Press "Enter" to skip to content

Poezi

Heshtja

A e ndin si gërset heshtja…
Tingulli i përgjet kanatave të dritares
kur era i shkapetë mnershëm
si duartrokitje në nji teatër pa spektatorë
He, a e ndin?
Vene dorën mbas veshit
që zhumhuri i saj të ndalet në pëllambë e t’i lidhin ny vijat e fatit
si shtregulla në degët e mandit
atje në oborrin me dashni të virgjna…
Ndije tue gersitë si trenat e çatisë
netve kur tespijet e gjyshes numrojnë lutjet,
kur fletët e shkyeme të ditarit përtërijnë puthjet e padhana,
kur plasat e murit lidhen bishtalec
e perdet më kot rreken me iu ba fjongo…
A e ndin si gërset heshtja, malli jem,
a e ndin…

Laradash

Mundesh me ia tundë grushtet qiellit
e me pritë kur thonjtë e ngulun në mish
t’i theqafin mnershëm vijat e fatit.
Mundesh me kafshue buzët. Vikamën
mundesh me e shkapetë ndër dyer të mbylluna
a dritare t’qorrueme prej perdesh errcake.
Mundesh me zbathë këpucët
e me pa si guralecat plotësojnë nji pazëll absurd
ndër thembrat e përbaltuna.
Shpindën mundesh me e qindisë me mea culpa mavi
derisa nyjet të mrrolen si tespijet në prehnin e gjyshes.
Mundesh me shkye fletë kalendarësh
tue shpresue se postieri ka me ta sjellë në prag
andrrën e pshtjellun me fjongo kallpe.
Nji lypsit mundesh me ia falë kashatën e mbrame
e ndër brryla urash me varë drynj dashnorësh
që ua ke harrue bojën e syve.
Laradash mundesh me ba…
gjithqysh ardhmënia ka me të rrakapujë në kërthizë të moteve
ku ke me cakrrue nji gotë me miq e me uru çiltër:
Gëzuar!

Rrugëtim

Rrugtimin e nisa nga fundi
kësisoj stacionet më kthyen përherë shpinden
si dordoleci dyzimit të lulediellit.
Takimet më mbeten peng i fytit hollak
të orës me ranë
që i kapërdin puthjet pa ua ndi shijen.
Çarçafat i gjeta zhubël
prejse mbërrita vonë ndër hotelet
ku recepsionisti dremit
pa dashtë me ia ditë për ngutin e dashnorëve.
Kalendarëve ua shkyva fletët
pa pritë me i shënue datat
me shende lindjesh e idhti mortesh.
Dollitë i ngrita me fund
pa e lanë shkumen me u derdhe mbi sofrabezin me njolla gostish pagojce.
E di, malli jem,
ti ke me m’pritë përhanshem,
gjithqysh ta nisi rrugtimin…

Autori
Rozafa Shpuza

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *