Press "Enter" to skip to content

Sarabanda dhe Vilanele

Madrigal

muzgu që bie në terr
si gjoksi i një kali të zi në luftë

ah, s’ka asnjë kujtim
sado i ndritshëm të jetë
që të mos shuhet

t’dashurosh gjurmën e një trupi në rërë
më shumë sesa gruan
që ka qen’ shtrirë në të

me gërshetat e zinj t’valëzuar
që shpërhapen si hardhitë
e reja në kopsht

e gishtat delikatë me nuancë
të kuqe zambakësh uji
në maj

nuk ka asnjë kujtim t’mos shuhet
sado të jetë
i flaktë

buzëqeshja e vajzës që shkoi
si presa e ndritshme e një shpate
atje ku e shkuara shkon përgjithmonë

paj, tehu i mprehtë i gulshit të epshit
e kënga e gjinkallave që bie si shi
i beftë nga qielli i verës

palca e eshtrave tona kthyer në vezullim
venat e gjakut n’fije zjarri të vrulltë

po s’ka asnjë kujtim
sado të jet’ i dhembshëm
që të mos shuhet…

Sarabandë, 1

përbëhet prej shum` të tanishmeve
gjithherë një “përgjithmonë”

përplasja e qerpikëve si krahët e kolibrit
kujtesa e fortë e gjakut
tonë
gruaja me flokë uji nën diell
e nxehtë si një shkurtë në afsh
hapja e dritares gjerësisht
për të pirë gjith` ditën e marsit
lulëzimi i bardhë i pemëve
si qumështi i gjirit të tokës
që rrjedh
kthesat fisnike që vizaton një çafkë
përgjatë qiellit në muzgun
e qetë

ah, se gjithmon’ një “përgjithmonë”
përbëhet nga shum` të tanishme

“sërish e sërish shtrirë të dy poshtë
midis luleve ballë për ballë
me qiellin”
të jesh në ekstazë e iluzion
si një mënyr` për të theksuar stilin
nuse është emri që i thërras një vajze
një fluture, një peme molle
një ylli
e dëshpërimi që detyrohet e mediton
se duhet të zgjedhë midis gjakut
e lotëve

përbëhet prej shum` të tanishmeve
gjithherë një “përgjithmonë”

e blerta blu-marine e Bryzhit
kulti i formës si esenc` e thelbësores
parfumi i njom` mbi krahë, nëpër trup, i gruas
parfum prerie e bari të thatë ngjyr’ jargavani
afër flokëve…

Sarabandë, 2

lër gjithçka të të ndodhë
bukuri, hov, tmerr *

lumturia më e madhe në botë
që ësht` ajo e një iluzioni tjetër
Buda në lavdi, forma e ujit
hareja e virgjër e luleve
dehja e bletëve
dashuria e thell` që ësht` të shohësh
te një njeri i përditshëm bukurin` e përjetshme
yllësimi, shkulmi, humnerimi, lulëzimi
misteri me themele n`mungesën si prani
tramundana që merr gjethen e vyshkur
të mendjes

ah, ashk, shend, llahtari
gjithçka të të ndodhë, lër

sytë që duken ëmbëlsisht tragjikë
lajthia që këndon n`gjuhën tënde
aromën e vet
lavdia e buzëve, e trëndafilave të kuq
si flakë që burojnë nga toka në vesk
retë ornamentale, këngët e dëshirimeve
gremina e dridhshme në natën e botës
puthja e ballit të gruas me delikatesën e zefirit
e solemnitetin e Solomonit
marrëzia e hershme e asketizmit
forca e jetës që gjendet te gjuha e shprehjes

lër gjithçka të të ndodhë
bukuri, himn, tmerr

melankolia e qëndresës së vonë
dinjiteti i qetë i dhembjes
ngrohtësia shtypëse e zjarrit dhe afshit
në vatrën e kasolles së kreshtës
e njeriu që përgjunjet vetëm kur falet
a për të njohur vetveten…

Sarabandë, 3

nëse s`mund të jesh poet
ji thjesht poezi

soneti i trëndafilit të Orfeut
ora solemne e ngazëllimit
afshi i manifestit t`ligjeve të së fshehtës
qeshja që shkëlqen si lulja mes dy stinëve
magjepsja prej së bukurës si një vello
që mbulon n`ajth një pikëllim
a një ankth
lindja e diellit teksa prek tokën
e dhitë që fërkohen pas murit të vathës
himnet e hovshëm t`mosndërprerjes së kohës
devotshmëria si forma e ndriçimit
e pashkatërrueshmja e çastit të flakës e flladit
retë e reja që ikin drejt veriut
me dëlirësinë e argjendit të vet

ji poezi, shpirt, nëse s’mund
të jesh poet

pasioni i ritmit, i fishekzjarrëve, i lotëve
për vajzën e re si zambak lëndine
bora e lëshuar nga qielli gjith` e bardh` e përsosur
me qashtërsin` e pafajshme të një fëmije
drita e parë n`ag mbi plazhet e natës në Spille`
dunat epistemologjike, teleferikët e skive

nëse s`mund të jesh poet
ji, ah, poezi

mëllenja e fshehur mes gjetheve t`një gështenje
ajri i mbushur me aromën e murrizit të ri
poema për motoçikletat me feksje t`argjendtë
e ngjyrash të ndezura të vrullshme
peizazhet e emigrimit, qartësia e t`përfytyruarës
a mesdita e një dite t`përmallshme, të ngrohtë vere
me gjurmët e valleve t`perëndive fisnike…

Vilanelë, 1

çdo gjë ësht’ e thjeshtë
si mësimi i puthjes

vezullimi i zjarrit të brendshëm
drita e zambakut të fushës
vallja shamanike n`ujvarë
struktura sintaksore e realitetit
tingëllimi i kudhrës së farkëtarit
dija jonë e përsosjes
ah, se një me lumin e qenies
lotët e ëmbël të rinisë
lotët e njelmët të të vjetërve

porsi mësimi i puthjes
seç ësht` çdo gjë e lehtë

përplasja e valëve në shtuf
firoma e amësht e bisqeve
ajthi i mallit mes shkulmesh
kurmi i vajzës së vogël
me arom` luleshëngjergji
bota që përbëhet nga fjalë
bletët nëpër arin e kolzës
t`folurit me saktësin` e rreptë
që kërkojn` çastet e fundit

seç çdo gjë, paj, e thjeshtë
si mësimi i puthjes

jeta që na krijon ngaherë
t`rrojturit për mall e kujtime
violina e trupit të gruas
n`tinguj gishtërinjsh afshi
floriri vjeshtor i vidheve…

Vilanelë, 2

kur çlirohem nga ai që jam
bëhem ai që mund t`jem

visi i largët mjegullor ndriçuar e rrënuar
nga dashuritë e dhembjet

burbujë krahësh gugurues pëllumbash
tek përplasen n`shend në një ftua
të gjelbër

përmallje e egër n`kërkim të diçkaje absolute
që bashkon fjalë, si: baba, Zot, det, dëlirje
vdekje, poemë, ajth, vuajtje

përshkënditje përlotjeje e melankolisë
së re të mugët

ah, se bëhem ajo çka mund t`jem
kur çlirohem nga ajo ç`jam

dije e të shenjtëve që buron
prej përvojës së vet mëkatare

shtëpia e shkret` kur ikin përgjithmon` qeniet
që u dashuruan e u plaguan
brenda saj

energji e brendshme për tmerr si një përzierje
fuqie kozmike, urrejtjeje, afshi
trishtimi, hareje

kur çlirohem nga ai që jam
bëhem ai që mund t`jem

dalldia epshore e heroit
n`çastin më të rrezikshëm të betejës

magjepsje që jep humnera e errtë natën me hënë
ndërliksje dëlirësie e sensualiteti të fshehtë

stuhit` e mëdha që ëndërrojn` detet kur flenë…

Vilanelë, 3

ah, dija ime e përsosjes
tretur në një me lumin e qenies

dita më e bukur që ësht` veç e sotme
t`besuarit e çmendur ende te atdheu
lumturia që kthjellet te qetësia
e thjeshtë e gjërave përditësore
tryeza, karrigia, fjala, libri
çaji, shenja në mes faqeve
heshtja që bie midis dy trëndafilave
përndritja që vjen kur një valë kupton
se ësht` oqeani

joshja e vrikshme që fshik afshin o vdekjen
himnet e profetëve, fjordet e përbormë

bërë një me lumin e qenies
bre, dija ime e përsosjes

drita e pakrahasueshme pranverore madrilene
tek shndërron gjithçka n`tis porcelani
shpirti që kërkon vende të largëta
pa mall, atdhe e kujtesë
vdekja e përkryer ku flak`ron ende frymëzimi
si flakëron tokën
perëndimi i diellit

paj, dija ime e përsosjes
tretur në një me lumin e qenies

gonxhja e trëndafilt` e veshit të së dashurës
rrëqethur prej puthjes, buzëve n`shkulm t`rrëmetit
dhëmbëve të fortë, borë të bardh` e të lagësht
petalja e merme që bie nga jasemini
guaska që ka mall për perlën e saj…

∗ Sarabandë, (nga spanjishtja: zarabandë, lloj valleje popullore spanjolle e shek. XVII), suitë në muzikë, kompozim që përbëhet prej kohësh kontrastuese, epike dhe lirike, ndërthurur me njëra-tjetrën. Në rastin tonë, të përdorimit të këtij termi, si emërtim i këtij cikli lirik, (ashtu si në cikle të tjera: lid-e, samsara, vilanele, etj.), është thjesht si element formal estetik, pa patur lidhje me strukturën e këtij zhanri artistik.
*Vilanelë, (nga italishtja- villanella), këngë ose valle e kënduar popullore e traditës së hershme italiane folklorike rustike, ( me përmbajtje fshatarake e pastorale), e ndërtuar me 19 vargje, 5 tercina dhe 1 katrenë, ku vargu i tretë përsëritet si refren në strofën e tretë dhe të pestë dhe po kështu përsëritja e alternuar e vargut të tretë përkatës, e strofës së dytë në strofën e katërt, dhe të vargjeve refren, si reprizë në katrenën përmbyllëse. Vilanele të bukura kanë shkruar dhe poetë të shekullit XX, si ata anglezë: D. Tomas, W. Auden; amerikanë: E. Arlington Robinson, E. Bishop, S. Plath, etj.. Në rastin e këtij cikli lirik, vilanelë nuk ka lidhje me strukturën përmbajtësore- ritmike të kësaj tradite folklorike, por është përdorur thjesht si element formal estetik.

(Shkëputur nga Revista Letrare – Vjeshtë 2023)

Autori
Durim Çaça