Letër
Në grumbullin e letrave të padërguara,
qëndronte në një cep dhe e jotja,
kaq e vogël,
mbartëse e fjalëve të shpirtit,
që pena i dha jetë në një çast,
mbetur brenda një zarfi,
sirtarit të bardhë të ëndrrave.
A thua s’e kam nisur,
sepse shkrimin e përkryer e paskan zhbërë dy lot?!
Të prita
Të prita atëherë…
me sytë ngulitur asaj kthine,
ku nga çasti në çast do të shfaqeshe,
por ti kishe humbur,
në kushedi ç’shtigje të panjohura,
në kushedi ç’qiej mbuluar me re…
Të prita atëherë…
me ankthin që në gji më shtrëngonte,
në pritje të paqes së dlirë,
pjesës përmbushëse të një mozaiku,
që të “falte lirinë”,
me ngjyrat drejt mureve kacavjerrë,
si një shpend krahëthyer,
që të fluturonte,
s’do të mundte asnjëherë…
Të prita të shfaqeshe asaj kthine të vdekur,
vështrimin pezull, fytyrën pa shprehi,
ngatërruar mendimeve që mokra s’kish thërrmuar,
me frikën se vërtet do të vije.
Lumi
Vrapit drejt detit,
puthte kurmin e zhuritur të tokës,
e shtrati shndërrohej në prehër adhurimi,
ku gjithçka,
e dehur nga pritja,
shuante etjen magjepsjes,
thelluar në gjurmë fryme,
feksjes së dritës në shkreptimë dëshire… Nganjëherë,
zbrazte mllefin e papërmbajtur të një shtrëngate,
shkatërronte me shkulm ç’gjente përpara,
duke lënë pas lot e dhimbje,
e dashurinë udhëhumbur,
rrëzuar kafshimit,
nën petkun e vetmive që jepte shpirt.
Foleja
Zhvendosej ngadalë akuarelit në lëvizje,
nën shiun që rrëzohej me vrull,
e me rrathë eliptik
shpërhapte rrëfenjat e një foleje
që heshtur qëndronte pemës së zhveshur
reve shpëlarë
si kujtim i një dashurie…!
Shpirt i zbrazur
Shpirt i zbrazur,
kur mëngjeset të bëhen të hirtë
mesdita të trumbetojë me mburrje
mbrëmjet të mos thonë më natën e mirë
misteret kur të përzien
e petkat frymën ta zënë pa mëshirë,
shko,
shko me dritën e përkorë të mëngjesit
shpirt i gjorë
shko larg stërkalave të një pështyme
ngrehës së egër me mure ligavecë
shko me tërsëllimën e portës që i kyç,
grua,
me fytyrën e imët plot quka
vish forcën e rebelimit
e me frymën e brishtë brenda brinjëve
vrullin e verbër të zemërimit
të kuisjes së çiliminjve,
të fisnikërisë së thinjave,
gris pergamenën e mimikës kërcënuese
e në ag të jetës, shko, tako vetveten!






