Press "Enter" to skip to content

Ti nuk erdhe Adam (Poezi)

Pranverë

Dallëndyshe të kuqe pluskojnë
mbi sipërfaqen blu të detit.

Këmisha ime e mëndafshtë
blu me topa të kuq, varur në tel.

Unë zgjohem me kopsat
e këmishës tënde,
shtrënguar në pëllëmbët e duarve,
skuqur nga thonjtë ngulur në mish.

Bluja e natës rri varur
mes gjinjve të mi të bardhë.
Sumbulla qumështi
lagin çarçafë të kaltër.
Koha s’pipëtin.

Europë e kohëve pa emër

Më shtrihesh para këmbëve të hajthme,
i bardhë si ëndërr e fshehtë vashe.
Të bardha edhe dëshirat që lexoj në sytë e tu.
Mos më josh Zeus, mos!
Si të fluturoj mbi shpinën tënde të lëmuar?
Ku ta la nënën?
Im atë nuk ka djem t’i nisë të më kërkojnë.
Orakujt e maleve të mi kanë heshtur.
Fatat nuk erdhën ditën e tretë,
as të trembëdhjetën, askurrë.
Europa s’mund të jem unë.
Unë jam Europë e kohëve paemër.
E tani ku janë rrënjët e mia?
Trupi im ku është?
Degët e mia cilën pjesë të kontinentit vendosën
të përqafin që kur u mbolla në këtë vend,
ku rrushi dhe fiqtë nuk arrijnë të piqen?
Kjo të ish toka e premtuar?
Unë ika.
Ne vazhdojmë të ikim.
Ikje e madhe pa një Moisi të hapë detet,
që na përpinë ëndrrat tona të bardha.
Kush na mallkoi të zgjatemi,
si atavizëm drejt cepave më të largët të botës?
Mallin, vetëm mallin morëm nën sqetull,
si bukë e zezë thekre.
Mbusha xhepat me gurët e tu,
për të ngrohur zemrën në ditët pa diell.
Cili dem u shndërrua në Zeus?
Cili gjarpër la lëkurën mbi trupat tona?
Cila mollë na premtoi kopshtin e Edenit?
Si u shpërbëmë në grimca rëre pa gjetur
oaze lumturie këtyre anëve, Europë?
Shalova gjithë demat
edhe të bardhët,
edhe të zinjtë
e të erdha pranë.
Ëndrrat kanë nisur të bien tashmë
si gjethe të kuqërremta,
njomur nga lot dhimbjesh po aq të kuqërremtë.
Ne mbartim nga një përmbytje të madhe
në shpirt,
pa arkë shpëtimi.
Ne nisim nga një ikje biblike përditë,
pa Moisi e pa Zot.
Tokat tona të premtuara kanë ngelur djerrë,
ndërsa ne mbjellim karafila të kuq
kopshteve të huaja
dhe ikim pafund.
Jemi bërë kolona e pestë e vetvetes,
me ëndrrat tona hollake e të tejdukshme
strukur në trastën e lidhur në shkop.

Ti nuk erdhe Adam!

Asnjë brinjë nuk shkule,
për të më bërë tënden.
As unë nuk u luta të jem pasthirrmë
e dhimbjeve të tua.
Ti kërkoje një Evë, Adam.
Mandej një tjetër Evë,
një tjetër që nuk ngjan
me të parën,
të dytën,
të njëzet e katërtën.
Ti deshe një Evë, që të mbartë brenda saj
laviren, magjistaren, shenjtoren dhe të pagojën.
Tani shtylla kurrizore të ka marrë formën e pikëpyetjes
dhe ha si sqep mëlçinë tënde.
Ta dëgjoj zërin netëve, Adam
më thërret prej një ëndrre të marrë,
më kërkon nga pandërgjegjja.
Në ereminë e shpirtit më pret.
Nuk do të jem kurrë Eva jote!
Nuk dua të sjell në jetë Abelë e Kainë.
Dua të kafshoj frutat e gjithë pemëve të ndaluara,
të fle në një shtrat me gjarprin,
mos t’i trembem mallkimit të mëkatit.
Jam krijuar prej dielli, katër erërave,
mishi dhe gjaku të pacipë.

Adam i pabrinjë, lamtumirë!

Ikja

Var kryet, i mbështes mbi gjoks.
Aty kanë heshtur mëritë e vjetra.
Inatet patën mahisur fjalën
dhe gjuhën e zu një ngërç shekullin e fundit.
Lajmësi tha se një hap më duhej
për ta kapërcyer brengën e gjakut të prishur.
Se ti më prisje në bregun matanë.
Paktin e paqes e hartuam dhe e grisëm.
Ushqyem me letrën e grirë copë e çikë
çirçe, sirena e fata kobsjellëse.

Vdekja i vuri pikë të pathënave tona të mëdha.

Gjak i gjakut tim,
plagë e plagës,
rrënjë e rrënjës.
Të zbres nga kryqi kur bota fle
dhe fshihem në gjoksin tënd të ngrohtë sa pendesa.
Faqet e tua kanë aromë qumështi,
mëkoj me të ëndrrat e mia tokësore.

Mendime

Kuaj të egër harlisen nëpër venat e mia,
kapërcejnë gardhet me tela elektrikë.
Piktura kubiste, vrapi i tyre i lirë.
Ndrydh dhe pjalmoj
dëshira mishtore po aq të egra.

 

Autori
Miranda Içi