“Hë, ma trego të shkretën”, iu ankova, “Boll më ke lënë në merak që dje.”
Shoku im asistonte në kabinetin e psikiatrisë së fakultetit, ndërsa unë në atë të sëmundjeve të brendshme. “Kam një surprizë për ty”, më kishte ngjallur kureshtjen një ditë më parë. “Diçka të hatashme!”. “Jepi, rrëfehu!”, i thashë, por ai ma priti shkurt: “Nesër” dhe u largua.
“Do ishte turp po të mos ma tregoje as sot!”.
“Në rregull”, pranoi dhe filloi: “Një profesori ynë ka kohë që po bën një kërkim. Është sekret ndaj nuk besoj ta dish”.
“Pse sekret?”, e pyeta.
“Sepse po bashkëpunon edhe me policinë”, m’u përgjigj, sikur të donte të ma ngacmonte akoma më shumë kuriozitetin. “Profesorit prej kohësh i sillej në mendje një ide. Herë pas here na jepte detaje rreth saj: ‘Në kujtesën e njeriut regjistrohet çdo gjë. Sikur të mund të gjenim një ilaç, që ta shtypte butonin e kësaj kasete, atëherë do dëgjonim përjetimet nga vetë goja e tij, qoftë edhe kundër dëshirës së vet. Natyrisht, për këtë duhet një vendim i përbashkët midis mjekësisë dhe drejtësisë. Ndërkohë që do tregojë për eksperiencat e kaluara, njeriu do i përjetojë sërish ato ditë. Duke iu referuar gjendjes së tij emocionale në ato momente, do kuptonim se çfarë ndjente kur kryente veprimet në fjalë’.
Këto ide, që neve na dukeshin pak si fanta-shkencë, profesorit i vërtiteshin gjithë kohës në mendje. Po merrej seriozisht me këtë kërkim. Prej muajsh po punonte kokë më kokë me kolegun e tij nga kabineti i farmakologjisë, që të gjente pikërisht ilaçin… Pak ditë më parë realizuan disa prova, që përfunduan me goxha sukses. Në pjesën e fundit më morën edhe mua brenda. Nuk munda t’u besoj syve e veshëve, më iku mendja. Mora leje të vish edhe ti tek një nga eksperimentet. Eja që sot… Hajde, mos vonohemi”.
O Zot i madh! Mos po tallej?
“Shiko”, i thashë duke ecur, “Këta që merren me psikiatri, ndonjëherë seç bëjnë ca gjëra të çuditshme, se mos është edhe kjo ndonjë prej tyre?”.
Buzëqeshi dhe më tha: “Ki durim”.
Pasi arritëm, hymë te dhoma e përgatitur për këtë punë. Edhe profesori ishte brenda. U vështruam në sy.
“Po vjen për herë të dytë”, i tha për mua miku im.
Krahas tij, brenda ndodheshin një sërë profesorësh nga fakulteti, kryeinfermierja dhe njerëz me uniformë.
“Kur të doni mund të fillojmë”, foli i sigurt në vete. Pasi u mor konfirmimi nga të gjithë, procesi filloi.
Eksperimenti bëhej mbi dikë të dyshuar për vrasje. Ai, i shoqëruar nga një polic, u vendos në një pjesë të dhomës, që ndahej me xham prej nesh. Kudo ishin montuar mikrofona dhe censorë, në mënyrë që të mund të dëgjohej edhe zhurma më e vogël. Mbi mur, në një lartësi ku nuk arrinte njeri, ndodhej një ekran gjigand. Profesori kaloi në ndarjen ku rrinte burri bashkë me kryeinfermieren. “Bëjini gjilpërën”, tha. Priti sa mbaroi injektimi në damar. Ndërkohë ndiqte ndryshimet e mundshme tek ai. Më pas i vendosi nëpër krahë dhe në kokë disa kabllo, që dilnin nga aparati me ekran.
Çdo gjë u bë gati. Profesori, infermierja dhe polici dolën nga dhoma.
Aparati me ekran u ndez me telekomandë nga larg. U shfaqën ca imazhe të ngatërruara, të cilave nuk po u jepja dot kuptim. Burri na shihte i habitur, si në një gjendje shoku…
Profesori iu drejtua: “Na trego për çdo ndodhi, që nga fëmijëria jote, qoftë ajo e turpshme, e mërzitshme apo edhe diçka për të cilën je penduar”.
Sytë iu shqyen nga habia… U tmerrua, nuk donte të tregonte. Por ilaçi tashmë e kishte shtypur butonin e kasetës së memories. Edhe pse një pjesë e tij përpëlitej për të mos rrëfyer, do fliste detyrimisht, nuk kishte nga t’ia mbante.
Së pari në ekran u duk një fëmijë… bir i një familjeje të varfër dhe analfabete. Tregonte për vjedhje dhe gjëra të tjera të papërshtatshme, të bëra qysh atëherë. Skuqej e zverdhej, qullej në djersë, por vazhdonte të fliste. Pamjet që ne shikonim në ekran i ngjasonin diçkaje krejt tjetër. Atje shfaqej gjendja e tij emocionale. E pabesueshme!
Sipas natyrës së krimeve të kryera dhe sjelljeve të tij, në ekran herë dilte një ujk i egër, herë një çakall. Nga goja i pikonte gjak, mprihte dhëmbët, zgjaste duart e nxirrte thonjtë. Ndërsa tregonte për veprimet e neveritshme, merrte ca trajta të shpifura, që të hapnin barkun. Atypari ngjante si një krijesë e tërbuar, pastaj, kur qetësohej e ndiente pendesë, e shihte veten si gjallesën më të poshtër, më malinje; sytë i zgurdulloheshin, zorrët i përhapeshin andej-këndej, shndërrohej në një pelte, në një grumbull qelbi, që na përziente stomakun.
Po më vinte keq për atë njeri, por profesori nuk ndalej. Ai i kushtonte seriozitetin e duhur punës që po bëhej, duke zhbiruar çdo skutë të jetës së atij burri. I gjori shpjegonte me detaje për gjithçka pyetej. Nuk donte, por tregonte, duke u kthyer në dëshmitarin e vetvetes. Po dëgjonim dhe shihnim çdo gjë që kish bërë pas dyerve të mbyllura, nëpër cepa dhe në errësirë, pa e parë asnjeri… I mjeri, po merrte fund. Rrëfente edhe për ato çka kishte menduar me vete në të shkuarën… Arrinte deri në ndjenjat e para e çapkënllëqet e fëmijërisë…
Më në fund erdhi momenti i shumëpritur. A ishte ai krimineli i kërkuar nga policia, që kishte vrarë një grua të moshuar, duke i prerë krahët dhe duke i marrë byzylykët? Kur filloi të fliste, na u duk sikur po shihnim ndonjë film policesk.
Tregonte se sa injorant, i paedukuar dhe i egër kishte qenë.
Ndërsa hynte në shtëpinë e të moshuarës, në ekran shfaqej një kafshë e plogët… Ndërsa e vriste, një egërsirë grabitqare… Kur i priste krahët, një vampir që thithte gjak…
Nuk po u besoja syve… Po dridhesha.
Fletorja e kujtimeve të burrit qe hapur. Po e lexonte me gojën e tij… diçka e hatashme! Drejt fundit të procesit, efektet e ilaçit po shuheshin dhe ai, dalëngadalë, po vinte në vete. Kurse unë ndjehesha akoma i hutuar dhe i dehur nga ndikimi i gjithçkaje.
Ah sa mirë, po mendoja, falë Zotit nuk jam akuzuar për asgjë deri më sot. Po sikur të më ndodhte edhe mua kjo? Të ma hapnin fletoren e kujtimeve në mes të të gjithëve dhe njerëzit të shihnin trajtat e mia të fshehta? Do çmendesha, do tërbohesha, do futesha në fund të dheut… Fletoren time, kurrë! Asnjëherë nuk do doja ta lexoja. Ah sikur, dëshirova në atë moment, sikur të jetoja me më shumë kujdes, të mos i trembesha asnjë eksperimenti, të mos mbaja asgjë të turpshme në fletore! A do qe e mundur?
Ndërkohë që më silleshin këto mendime në kokë, profesori m’u afrua. “Dëshironi që ta përsërisim eksperimentin me dikë tjetër?”, iu drejtua të pranishmëve. Pas një hezitimi të shkurtër, ata folën me ndrojtje: “Ndoshta…”.
A mund të bëhej? Nuk e kuptova pse u afrua tek unë dhe më nguli sytë. U stepa i tmerruar. “Hë, si mendon, bir?”, më tha.
”Jo!”, u përgjigja me një zë të sigurt dhe të vendosur: “Jo! Kurrë! E kuptoni se ç’po thoni?”.
Erdhën të gjithë menjëherë drejt meje, filluan të ngulnin këmbë. Madje edhe vetë shoku im. Pale, po më thoshin “Qetësohu!”… Se si do qetësohesha unë, një Zot e di…!
“Jo!”, thirra me sa kisha në kokë, “Jo!”.
Për një moment, ndjeva në ballin e djersitur një dorë të freskët, të njohur. ”Qetësohu bir, je në gjumë”, po më thoshte nëna.
“Oh Perëndi!”, mërmërita, “Paska qenë ëndërr”.
Në darkë fjeta duke menduar kështu gjërash… Me sa duket, mendimet më ishin ngulitur thellë në ndërgjegje…
Nëse ndodh të vijë e të lexojmë me gojën tonë ato çka na janë regjistruar në kujtesë, kushedi si do katandiseshim…
Ah sikur, thashë me vete, sikur të mund ta shkruanim fletoren e jetës nga fillimi!
Përktheu nga turqishtja Besiana Zyfi










