Rita Petro ka lindur në Tiranë më 13 mars 1962. Në vitet 1980-1984 ka kryer studimet në Universitetin e Tiranës, Dega Gjuhë Shqipe dhe Letërsi. Më 1993 është specializuar në Universitetin e Athinës për filozofi dhe kulturë greke. Që prej vitit 1985 deri në vitin 2000 ka punuar redaktore në shtëpinë botuese të Librit Shkollor. Nga ajo kohë e deri më sot është angazhuar me përgatitjen dhe botimin e një varg tekstesh mbi letërsinë shqiptare dhe atë botërore që përdoren në shkolla në Shqipëri e Kosovë.
Nga viti 2000 së bashku me Latif Ajrullain nga Maqedonia themeluan shtëpinë botuese ALBAS me seli në Tiranë, Tetovë e Prishtinë. Rita Petro ka botuar disa vëllime me poezi, të cilat janë vlerësuar mjaft nga kritika letrare, si “Vargje të përfolura” 1993, “Shija e instiktit” 1998, “Këtu poshtë këndohet live” 2002. Pasioni.net boton disa prej poezive të saj.
Për ty
Me duart e tua prej burri
Më ke shtrënguar për krahësh
Dhe ke lënë atje
Shenjën e bardhë të gishtërinjve,
Me zjarrin e syve
Ma ke përpirë vështrimin
Në bebëzat e tua,
Me çmendurinë e ëndërrave të fundme
Më ke pështjellë në rrjetëzën e t yre.
Magjepsem dhe trembem
Prej fuqisë sate,
Me bisht të syrit kërkoj
Një shteg të lirë arratisjeje.
Ti më dnjen,
Zemërohesh dhe më lëshon
Krahëkëputur,
Por unë,
Pa bërë një hap prapa
Sulem e vetëpështillem
Mes fijeve të mëndafshta.
Kulari me aromë parfumi
Prapa qafës tënde të fortë dhe të ashpër
Si qafa e demit
Kam lidhur duart e mia të brishta,
Dhe ti, që s’ke pyetur kurrë për zgjedhë
Rri tunduar në kularin
Me aromë parfumi.
O krenari mashkullore!
Ku vallë t’u tretën hapësirat e virgjëra,
Që ëndërrove t’u turreshe,
Gjak të pikonin prej teje.
Në muajin maj
Në natën e ngrohtë, në qiellin e lartë
Hëna seç mburret, me barkun e bardhë.
Poshtë në lëndinë, mbi barin e njomë
Vashë e dashuruar barkun zbulon.
Ca njolla të vogla mbi barkun e bardhë…
Ç’u çvirgjërua bota në muajin maj!
Besa
Ju betohem,
Nuk isha unë që e humba atë
Besa më doli e pabesë,
Nga shpirt
M’u shndërrua në Mish të Huaj
Brenda trupit.
Mjekët më këshilluan ta hiqja…
Tani kam në bark
Vragën e plagës së qepur,
Dikush thotë
Dukem më seksi.
Kafenë e pimë
Kafenë e pimë,
Llumi mbeti në fund të filxhanit.
Cigaren e pimë,
Hiri mbeti në llumin e kafes.
Fjalët i thamë,
Zëri mbeti në gotën e zbrazët.
Dashuri nuk bëmë,
Shpresa mbeti në fund të zemrës.
Tek grindemi
Tek grindemi
Ikim nga njëri-tjetri,
Tek ikim
Mendojmë si do të kthehemi,
Tek kthehemi
Dëshirojmë të falim,
Tek falim
Humbasim diçka nga vetvetja,
Tek humbasim
Fitojmë sërish njëri-tjetrin.
Liria!?
Kam mbetur në fillim të një rruge
Që s’i duket fundi,
Me lirinë e madhe
Në duart e mia të vogla.
Askush nuk më ka mësuar
Ç’të bëj me lirinë e tepërt…
Natën
E shoh veten në ëndërr
Të gozhduar në trupin tënd,
Në mëngjes arsyeja,
Djalli më i keq që krijoi Zoti,
Më thotë:
“Respekto lirinë tënde!”
“Respekto lirinë e tjetrit!”
Në djall liria jote!
Në djall liria ime!
Rroftë robëria e shpirtit!
Ne jemi dy gra që të presim
Ne jemi dy gra që të presim,
Ajo me sytë nga dera
Unë me sytë nga qielli,
Ajo shkon e vjen nga korridori në dritare,
Unë rrezikoj tek kapërcej trotuaret,
Ajo ta ndreq shtratin më mirë se gjithmonë,
Unë shkruaj vargje dhe në xhep i zhubros,
Ajo e shtron dhe e ngre tryezën
Kur e sheh që ti s’vjen,
Unë këpus gjethe dhe përdhe i hedh,
Ajo shkon te fqinja dyshimet të harrojë
Unë e di, atje së pari do të shkosh.
Veç nesër
Mëngjesi të ardhtë
Në formën e shëmbëllimit tim.
I burgosuri im
I burgosuri im i përjetshëm,
Në fshehtësinë më të thellë
Të zemrës sime të kam futur,
Që drita e diellit të të hyjë
Përmes syrit tim,
Zemërimi i qiellit të të trondisë
Përmes drithërimës sime,
Vërshimi i ujërave të të ripërtërijë
Përmes gjakut tim.
I burgosuri im i përjetshëm!
Unë s’dua t’ia di Në më do
A më mallkon ti,
Veç në ndodhtë që trupi të më vdesë,
Je i lirë
Bashkë me shpirtin tim
Të fluturosh në qiell.
Hakmarrje fëmije
Kllounin prej lecke e përqafoj fort
Ia laj faqet e pista me lot
E puth në buzët prej kadifeje të kuqe,
Ia hap krahët dhe i vë rreth qafës sime,
E detyroj të qëndrojë mbi këmbët
Mbushur lecka e pambuk,
Po ai si një i dehur lëkundet andej-këtej,
Prej qafës së hollë koka i bie në gjoks,
Në vend të më mbajë, më lëshohet në këmbë.
Unë fëmija i zemëruar
Ia shkul fijet e flokëve një nga një,
Ia tërheq krahët anash me forcë,
Prej trupit këmbët ia gris,
Nga barku i nxjerr gjithçka ka brenda,
S’ngopem e s’ngopem së bëri çika
Viktimën – plaçkë…
Kur lodhem,
E kundroj me duart në mes, fitimtar:
“Guxo të mos më duash prapë!”
Shija e instinktit
Majën e gishtit e ngula
Në zemër të asaj mase të mpiksur
Të kuqtë. U ça u fry
Të bardhën përgjaku
Me majën e gjuhës e lëpiva
E thitha me buzët e etura
Çika- çika e bëra të bardhën
Në dhëmballë
Derisa s’mbeti asnjë shenjë
Në pjatë nga veza syzë.
Kënga e natës
A do vish të shkasim
Në qetësinë e natës
Në lumin e zi
Që të çon te shpella
Ku jeton kuçedra?
Ajo është me barrë
Dhe do pjellë
Shtatë kuçedra të vogla
Që ushqehen me flakëza dashurie
Nga shtatë gojët e mëmës.
A do vish i dashur?
Ajo na pret.
Thotë se qyteti
Do mbetet pa ujë
Po nuk hëngri një çift dashnorësh.
Askush s’po i del për zot dashurisë,
Po ti?!
Deri në kockë
Ditët që jemi bashkë janë të rrezikshme.
Mishin e hamë deri në kockë
E thithim atë sa të arrijë në palcë,
Verën e zgjedhim të kuqe, e pimë me fund
Derisa të arrijë në tru,
Cigaren e thithim thellë
Derisa mushkëritë na mbushen plot tym,
Kafen e pimë të shkurtër
Aq sa të shkojë drejt e në zemër,
Dyshekun e zgjedhim me elasticitet të fortë
Që lëngjet të derdhen në brendësi… thellë.
Ditët që jemi bashkë janë fort të rrezikshme
Deri në kockë të shijshme…






Be First to Comment