PERSONAZHET ABSURDE NË RRUGËN E SIZIFIT
DRAMA SIZIFIANE
Fatin e Sizifit e njohim të gjithë. Nga mitologjia antike greke, ai na vjen si heroi i heronjve. Midis bёmave tё tjera, Sizifi u kërkon perëndive t’i falnin njerëzimit pavdekësinë. Perënditë u hakmorën pёr guximin e kёtij njerёzori plangprishёs dhe e dёnuan të ngrinte, nё jetё tё jetёve, njё shkёmb, qё kur arrinte nё majё tё malit rrokullisej sёrish poshtё. Që atëherë mbeti shprehja “punë Sizifi”, d.m.th të bësh diçka të kotë.
Sizifi u bё simbol i mendjes sё hollё, sepse kishte synuar tё sfidonte zotat, ndёrsa nё kohёt moderne ishte heroi ideal, qё kuptoi thelbin e kotësisë ekzistenciale të një njerëzimi që vuante nga kompleksi i vdekjes. Mendja e lashtë njerëzore kishte kuptuar “thembrën” e vet të Akilit, pra thelbin se një ditë do të vdiste. Dhe sigurisht, ata që duan të ndryshojnë historinё janë heronjtë që vetë njerëzimi i krijon. Ka heronj që arrijnë të fitojnë e ka të tjerë që mbesin të përjetshëm, sepse luftojnë për një çështje qё njerëzimin e ushqejnё gjithmonë me shpresё. I tillë mbetet Sizifi.
Te eseja “Miti i Sizifit”, pёrse filozofi dhe shkrimtari Alber Kamy (Albert Camus) i rikthehet mendimit antik? Përse ai i rikthehet Sizifit?
Përgjigjet janë të shumta. Sizifi duhet për të na treguar rrugën e përditshme të ekzistencës, duhet për të na treguar monotoninë e kësaj rruge, shpresën e plogёsht të mosndryshimit, mungesën e lirisë, përpjekjen e kotë gjenetike, botën indiferente, neverinë, absurdin.
Sizifi përshkon një rrugë. Fillimisht ka shpresën se do të mund ta vendosё gurin në vend, por pikërisht kur arrin majën, guri bie dhe heroi zhgënjehet. Fillon sёrish, ecën e ecën me shpresën se ndoshta çastin tjetër guri do të mund të qëndrojë në vend, por guri bie dhe Sizifi sërish ia nis nga e para… e kështu, në pafundësi, kështu në vazhdimësi… Njerëzimi ecën me shpresën e gjallë, “ai është gjithmonë në udhë”, megjithëse udha nuk i fali asgjë. Pikërisht tek kjo udhë e mundimshme, drejt asgjësë, gjen Kamy dramën njerëzore, pikërisht këtu ai gjen absurdin, për të cilin Sartri (Jean Paul Sartre) shprehet se krijon neverinë.
Sizifi, që kthehet në arketip të gjenit njerëzor, kërkoi të ndryshojë, por si shpërblim mori fatin e tij të pashmangshëm: të qenurit vdekatar. Dhe kjo e bën Kamynë të mendojë: “Arsyeja më thotë se bota është absurde”.
Sizifi nuk është i lirë. Si të gjithë ne, si e gjithё raca njerëzore, ai duhet të përshkruajë një rrugë të mirëpërcaktuar e nuk ka mundësi të ndryshojë asgjë. Të dhimbset ashtu, i vuajtur, me peshën e fatit, me “shpatën” kafkiane mbi supe. Dhe ne na dhimbset vetvetja dhe ndiejmë neveri për paaftësinë tonë për të rregulluar, asgjë më shumë, veç fatit tonë. Ne i drejtohemi botës me pyetje racionale dhe ajo qëndron indiferente, ne duam të jemi të lirë, por gjenetika jonë na e ka ndaluar atë, pasi ne “jemi dënuar me liri”, një liri qesharake, një liri që dhe kafshët e përqeshin e megjithatë ne vazhdojmë, pasi kemi shpresën që na mban. Edhe Sizifi shpresonte. Duhet të bëjmë sikur jemi të lumtur dhe klithmës hamletiane, “të rrosh a të mos rrosh”, i përgjigjemi shkurt, “të bëjmë sikur”, në mënyrë që të mund të vazhdojmë, të mund të fillojmë dhe rifillojmë në një botë që, kur e takoj, më ngjall absurdin. “Duhet ta përfytyrojmë Sizifin të lumtur”, thotё Kamy.
Kuptohet se Sizifi është heroi absurd. Është i tillë si për pasionet, ashtu edhe për vuajtjet e tij. Përçmimi për perënditë, urrejtja për vdekjen dhe pasioni për jetën bënë që të vuajë një dënim të paparë, ku e gjithë qenia përpiqet të mos përfundojë asgjë. Ky është çmimi që duhet të paguhet për pasionet e kësaj bote. Asgjë nuk na thuhet për Sizifin në ferr. “Mitet janë bërë për të ndezur imagjinatën”, arrin nё pёrfundim Kamyja.
“I HUAJI”, PËR VETVETEN DHE PER BOTËN
Romanin “ I huaji” as që mund ta kuptosh apo ta shijosh nëse nuk ke lexuar esetë filozofike të A.Kamysë.
Pas këtij procesi kupton si shndërrohet filozofia në art, si një personazh gati hipotetik mund të përcjellë mesazhet filozofike dhe të mbetet pafundësisht i huaj për lexuesit, por edhe për vetveten. Siç jemi ne në këtë botë, të hedhur, përgjegjës për fatin tonë, të paorientuar, të huaj.
Mersoja, ky personazh intelektual, e ka kuptuar fatin sizifian, ai nuk ka dëshirë të ndjekë udhën sizifiane dhe për këtë vendos të reagojë i vetëm, në një botë që nuk e pranon. Atij i vdes e ëma dhe ky fakt e lё “indiferent”, bile jepet fare i pashqetësuar. Lexuesi i krishterё habitet, ndërsa ai që njeh filozofinë absurde të Kamysë kupton se Mersoja nuk është indiferent, por ai vdekjen e quan shpëtim nga absurdi, i cili vdes bashkë me të. Për ekzistencialistin, absurdi (kujto gurin e Sizifit), e mundon njeriun së tepërmi dhe vetëm kur njeriu vdes, shpëton nga vegjetimi i rremë. Pra, për Mersonë, e ëma ka shpëtuar nga kjo botë që nuk të ofron asgjë. Në fakt, pjesa e parë e romanit i afrohet një kronike, ku lexuesi nuk merr vesh nga vjen dhe kush është Merso. Më pas, fillojnë fjalitë e famshme mersojane: “Kjo s’ka asnjë rëndësi”, fjali që të kujtojnë fjalët e personazhit të Garsenit, te drama e Sartrit “Me dyer të mbyllura”. Mersoja është i bindur se duhet devijuar nga rruga e Sizifit, ndaj dhe kryen një vrasje, në një rastësi tragjike. Ai mendon se ka shpëtuar dy vetë, arabin e vrarë dhe vetveten. Kështu kemi hyrë në pjesën e dytë të romanit, që i afrohet “Procesit” të Kafkës. Merso nuk e ndjen veten fajtor dhe pret i qetë vdekjen. Ai ka zgjedhur një “vetëvrasje filozofike”. Megjithëse është tërësisht absurd, ai ndjen se në një botë ku normat e vlerësimit nuk janë si të tijat, ai do të gjykohet dhe do të dënohet, d.m.th ai zgjedh një vetëvrasje mbi normat e krishtera. Kjo është në përputhje me tezën filozofike të Kamysë se nuk mund të jesh tërësisht absurd pa qenë pak i krishterё dhe anasjelltas. Edhe në fund të romanit, ai uron që në funeralin e tij të ketë sa më shumë njerëz. Përveç mesazhit absurd, këtu fare lehtë, fjalën “uroj”, mund ta zëvendësojmë me “shpresoj”, duke u bindur se edhe për absurdët shpresa është një mekanizëm që gjithsesi vepron.
Antuan Rokanteni (Antoine Roquentin), protagonisti i romanit “Neveria” tё Jean-Paul Sarte, jeton ditët e tij edhe ky i huaj për vetveten dhe për botën. Ekzistenca e tij është ajo e një sendi, ku të ekzistosh, do të thotë: “Me qenë aty (“Neveria” e Jean-Paul Sartre) apo “Me qenë i pranishëm” (“Me dyer të mbyllura”, Jean-Paul Sartre). Midis ekzistencës së sendeve dhe atyre njerëzore, për personazhet e Sartrit nuk ka asnjë ndryshim. Kjo i bën ata të ndihen keq. Rokanteni, ndryshe nga Mersoja, nuk e ka kapërcyer rrugën sizifiane, por e përshkon atë njëlloj si Sizifi. Por, ndërsa Sizifi bie për t’u ngritur, Rokanteni është shumë i brishtё dhe bie vazhdimisht. Në ditarin e tij lexojmë: “Prill, maj, qershor 1924, 1925,1926”. Asgjë nuk ka ndryshuar dhe nuk ndryshon në jetën e tij. E ardhmja i shfaqet me fytyrën e një plake, që nuk sjell asgjë të re. Koha na lëndon, sepse ajo na afron drejt vdekjes dhe Rokanteni e di këtë. Ai vuan në një përshtjellim, në një neveri, që në fund e kupton se mbështetet tek absurdi. Në fakt, absurdi nuk është as tek ai, as tek bota, por tek takimi i këtyre të dyjave. Të nesërme nuk ka.
E megjithatë, Rokanteni mundohet të rifillojë, ndoshta, edhe nëpërmjet artit, që, në këtë rast, jepet si shpëtim: “Nëse bota do të ishte e qartë, arti nuk do të ekzistonte” ( Kamy).
Sartrit nuk i mungojnë personazhet e tipit Merso. Garseni apo Inesi, te drama “Me dyer të mbyllura”, janë anti-sizifat, njerëzit që kanë dashur t’i shmangen udhës pa krye, pritjes së gjatë drejt vdekjes. I ndodhur brenda një dhome-ferr, lexuesi e ka të qartë se flitet për një jetë-ferr, më shumë sesa për një botë të përtejme. Dhoma “me dyer të mbyllura” nuk është gjë tjetër vetëm se jeta me liri të kufizuar. Me të hyrë në dialog, Garseni kërkon “hunjtë”. Analogjia na çon te Dantja. Në “Ferrin” e tij, njerëzit i nënshtroheshin torturave me hunj, kurse Garseni, në të kundërt, gjen komoditet, bile edhe mobilim me modë. Kjo nuk do të thotë se “ferri sartrian” është më i butë se ai dantesk, përkundrazi, drama gjenetike është e njëjtë. Le të kujtojmë pak rrathët e “Ferrit” te Dantja dhe rradhën e tyre duke u ngushtuar. Sa më i ngushtë rrethi, aq më poshtë në ferr, aq më të shumta vuajtjet, aq më afër njerëzit. Deri sa vjen një pikë që dikush i ha kokën dikujt tjetër. Imazhet danteske e japin qartë mesazhin. Njeriu ha njerinë. Ndërkohë, personazhet e Sartrit, kur binden se janë në ferr, duan xhelatët, që të kryejnë ritualin, por për xhelatët nuk ka nevojë, siç nuk kishte as edhe në rathët e poshtëm të ferrit dantesk, sepse “secili nga ne është xhelat i dy të tjerëve” dhe “Ferri janë të tjerët”. Këto janë ndër britmat më dëshpëruese të letërsisë botërore. “Pasqyra”, që Inesi kërkon aq shumë, nuk ka ç’i hyn në punë, pasi ajo është ajo që njerëzit duan të jetë dhe jo ajo që ajo ndjen se është. Kjo e bën Inesin të ketë neveri për veten dhe gjenin që përfaqëson, dhe Sartrin të jetë kaq pranë Dantes, megjithëse të dy shkruan të frymëzuar nga bindje të ndryshme, megjithëse të dy e dinin se kujt i drejtoheshin.
Në rrugën e Sizifit, personazhet ekzistencialiste nuk besojnë te Zoti, pasi “Me ose pa pranimin e Zotit, vdekja mbetet vdekje”. Duke qenë absurdë, ata besojnë te Njeriu-Perëndi. Njeriu e krijoi Zotin dhe më pas i dha fytyrën e tij. Ai i atriboi atij forcën pa mëkatin, dëlirësinë dhe më të famshmen, pavdekshmërinë, d.m.th. njeriu i fali fytyrën Zotit, i fali gjithçka që i mungonte, pasi njeriu ka nevojë të besojë. Ndaj Kamyja sqaron: “Pa Zotin, ne do të kishim vrarë veten”. Të besojë apo jo te Zoti, personazhi ekzistencial e di se fati i tij është i përcaktuar, rruga sizifiane ia tregon atë. “Kjo dhomë na priste?”, thotë përsëri Inesi, “Sepse çdo gjë është e parashikuar”, vazhdon Esteri. “Por nga kush?”, pyet lexuesi. “Kuptohet, nga fati njerëzor”, përgjigjet ekzistencialisti.
“Ose ne jemi të lirë e përgjegjës e Zoti është i gjithëpushtetshëm duke qenë dhe përgjegjës i së keqes, ose ne jemi të lirë e përgjegjës, por Zoti nuk është i gjithëpushtetshëm”, thotё Kamy.
Personazhet ekzistencialiste dëshirojnë dhe kështu ata nxitin paradokse. “Njeriu i revoltuar” dëshiron të njohë botën, por ajo mbetet përherë e më e huaj, ai dëshiron të vërë në jetë thënien e Sokratit “Njih vetveten” dhe bindet se filozofi paska pasur të drejtë, kjo qenka puna më e vështirë, ndaj vetes mbetemi përherë e më të huaj, sepse ne ndryshojmë, në një botë që na afron kaq pak ndryshime. Sizifi deshi dhe mund të ndryshonte, por udha e tij mbeti e njëjtë. Dhe ne thamë se në këtë botë jemi Sizifa.
Nga absurdi, personazhi ynë nxjerr tri rrjedhime, ai ndihet i revoltuar, përcakton lirinë dhe pasionin e tij.
NGA FILOZOFIA TE LETЁRSIA
M’u duk më e natyrshme që, pasi t’ju përqasja disi me botën ekzistencialiste, të tregonim së bashku se si kjo botë e madhe filozofike u bë letërsi e madhe.
A.Kamy (Albert Camus), Zh.P.Sartri (Jean-Paul Sartre), A.Zhid (Andre’ Gide), S.de Bovuar (Simone de Beauvoir) janë katër përfaqësuesit më të shquar të kësaj letërsie, që është vlerësuar si një ndër më të mirat e shekullit, mbështetur në filozofinë e ekzistencializmit, që përfaqësonte një epokë në krizë. Ekzistencializmi është një teori pesimiste, që në kundërshtim me idealizmin, pozitivizmin dhe marksizmin nuk të afron ide progresive. Kjo filozofi e konsideron njeriun “të mbaruar”, “të hedhur në këtë botë”, vazhdimisht të torturuar në situata problematike dhe absurde. Njeriu i vetmuar e shqetëson ekzistencializmin.
Ndër përfaqësuesit kryesorë të ekzistencializmit përmendim:
- Filozofikisht, ekzistencializmi trajtohet si periudhë e krizës së filozofisë së Hegelit (Hegel), Shopenhaurit (Schopenhauer), Niçes (Nietzsche) dhe që në veprat letrare ka gjetur shprehjen në veprën e Dostojevskit (Dostoevskij).
- Tek rrënjët e ekzistencializmit kemi veprën e Kierkegardit (Kierkegaard) dhe në letërsi veprën e Kafkës (Franz Kafka).
- Fenomenologjia ka një ndikim të dukshëm në këtë filozofi.
- Filozofët që përfaqësuan ekzistencializmin janë: Martin Hajdeger (Heidegger), “Ekzistenca dhe koha”; Zh.P.Sartri (Jean-Paul Sartre), “Qenia dhe hiçi”, “Ekzistencializmi është humanizëm”; Albert Kamy (Albert Camus), “Njeriu i revoltuar”; Nikola Abanjano (Nicola Abbagnano), Shestov (Šestov), Andre Zhid (Andre Gide), S.de. Bovuar (Simone de Beauvoir), Karl Jaspers (Karl Jaspers), M.M. Ponti (Maurice Merleau-Ponty).
E rëndësishme është të sqarohet se të gjitha traktatet filozofike, sidomos të Sartrit, Kamysë dhe Zhidid, janë jetësuar në art. Ata janë vlerësuar jo se sollën një filozofi të madhe, pasi, siç dimë, kjo nuk është detyra e letërsisë, por sepse ditën ta bëjnë filozofinë e tyre të flasë me fjalë të personazheve. Kështu, ata u bënë më të lexueshëm e më të kuptueshëm. Filozofia i ndihmoi ata, pasi së bashku me letërsinë, ato, të dyja, punojnë me figurat artistike. Letërsia që sollën ekzistencialistët ka ngjyrat e filozofisë së tyre pesimiste. Para kësaj letërsie, lexuesi bie, ndjen neveri, kupton absurdin.
Letërsia dhe filozofia e tyre, gjithsesi, japin të njëjtin mesazh: “Jeta është një aventurë absurde, ku njeriu përpiqet me vetveten sikur të dojë të bëhet Zot… Njeriu mbetet ekzistenca që projekton të jetë Zot, por, në fakt, ai dëshmon për atë që është: një pasion i pamundur”. (Sartri)