërhap petlat e mahisura mishtore
e dridhem si thupra në ujë
aromë e pishës m’i harbon shqisat
poshtë satenit të ngrohtë
maji i magjisë
thellësive pret shpërthimin
zanoret zhurmojnë si shkreptima mbi qelq
nën britmat kumbuese
të derdhjes ngjyr’ argjendi
poret zgjohen
lëngështohen nga gjuha
që thith e thith qumësht hëne
ndalu bre, veç pak…
sa t’i japim frymë
hovit prej së pari
Margaritat
Me buzë m’i nuhat dëshirat
me gjuhën si gjethe landre…
sythin e çelur
mes aromash dhe vese
shprush ndër dhëmbë
margaritat m’i shkërmoq mbi trup
më do, s’më do
më do, s’më do
flokët m’i puth në çdo fije…
me avullin e valë të frymës
lulkat dhe shtrojën poshtë barkut
si me ar i ngjyros mushti yt qumështor
majolet e bardha të margaritave
petlave përgjërohen
më do
më do
më do
Dhjetor
Shije limonësh ma ëmbëlsojnë dhjetorin
e mërdhas në heshtje verdhake
vikamën si ujkonja lëshoj pemësh të larta
të tremb harrimin e hyjve…
Zot, ma sill pranë!
Një degë qiparisi kapërthehet me tjetrën
dhe më thotë: jam hija e tij…
Hija e tij e gjallë
rrëshqet dejve ku vlon gjaku
e ma shiton zemrën që dhemb
dhemb
dhemb
dhemb…
Shije limonësh ka dhjetori
Valle gishtash
Thellësive të rrashtës
vorbullën çart mungesa jote
bryma e natës buluron vetmitare
honit të përndezur të vetmisë
hapërdahet gishtave
që enden ethshëm nëpër gjinj
në lodërza mëkatare
Borëbardha kafshon mollën
farat ia thajnë mishin e buzës
princi gëlltit përrallën dhe vdes
ëndrrat trandin terrin
me ofshamat e zërit tim të mbytur.
Veç trokthe gishtash
shkulin ashkla epshi prej trupit.
Maj
Si ora e fatit më qasesh
me buzët mishtore mbarsur si bletë
ma derdh mjaltin mbi oje
manaferra të egra më shtrydh mbi gjinj
lëkurën ma ildis me zërin tënd
mornicave të barkut dallgëzor
u fryn me hukamë parëvere
Maj është
maj
maj i bekuar pjalmimi
Ajër
Pranë teje
jam shpirt i uritur,
ndjej mishin tim prej uji,
mes leshterikësh që dridhen,
pranë teje,
lëkura s’më mashtron dot,
më djeg e përcëllon
bashkë me diell dëshirash,
mardh e akullohet
në mornica padurimi,
ta grabit ty aromën e jodit,
shpërhap bulurimën e shqisave
dhe ankthin përpirës
për dihatje njërrokëshe,
kur zjarri na kridhet në gjak.
Frymë jam pranë teje.
Ajër.
Ajër i pangopur me ajër!
Ekstaza e Sibilës
Mos m’i thuaj të dashurit,
Sibilë,
se drita dhe terri
njësoj e verbojnë retinën e mallit;
se dikur na lidhi mëkati,
e tash virtyti
prerja e artë u bë
mes mishit dhe shpirtit!
Mos m’i thuaj të dashurit,
Sibilë,
t’i friket altarit
nga puthja e gjarprit në buzë;
se muzika e Orfeut
kumbon më fort
prej fugës sonë në dy zëra;
se pesha e trupit
mpak ritmin e ndjenjës!
Unë dashuroj sërish e s’ngopem.
S’ka shpellë orakujsh,
Sibilë,
as terr,
as ferr,
as yllësi,
ku s’do shkëlqenin sytë e mi!
Hesht, Sibilë!
Hesht!
Zvicër, maj 2021
(Ky cikël poetik u shkëput nga Revista Letrare – Dimër, 2021)

Ana Kove
Anna Kove është një poete dhe përkthyese e njohur. U diplomua në vitin 2001 në Institutin Goethe në Gjermani, me diplomën "Gjermanisht si gjuhë e huaj në teori dhe praktikë". Vazhdoi studimet e masterit në Universitetin Evropian të Viadrina në Gjermani (2002–2004) në "Media dhe Komunikim Ndërkulturor". Gjithashtu u diplomua në "Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe" në Universitetin e Tiranës (1986-1990).
Anna Kove është autore e “Shën Valentin ku ishe”, “Djegë Ujërash”, “Nimfa e pemës së humbur”, dhe “Kambanat e së dielës”. Është shpërblyer me shumë çmime në ndryshme konkurse në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi. Ajo është një ndër autorët më të dalluar bashkëkohorë në Shqipëri, duke tërhequr vëmendjen e kritikëve, hulumtuesve dhe gazetarëve, të cilët kanë shkruar vazhdimisht për veprat e saj.
Kontributi i saj në përkthime është edhe më i gjerë.








