Press "Enter" to skip to content

Puthja e fundit

– E kam në buzë. Më do… dua. E dua.
– Veri, tregoje. Nxirre jashtë. Të lehtëson. Është një tjetër lloj kurimi. Bashkëkohor.
Mjeku dhe pacienti ishin miq. Moshatarë. Në rini, para se të sëmurej, e shmangte takimin me Verin. Sidomos kur të pranishme ishin shoqet e përbashkëta. Zilia. Ato adhuronin djaloshin e hijshëm, që dukej si të kish zbritur nga ekrani i një filmi italian i viteve ‘60.
– Njeriu jeton me pasojat. Zgjedhjet që bën. Mua më ka ndodhur ndryshe. Më ka mbajtur në qeli pa shkak. Kryetari… ti e njeh.
Mjekut iu thellua rrudha në ballë. Filloi t’i mbushej me djersë.
– Urdhëroi të më trembë. Të më thyej. Të pranoja.
Zëri i ndryshoi, iu zbeh. Si të vinte nga honet e skëterrës.
– Kërkoi të më bëjë spiunin e tij. Pa i dhënë arsye. “Në çdo shtëpi kam një pjesëtar që falet tek unë”, më tha, “ty të dua për punë të mëdha”. M’u ngjit keq. Kryetari i Degës. Jemi edhe komshinj. Të vjetër. Prindërit miq. Fati im zi.
Ndaloi. U ngrit nga shtrati dhe u mbështet te xhami i dritares.
– Besoj në vullnetin e Zotit. Por, në edhe zgjidhjen personale. Nuk pranova.
Mjeku kërceu si ta kishin shpuar me gjilpërë. Hapi derën. Në korridor s’kishte njeri.

∗∗∗

Fillim vere. Udhëtari, veshur me kostum ngjyrë bezhë, të sapoblerë, të kombinuar me këmishë të bardhë e këpucë kafe të çelur, përqafoi gruan sykaltër, që kishte dalë ta priste te stacionin i trenit. Vajza e tezes e kishte njohur me të. Nëna ime.
Vinte shpesh të vizitonte familjen e motrës së vogël në qytetin ku kryqëzohen rrugët kryesore të vendit. Ashtu e quante vajzën e tezes, që kishte vite mësuese atje. Në njërën nga ato vizita njohu Dëshirën, gruan që do ta dashuronte tërë jetën.
– Veri, shoqja ime kur të pa sot, mbeti… i bëre shumë përshtypje. Kërkon të të njohë.
– Eh, jam ende i trazuar.
– Bëra gabim… I dhashë fjalën…
Pa ia prishur, e takoi.
Kishte nisur shëtitja e mbrëmjes. Ashtu bënin edhe qytetet e tjera, kopjonin kryeqytetin.
– Të kam takuar në ëndërr.
Dëshira i shtrëngoi dorën. Thuri gishtat me të tijat që i dridheshin.
– S’kemi për t’u ndarë. Kurrë!
Veri kishte humbur në detin blu, sytë e saj.
– I mësova të tëra. Jetën tënde. Dhe, të dua… edhe më shumë.
Zëri i saj, magji. Ishin afruar pranë uzinës së pambukut. Ai ndaloi. I ngriti dorën dhe e vendosi në buzë. Digjeshin.
– Mos po nxiton. Duhet kohë…
– Perëndia po gatuan fatin tonë. Kryqëzimin tonë hyjnor Veri.
Zemra filloi t’i rrahë fort. Adrenalinë.

∗∗∗

– Më trego ç’të ndodhi me… dashurinë, që të ka lënduar shumë.
Mjeku u kthye te karrigia. Kërkoi ta largonte rrëfimin prej zonës së rrezikut të lartë. Kryetarit të Degës.
– Ishte takimi i fundit. Në mbrëmje dolëm të shëtitnim. Qielli nisi të yllëzohej. Flladi i freskët, përzier me erë deti e aromë pishash, na krijoi gjendje dehëse. “Vazhdojmë deri te ‘Dy çezmat’”, tha Dëshira dhe më shtrëngoi krahun. Herë-herë mbështeste kokën në supin tim. Dashuri si në romane. Të ishte emocion apo motiv – ndjenjë lidhjeje. Zemra mirë që nuk po më dilte nga krahërori. Si të ishte dashuria e parë. Kisha gjetur veten. Isha rindezur.
– Po dashuria e parë? Ç’ndodhi me të?
Mjeku e pati njohur vajzën e bukur. Fliste i tërë qyteti për lidhjen me Verin.
– Mondinën ma ndaluan. Zemrën ma bënë copë.
Veri la dritaren dhe u ul në shtrat.
– S’kam provuar zemërthyerje më të madhe. Prindërit e larguan. Të mos takoheshim. E dërgun në Korçë, kur më mbyllën në qeli, në Kukës, me urdhër të kryetarit të degës.
Mjeku u ngrit e shkoi përsëri te dera. S’kish njeri.
– Krijuan diçka të paqenë. Tentim për t’u arratisur. Pak kohë kisha si pergjegjës arsimi atje dhe vajta të inspektoja shkollën e Morinës.
Heshtje.
– Me Dëshirën po provoja të njëjtat emocione. Ashtu shtrënguar arritëm te ‘Dy çezmat’. “Veri, me ujin e tyre do pagëzojmë dashurinë, lidhjen tonë. Të përjetshme”. M’u hodh në qafë. Më puthi. E fundit.

Ditën e shenjtë, ditën e fejesës, një kostumgri i ndaloi te stacioni i trenit në Elbasan. Foli me babanë e saj. Seç i tha, kurrë nuk u mësua. Vëllai i Verit, që kishte dalë t’i priste, u kthye pa i takuar. Atë natë, Veri u shtrua në spital. Psikiatri.

Autori
Muç Xhepa