Ëndrrat
Ëndrrat e mia me krahë të ndritura,
të ndrojtura po zbresin shkallët e qiellit.
Toka e vrazhë dhe racionale
sa më shumë afrohet,
aq më e shëmtuar bëhet.
Ëndrrat e mia me këmbë të brishta,
nisën të shkelin dheun e ashpër.
Qielli komod me yje, diell e hënë,
për ëndrrat ngeli ëndërr.
Toka qesh me ironi,
me gjahun e lehtë që ka përpara.
Në vendin e ngelur bosh,
ky epitaf u shkrua:
“Akoma s’ka ardhur ajo ditë,
kur brilantët me dritë të virgjër,
botën të mbulojnë”.
Buzëmbrëmje
Muzgu si i drojtur shtrin
kthetrat mbi tokë.
E dielli, iriq i artë,
rrokulliset rëpirave të horizontit.
Kolorët e zinj shndërrohen
në miliona kurthe dritëzash,
dhe ja, hëna çalamane,
ngadalë mbyll portat e qiellit.
Është plumb, a është gri?
Atje tej, në horizont, pikat,
pllangat e gjakut,
tregojnë për betejën më makabre.
Rrëke të kuqe rrjedhin prapa malit,
derisa nata,
trupin shtriq mbi tokë.
Qiejt e mi
Qiejt e mi çdo ditë derdhin shi.
Gjithë sa janë poshtë tyre,
të gjithë po lagen.
Qiejtë e mi çdo ditë derdhin borë.
Gjithë sa janë poshtë tyre,
të gjithë po ngrijnë.
Qiejt e mi çdo ditë janë të zinj.
Gjithë ç’janë poshtë tyre,
të gjithë nxijnë.
Të lagurit, të ngrirët, të zestë
qiejt e mi.
O, qiejt e mi!
Gjithë jetën një diell do gatuaj
për ju.
Mërzia
E ka kokën të madhe
dhe sytë të vegjël, gri.
Kur afrohet me hapat,
që dëgjohen larg,
kratere hapen në mishin tim,
nga ngurtësia që rrjedh brenda,
valët e gjakut murmurisin
këngën e mërzisë.
A thua aty, te sytë, kanë qëndruar
dy copa të kuqe zemre
dhe poshtë brinjëve, vështrimi i burgosur
pa dritë lëngon?
Është mërzia, pra,
ashtu e leckosur,
e përvuajtur,
e zvarritur,
gijotinë e padiskutueshme
e ditëve që vijnë.
Le ta djegim mërzinë,
si dikur karkalecët nëpër fusha,
por bashkë me të
edhe bijën e saj të brishtë
POEZINË.







Be First to Comment