Press "Enter" to skip to content

Matanë lumturisë

Në rrugicën e zbrazët, shiu kish nisur të pikonte përtueshëm. Pasditja kishte ardhur pa u ndier dhe ky shi i beftë, por dembel, nuk e theu qetësinë që zotëronte shumicën e herëve në atë pjesë tipike të qytetit. Biles ndonjërit që donte të çlodhej në atë qytet të zhurmshëm, i thonin si me shaka:
– Shko andej. Aty të zë gjumi në këmbë!
Shiu vazhdonte punën e tij. Rrugica ishte përbaltur. Në ndërtesën përbri, në një nga dritaret e saj dukej një kokë e thinjur. Ishte xha Agroni. Kishte më shumë se dy orë që rrinte aty. Tymi i cigares së dredhur trazonte ajrin e rëndë të dhomës. Të tjerët kishin rënë në gjumë. Gjumi i drekës në shtëpinë e të moshuarve dukej se zgjaste një ditë të tërë. Nganjëherë e kishe të vështirë të kuptoje se kur niste dita e kur mbaronte nata. E megjithatë, vjeshta kishte ardhur.
Xha Agroni e kish parandjerë nisjen e shiut. Gjithmonë i kishte besuar reumatizmës së tij. Ish mbështetur te parvazi i dritares që në mesditë dhe herë pas here lëshonte në ajrin e varfër tymin e cigares së falur.
Ajo dritare ishte qoshja e tij. Ulej aty me orë të tëra dhe sodiste gati vjedhurazi lëvizjet e anëtarëve të familjes që jetonte përballë, në anën tjetër të rrugës. Ua kishte mësuar përmendësh të gjitha oraret, veset dhe jetonte natyrshëm me shqetësimet dhe emocionet e tyre, edhe pse asgjë s’e lidhte me atë familje. Madje as nuk i flisnin njëri-tjetrit. Aq rrallë sa dilte ai, vetëm ndonjë i moshuar e merrte me nge bisedën me të. E megjithatë ai shqetësohej sinqerisht për ta.
– Shumë u vonua në shkollë, ky qerratai i vogël! – thoshte me vete, para se të lexonte që përtej dritares qortimet e mamasë së djalit të vogël të shtëpisë sa herë që ai kthehej vonë në shtëpi.
Shiu po lotonte më me dënesë. Ai fshinte vazhdimisht me pëllëmbën e tharë të dorës bulëzat e avullit që mbinin në xham.
– U rëntë pika të bekuarave! Nuk po më lënë të shoh! – mallkonte me vete sa herë që ato bulëza pikturoheshin në avuj të turbullt.
Sado që i fshinte avujt në dritaren e tij, në shtëpinë matanë askush nuk kujtohej për shiun. Xhami i dritares së tyre po vishej në një të bardhë të hirtë. Sytë e tij tanimë mezi dallonin ca silueta të lëvizshme, që gjithsesi ai i njihte mirë. Shiu nuk po pushonte.
Tani në shtëpinë e të moshuarve jepej vakti i darkës. Shumica e tyre as që e kishin ndërmend të ngriheshin për një gotë çaj që do u jepnin në darkë.
– Për çaj e djathë, më mirë s’e prish terezinë fare. I pangopur se i pangopur, të paktën më mirë të ngopem me gjumë, – ngrinte zërin që nga shtrati i tij më i vjetri i të moshuarve, sa herë dëgjonte zërin e kuzhinieres t’i thërriste për të ngrënë.
Të tjerët e miratonin me tundje koke.
– Do vish ti? – dëgjoi zërin e arnuar të kuzhinieres.
– Hë, se do vij më vonë, – ia ktheu ai pa i shqitur sytë nga dritarja.
Në fakt, sytë gati sa s’po i mbylleshin. Kishte orë të tëra ngjeshur pas karriges së ftohtë.
Nga shtëpia matanë nuk shquante dot më asgjë. Shiu qe bërë i pamëshirshëm.
Por ai e dinte. Tani ata do shtronin tryezën, do hanin darkë, do uleshin rreth sobës e do bisedonin. Ndonjëherë dhe do qeshnin…
Dhe ai, që matanë rrugicës, xhamit… lumturisë, do u thoshte me zë të ulët, pa i trazuar:
– Natën e mirë!

(Shkëputur nga libri “Dallori i shpirtit tim”)

 

Pak fjalë për autoren

Në përmbledhjen “Dallori i shpirtit tim” përfshihet krijimtaria letrare e Sabajeta Peposhit (poezi, proza, ese). Botimi i krijimtarisë letrare vjen jo vetëm si një shenjë nderimi për autoren, e cila u nda nga jeta pa i mbushur 24 vjetët, por dhe si respekt dhe detyrim ndaj një arti cilësor.
Sabajeta Peposhi në moshën 21-vjeçare pothuajse e mbylli krijimtarinë e vet.
Kështu i erdhën rrethanat ose i ftoi me vetëdije të plotë rrethana të tilla të ndërpriste krijimin. Mbi këtë moshë, ajo shkroi pak proza, tek-tuk edhe ndonjë poezi që e shënoi në fletoret e leksioneve kur ndiqte Fakultetin e Gazetarisë.
Ishte një zë i freskët, i çelur bukur, me një çelje plot dritë të shkëlqimtë.
Sabajeta Peposhi lindi në Kukës më 20 qershor 1986.
Gradualisht u përpoq të formësonte profilin e vet dhe përveçse të ruante brishtësinë, delikatesën dhe të njerëzishmen u fut në fushën e letërsisë, e pajisur me ndjesinë e të shkruarit, me talentin fort të dhuntishëm dhe me punën përkushtuese njëkohësisht.
Qe shumë filozofike në konceptet që parashtronte në shkrimet e saj.
– Në vitin 1998, në moshën 12-vjeçare, në konkursin letrar të nxënësve të shkollave tetëvjeçare të Kukësit, fitoi vendin e parë.
– Në vitin 1999, në moshën 13-vjeçare botoi përmbledhjen poetike “Në qetësinë e qiellit” (Kl. letrar “A. Pashku”, Kukës).
– Qysh prej asaj kohe botoi cikle me poezi dhe prozë në organe të ndryshme letrare (Tiranë, Prishtinë, Shkup); përfshihet gjithashtu me dhjetë proza në përmbledhjen “Para pasqyrës” (2004), si dhe me esenë “Karvani i yjeve të përlotur” në përmbledhjen “Fjala në litar” (Shkrime për Havzi Nelën), 2005.
– Në vitin 2004, fitoi vendin e parë në Konkursin letrar të nxënësve të shkollës së mesme “E. Çabej” (Tiranë), me poezinë “Atdheu” dhe vendin e dytë me prozën “Lëmshi”.
– Maj 2008, botoi përmbledhjen me proza “Mungesë në ballo” (Ombra GVG).
– 2 korrik 2008, në Ditën e Komunikimit në Departamentin e Gazetarisë, mori çmimin e parë (Atelieja e radios)
– Në vitin 2008 mbaroi Fakultetin (Dega gazetari, Tiranë)
– 2008, 2009, deri në mars 2010, punoi në disa organe shtypi të Tiranës.
– U nda nga jeta më 27 prill 2010.
– Në fund të vitit 2010, proza e saj “Në tren”, përfshihet në Antologjinë “Shqipëria tregon. 1991-2010”, përgatitur nga A. Klosi dhe E. Demo, por që autorja nuk pati fatin ta shihte një libër të tillë.
– Maj 2014. Klubi letrar “Anton Pashku” Kukës, themelon çmimin letrar “Sabajeta Peposhi”, si shenjë nderuese për të talentuarën Peposhi dhe njëkohësisht nxitje për krijuesit e rinj.

Përgatiti: Petrit Palushi

 

Autori
Sabajeta Peposhi