Këpucët e gjelbra
Gërshërët…
…bënë
portretin e çunit haram
Flokët me çallata
binin era vajgur prej morrave të ngordhur.
Mësova se ka një varrezë për të gjitha gjallesat.
Me shenja ose jo
M’u desh të jetoj mes tyre.
Pas dritares me hekura të një dhome
Kureshtare
Pashë si hapen themelet e murit rrethues
Si lartësohej mbi lirinë e frymëve
Diktati i jetëve bosh
Kushti themelor i ndërtimit për kohën
Qe, hesht!
Sot, shfajësohen se të vdekurit e mbetur gjallë,
janë stoizmi i një foleje minjsh,
që im atë e zhduku në emër të lirisë.
Dritarja, qe e vetmja pasqyrë
Ku pashë hijen time
të formësohej me trajta njeriu.
Nga lastarët e rrushit hibrid
Mësova se frika nga lartësitë
zgjatet mbi telat e tendosur mirë,
lidhur me lecka në formë fjongoje
bisqet e sapo formuar të frytit të ndaluar
Nuk i prekja
Kur të piqen mirë
Qe urdhër i prerë
Që më pret udhën dhe sot.
Heroi im i pashembullt
Tashmë
Rrëfenjat e vajzës këmbëzbathur,
Kanë veshur këpucët e gjelbra
Të lirisë.
***
Kafenë e servir
në një kupë të stërmadhe
stolisur në lustrën e porcelanit
me trëndafila rozë
Trëndafili më përhumb në historinë e zonjës,
që gjakos sa herë
kujtimet e një dashurie të largët
E më pas, kujtohem e rrëkëllej lëngun e filtruar
I ftohur tashmë.
Kam ndërruar zakon
Më duhet të rri zgjuar orëve
Kur nga barku i natës dëgjoj
Qarjet e dhelprave të pangopura
Uritë e tyre bëjnë mortin e kohës
Koha nuk vdes
Dhelprat s’e dinë
Se të jetosh në përralla
Përbën privilegj
Nga ky detaj i imët i natyrës
Çakejtë rrëmbejnë lavd
Duke treguar se bisha
rritet në folenë që jehon dukje.
Një stuhi e fortë përplaset mbi kasën e kalbur të dritares.
Thonë se krimbat e vemjet
Jetojnë mrekullisht aty
Jetoj ende në strehën e vjetër të njeriut
S’dal dot që aty
Pa kuptuar asgjë
Nga e gjitha kjo.
Në duar mbaj një shënjues
Të dalë mode,
Shënimet e mia
Janë letra e fundit.
Që harroj ta dërgoj
Në postën më të afërt
Të lagjes sime
Asgjë nuk është thënë
Asgjë s’do të thuhet.
Më kot presin.
Uria njerëzore
Lëçuar mbi njeriun
Po humb
Virtytin
Dashurinë
Frikacakët janë heronjtë e rinj të triumfit
Të lodhurit kanë një strofull të ngrohtë indiferentizmi
Neveria është tabloja më e bukur
Që serviret lehtë
Që për fat të keq
Më duhet ta pranoj si dështim
Patinazhin s’e kam provuar
I kam frikë ekuilibrat mbi akujt e ditës
Të eci në pyll, si frymori i radhës
Ngjall më shumë interes
Aty gjendem
Unë
Ti
Ne
Asgjëja e asgjësë.
Portreti i një nate gushti
Janë orët e vona të një mbrëmjeje gushti
Ndiej erën e lagësht të sendeve përreth
Ca revista glamour
vezullojnë nga larg siluetën e zonjës Coco,
Aristokrate prej stilit të saj mondan
Më bëhet se vjen rrotull…Ti
Ul sytë i pafuqishëm
T’i qëndroj vështrimit dhe luaj ndër gishta
Dy bishta cigaresh
Të patymosura ende
Gëzimi më ka hutuar
E hutimin e derdh në dy gota
Ky lëng i presuar çliron prej zemrës hare
Hap venat ku depërtojnë dëshira të munguara
Tapën e shampanjës
Po e mbyll në baulen e vjetër
I pari suvenir me mbishkrimin hieroglif
Sekreti im i fundit
Se po nisem drejt rrugës me engjëj
Do t’mbërrij tek ty…
Ruaje
Historia këtë natë
Shkruan me ikonën tënde
Grua
Mrekulli ku ndizen
Dy gjinj si eshkë
Në bronzin me numër serie
Ky portret
E mban në duar
Të mbaj në duar
Të gjallë e të heshtur
Më dukesh një trill
I dalë prej vështrimit të ftohtë
Nga metal i bronztë.
Të shquaj të bukur
Të rrallë për të ndodhur
Këtë natë gushti
Më ulesh në zemër
Rehatohesh aty
E mbi kokat tona dëgjohet
Kënga e një bulkthi
Akademia e dishepujve
Ka rënë në heshtje
Ç’qetësi?!
(Shkëputur nga Revista Letrare – Pranverë 2024, në print)