Press "Enter" to skip to content

Cikël poetik

Eva

Kur trupi im është me trupin tënd të zhveshur,
Ditëve të verës, me këngët monotone të gjinkallave,
shoh pjesën tënde të bardhë tek ngjitet në qiej,
sipër kambanarëve, deteve dhe maleve,

Në ca parajsa, që as emrin nuk ua dimë.

Por gjysma tjetër e errët mbetet me mua, këtu poshtë,
me gurët, pluhurin dhe rrënjët e bimëve a të pemëve,
më tërheq me forcë tek hijet e pasdrekës së vonë,
në thellësirat e parajsave të vërteta a të rreme,

me rënkime, që aq mirë kuptimin ua dimë.

Trishtim

Nuk ishte e lehtë të vështroja horizontet e largët
nga bregu i detit. Të ëndërroja vendet që nuk do t’i shihnja kurrë.
Brigjet e Italisë, Francën, Spanjën,
Amerikën e Largët, a Saharën e pluhurt e të shkretë,
Ishullin e Kruzos, vendet për të cilat flet Guliveri,
Dhe guvat e detit, që më kujtonin se njeriu
gjithmonë do ta ketë shtëpinë e vet.

Njeriu udhëton nëpër Botë që ta zbusë trishtimin.

Përherë e më shpesh bredh nëpër botë;
nga brigjet e Paqësorit a nga ishujt e Atlantikut,
nga lartësia e Murit të Madh, a nga një ajsberg në Antarktikë.
Ngrihem majë gishtërinjve që ta shoh edhe njëherë
atë fëmijën që e lashë në bregun e Adriatikut,
duke ëndërruar për vendet e panjohura, që nuk do t’i shihte kurrë.

Trishtimi më thotë se ende nuk e kam nisur udhëtimin!

Argonautët

Askush nuk i kujton më argonautët,
por ne, një grusht njerëzish disi të fantaksur,
vazhdojmë të presim në breg kthimin e tyre;
herë pas here një pulëbardhë e gjakosur,
na thotë se i ka parë në vorbullat e Bermudës,
atje ku dallgët janë më të larta se Olimpi.

Dhe ne me kokëfortësi vazhdojmë të presim.
Netëve shohim të njëjtët yje që shohin dhe ata,
derisa ndjejmë etjen e tyre në buzët tona të thara.
Uria është kudo e njëjtë. Dhe vdekja po ashtu!

E gjithë jeta jonë është pritja e kthimit të tyre,
një grusht njerëzish që bëhemi përherë e më të pakët.
Sa herë që një pritës nga radhët tona vdes,
e dimë se njëri nga marinarët e Jazonit ka vdekur.
Kufomën e hedhim në thellësitë e detit,
siç bëjnë në largësi dhe argonautët.

E gjithë jeta jonë është pritja e kthimit të tyre!
Tani gjithnjë e më tepër tregojmë për bëmat e argonautëve,
skicojmë harta vendesh të largëta,
flasim për ishuj misteriozë, për vorbullat e Bermudës,
lëkurën e kemi të rreshkur nga dielli, nga ernat dhe kripa e detit
dhe jemi fare të pakët.

Dhe fëmijët e fëmijëve tanë do ngulin këmbë një ditë,
se argonautët ishim ne, që kemi pritë!

Sa shpejt

Sa shpejt lotët thahen dhe nata
të premton një fillim të ri,
nëse ti e shmang çatinë,
dhe vështron trenat që kalojnë pranë,
në një nivel me shkallët,
që ofrojnë siguri.
Madje mund të përfytyrosh dhe fluturimin,
drejt një vendi që nuk ia gjen as emrin.
Joshja e rënies së lirë,
për fat është larg, në libra fizike,
në formulat e ngatërruara të Isak Njutonit.
Por ti mos qaj në korridor,
qoftë dhe fshehurazi nga të tjerët.
Ji mirënjohës që më së fundi i lyen,
në ngjyrë kanarine muret e dhomës.
Kafazi yt është në ngjyrë të çelët,
Kafazi yt është i ngrohtë, i mirë,
s’ka arsye t’ua prishësh gjumin të tjerëve,

nuk ka kuptim përpjekja të jesh i lirë.

Autori
Rudolf Marku