Press "Enter" to skip to content

Sazan GOLIKU: Prozë

 

 

 

BALADA E VAJZËS
Me bërrylat mbi parmakun e dritares, ajo po dëgjonte këngën e Xhim Hendriksit që vinte nga cepi i odës ku ishte kompjuteri:
“Ku shkoi dashuria që patëm të dy?
Mbështetet në portë dhe nis e qan.
Dhe lotët që ranë, barin e thanë.
Dhe kështjella prej rëre ra në det e tëra.”
Sytë e vajzës ishin veshur nga lotët. Ajo nuk e shihte botën poshtë saj në udhën e gjerë se si tërbohej plot epsh në përditëshmërinë e vet drejt fitimit, dëshirave pa kufi, ëndrrave të paarritshme… Herë-herë, ngashërehej e dridhej e tëra. “Ç’të bëj? – pyeti veten. – Tash jam krejt e zbrazët…Të vdes? Kjo është gjëja më e rëndomtë që kanë bërë para meje mijëra vajza. Në jetë dhe romane. Të hakmerrem ndaj tij, duke u bërë lavire? S’do ta bëja dot. Ta vras? Po ai është aq i mirë. Ç’faj ka ai që s’më do?! Ta harroj sikur s’e kam njohur kurrë, po ja që s’e harroj dot!
Atëherë ajo iu drejtua Zotit: – O Perëndi! Bëj që ta harroj këtë dashuri dhe të më lehtësohet shpirti!
Po Zoti, nuk dihet pse, nuk e dëgjoi.
Dhe vajza e dëshpëruar, më tepër se e zemëruar, iu drejtua Satanait:
– Atëherë më ndihmo ti, të harroj gjithçka, ti që shkatërron gjithçka!
Dhe Satanai iu përgjegj: – Prit, prit, mos u ngut se do të të ndih.
Dhe vajza priti e priti, u thinj e u rrudh, u kërrus e u mpak, harroi gjithçka dhe harroi të vdiste.

Pages: 1 2 3 4 5

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *