Press "Enter" to skip to content

Poezi

Ti the: “Je dashnia”

Ti the: “Je dashnia”
n’mue lind Rozafa
u jap gji mendimeve drejt teje.

Ti the: “Aroma jote asht fryma e parrizit!”
n’mue lkundet fundi,
e s’kam frikë m’i thurë kunor’ humbjeve t’mia.

Ti the: “Je pafundsia!”
n’mue virrma e dheut
fundoset e buzqesh.

Ti the: “Je dashnia”
baltën pastrova thojsh
kopshte mbolla pllambve
e duert t’i vuna ndër faqe.

Mungesë

Mrekullohem portave tueja t’mbylluna
befas brinjë e tepërt n’shtat.

Prehni jot më mban n’andje prej lumi
me dorzim të njajtë si muzgu në njeri.

Mungesa s’hahet me dhambë
dridhja jote për mue po.

Pa ty

Kisha dashtë me shkrue
nji poezi që fillon: “Pa ty”,
e s’mbrrij m’u dhanë
në limbo të ç’shpirtnimit.

Autori
Desantila Qerimaj