Pandeli Koçi, i njohur me emrin letrar Sazan Goliku, ka lindur në Vlorë më 6 janar të vitit 1942. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu ne qytetin e lindjes, ndërsa u diplomua në Universitetin e Tiranës në fakultetin Histori-Filologji, dega Gjuhë shqipe dhe Letërsi. Fillimisht punoi si mësues dhe gazetar e më pas si redaktor në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Profesionin e redaktorit e ka ushtruar në disa institucione shtetërore. Eshte kritik dhe studiues i mirrëfilltë i letërsisë shqipe. Që nga dhjetori i vitit 2008 ështe zgjedhur kryetar i Shoqatës së Letërsisë për Fëmijë. Eshtë autor i shumë librave për të rritur dhe fëmijë. Pasioni.net ofron disa proza të shkurtra nga ky shkrimtar i njohur.
PARA MBYLLJES SË ZYRËS
Pasi u ngjit me këmbë në katin e pestë të pallatit EDEN dhe u rrotullua në tri mesore, dramaturgu Ar. Mi. qëndroi para zyrës me numër 99. Iu duk për një grimë se syzet iu veshën me mjellnajzë. U gëlltit, trokiti dhe hyri. Menazheri WW ngriti kokën nga ca shkresa dhe e pa. Më tepër se habi, pikëpyetja e syve të tij thoshte: “Ç’dreqin do!?”
– Kam ardhur… se… në shumën e dollarëve sipas…
– Më duket se jemi likuiduar bashkë, – ia preu me një ironi të thatë WW.
– Më detyroheni dhe dhjetë dollarë, – ia ktheu me zë të akullt dramaturgu.
“Ebre i qelbur”, tha me vete WW. – Doni nga unë dhjetë dollarë?
Syzet e dramaturgut sikur u veshën sërish me mjellnajzë.
– Dua dollarët e mi. – Toni i zërit tash kishte brenda një kërcënim të rrezikshëm.
WW mblodhi buzët, nxori nga sirtari dy kartëmonedha dhjetë dollarësh dhe i hodhi mbi tryezë me një shprehje që nuk ishte larg neverisë.
Dramaturgu mori njërën kartëmonedhë dhe, pa ia hequr sytë WW-së, e grisi në dy, katër, tetë pjesë dhe, pa i lëvizur po ashtu asnjë rrudhë në fytyrë, ia flaku në turi.
– Këtë, – i tha duke i treguar kartëmonedhën tjetër, – fute në prapanicë. – Dhe doli pa e përplasur derën.
Menaxherit WW i mbetën sytë të ngrirë në një pikë. Pas disa minutash u përmend dhe tha me zë: – Do ta hedh në gjyq për shpërdorim paraje dhe fyerje. – Dhe mori frymë thellë i lehtësuar e i kënaqur me veten, edhe pse e dinte mirë se denoncimi nuk kishte për t’u pranuar.






Be First to Comment