Orët e dhimbshme
Ndjej brambullimën e orës së errët të gjuetarëve,
kurdisur prej duarsh të padukshme,
pikëllimën, rënkimin e gjithçkaje,
që pareshtur digjet,
ndjej shregullën e fatit të kolovitet,
tek loz me bukën e përditshme
e pareshtur
helmon e shter burimet…
Rrëqethin cikërrimat e ditëve,
eruditët kryekëputur erërat kur përgjërojnë,
lodhur nga fjalët e të marrosurve,
melankolitë, heshtjet ngurruese,
me kryqin e martirëve mbi shpinë
që përherë e më shumë,
bëhet më i rëndë…
Është ora e një gjuetie burracake,
është koha e horrave me ëndrra të ndyra
dhe e merimangave dinake,
që “kafshatën” sajojnë,
me cergat e padukshme që endin nën kryqe.
Është ora e fluturave tinëzare,
që shpirtin zhuritin në kthetra bishash
e ndejnë flatrat teatrit të ndjenjave…
është ora e lakuriqëve,
që i druhen dritës së diellit,
e netëve arratisen prej foleve…
Është ora e dhimbshme e demonëve
që gjithnjë dalin prej vetvetes,
me këmbët plot plagë,
rendin purgatorit të flakëve
e tek fshikullojnë “kamxhikë fjalësh”,
u gëzohen grahmave therëse…
Po, po, është ora e tyre,
kutërbimi i të cilëve
drithëron edhe pasqyrat e moçaleve,
e atyre që ulur mbi llumin e vetes,
shpërndajnë guaska shumëngjyrëshe,
e lidhin duart në lutje tek thonë: “Ka një zot”.
Asgjë
Nuk kërkova asgjë prej teje,
as edhe një fjalë të vetme,
kur troku drithërues përhumbej hapave
e dallgët e dhimbjeve
mbivendoseshin në shpirt…!
Fati
…dhe fati rrokullisej si ortek,
nën qiellin që prej mallit ndizej,
dheut, që prej pritjes digjej,
për t’u përhumbur sfondeve pa fjalë
e dhembjes që mbarte frymën e fundit,
nën cergën e bardhë…!
Udhën gjej
Jetë,
Ti, nuk më lodhe dot
kur tingujt e bronztë të kambanave çirrnin qiejt
e portat e kishave me kulmore të brishta
dyert çelnin,
e prapë i çelin për lamtumira të befta…
As kur sirena të trishta
vraponin mëngëve të qytetit
e mbartnin mëshirën e ankthshme
të rënkimit të fundit…
S’më lodhe dot, o jetë,
pasi unë,
mësova të flas me gjuhën tënde!
Mësova jetë….
Po, po,
mësova të gjej agimin brenda muzgut,
brenda territ, dritën e yjeve
të mos ngutem në masë,
ashtu si natyra nuk ngutet,
e të lë heshtjen të flasë…
Mësova jetë, mësova,
të flas edhe me retë,
me tulipanët shumëngjyrësh,
që kryet ngrejnë lart drejt qiellit,
me trëndafila të egër,
që nën kujdesin e Zotit çelin
e jaseminët,
që me aromën e tyre ndjellin…
Mësova jetë,
mësova të shoh të bukurën gjithkund
kaltërsive flatrat kur shpalos
e të kalëroj erërat sa herë mall të kem,
hapat të hedh andej ku s’ka udhë
e udhën, udhën time të gjej…!








