Pendimi i Araknas
Nami i Araknas si endëse e pashoqe kishte marrë dhenë tashmë. Rrallë gjeje shtëpi e pallat në Lidia, ku të mos kishte pëlhura të mrekullueshme, të thurura mjeshtërisht prej saj. Modele të larmishme e variacione nga më fantastiket, fryt i dy duarve të magjishme dhe i një mendjeje të guximshme. Kurrë s’qe ndier më e lumtur Arakna: jetonte mes të mirash dhe shijonte adhurimin e të tjerëve. Më parë, as që e kishte çuar nëpër mend se fama do t’i siguronte privilegje kaq të shumta.
Tamam në njërën prej këtyre ditëve (jetonte në një gjendje të plotë dehjeje e vetëbesimi), guxoi dhe ftoi për garë vetë Atenën, pikërisht atë prej së cilës e kishtë mësuar mjeshtërinë e endjes. “Ju ftoj për një garë të hapur, Zonja ime, – thoshte mes të tjerave ftesa e saj. – Cila prej ne të dyjave end më bukur dhe më mirë një pëlhurë.” Dhe si për ta bërë edhe më të plotë sfidën, kishte shtuar: “Motivet e endjes mund t’i zgjidhni ju vetë, Zonjë e nderuar.”
Ashtu siç dhe pritej, Atena u ndje e fyer si rrallëherë më parë dhe në çast vendosi t’i përgjigjej sfidës.
“Do t’i endim Perënditë e Olimpit në pëlhurat tona”, tha Ajo me ton të vrazhdë, pa ia hedhur sytë nxënëses mosmirënjohëse. “Le të bëhet si thoni ju, Zonja ime”, tha Arakna me zë të ulët. Dukej e penduar për ftesën, por tashmë ishte vonë të tërhiqej.
Ia kthyen shpinat njëra-tjetrës dhe filluan menjëherë nga puna. Në heshtje. Pa shkëmbyer asnjë fjalë. Vetëm zhurma e vegjëve dëgjohej. Në fund të punës, Atena tregoi e para pëlhurën e saj. Në të Perënditë e Olimpit ishin krenare, dinjitoze e madhështore. Më pas, i erdhi radha Araknas të tregonte pëlhurën e saj. Në të Perënditë e Olimpit ishin të thjeshta, të zakonshme, të dashuruara. Tamam Njerëz.
Be First to Comment