Press "Enter" to skip to content

Ode për një grua, që e quajnë poezi

E dashur,
Më sheh të ndeshem me letrën
dhe më pyet
ç’është Poezi dhe ç’nuk është Poezi.
Netëve të tradhtoj
kur në përqafimin e saj përhumbem
dhe ajo kërkon të ketë gjithë qenien time
sepse
Poezi nuk janë të bukurat fjalë,
rimat,
shprehjet e goditura apo të fryra,
nuk është trishtimi, as mërzia,
nuk është as melankolia “e ëmbël”
që shfaqin ata që e lexojnë me zë kumbues.
As ritmi, metrika
dhe të tjera çështje filologjike.
As ankthi i ndikimit tek të tjerët që të jep vetëkënaqësi
-ç’fodullëk na qenka ky-
Përveç vetes tënde,
te kush tjetër mund të kesh ndikim…

Poezi është të Dëshirosh, të veprosh,
domethënë të bësh të të Ndodhë diçka!

Poezi janë të Pathënat e kësaj bote,
të Parrëfyeshmet e Mistereve,
që ende nuk u kemi dhënë shpjegim
dhe ndoshta nuk do t’u japim kurrë
-e pse do të duhej?

Poezi janë të Padukshmet,
Tempujt e Afeas, që shpëtuan nga ndjekësit minoitë
por u trushkyen nga të pabesët e tjetërsuar,
të huaj dhe rrënjës
-më të këqijtë nga të gjithë.

Poezi është gjithçka e ndërmjetme
mes rreshtave
dhe gjithçka që vjen më pas – në hapësira.
Është fjalia mohuese e Janis Ricos
“ndoshta është edhe kështu”.

Është e papajtueshmja e Kostis Palamas
“prandaj nuk të dua, të dua”
Është rënia në kurthin e fjalëve
“si mund të ishte ndryshe”
Është ankthi i pashmangshëm
t’i menaxhosh mirë, t’u shmangesh
pa ia dalë kurrë mbanë.
Së pari, sepse të tejkalojnë.
Së dyti, sepse i dashuron.
Fjalët duan t’u përgjërohesh,
t’i ushtrosh si asket.
Sa të të dorëzohen krejt,
nuk bëjnë ndere.

Poezia është Sintaksa e Dashurisë
dhe e Kaosit.
Nuk ka presje.
Vetëm pika – të mangëta
dhe pikëpresje, këto edhe më shumë
dhe ndërprerje të të gjithë zërave dhe kohërave.
Dhe pika retiçence me kuptim.

Poezia janë Heshtjet Tingëlluese,
Poezia është forma veprore,
Poezia është aktive.

Poezia janë shenjat e pikësimit të Zotit,
të ndritshme, të errëta dhe të parrëfyera.

Poezia është dhimbje,
është shtatzëni dhe lindje.
Poezia përgjak
dhe të gjakos.
Ti lind me poezinë,
por ajo nuk lind me ty!

Poezi janë ato
që ende nuk janë thënë
dhe ndoshta nuk do të thuhen kurrë.

Poezia nuk është vend mirëpritës
për gojëndyrët,
por është e sjellshme dhe përdëllestare
me varfanjakët.

Poezi është Unë dhe Ti
kur prekim majat e gishtave
dhe nga kjo prekje
lind
një perëndi e vogël.

Poezi është mënyra të thuash gjëra,
që nuk mund të thuhen ndryshe,
Poezi është mënyrë jetese,
të jetosh në hapësirën e ndërmjetme
mes një note dhe gjysmëtonit të saj
në fshikullimë.

Poezi janë lartësitë e padukshme dhe të pakufizuara
të maleve të bukur,
që duhet t’i pushtosh
ose do të dalësh i humbur.

Dhe ndërsa ngjitesh në majat e tyre
shquan maja të tjera më të larta,
që duhet t’i ngjitësh pa mbarim.

Dhe madje thellësitë e oqeaneve të Ekzistencës,
ku kridhesh mbrëmjeve,
kur të padurueshmit dhe moskokëçarësit kanë rënë në gjumë.

Poezia gjendet përherë
në kryqëzimet e botës kur fryn erë,
Poezia janë Të Shenjtat e Shenjtorëve
kur në vetvete është blasfemi.

Poezia është grua
me shpatën mashkullore në dorë.

Poezi është të jetosh ndërmjet
shumëllojshmërisë së Tingullit
dhe pranisë së plotë të Heshtjes.

Poezi është pohimi i jetës
dhe në të njëjtën kohë mohimi i saj.
Një tekst i hapur që pranon në çdo çast
ndihmesën tënde,
shpërnguljen tënde.

Por, mbi të gjitha, Poezi është
Siguria e Bukurisë!

Poezia është e vetmja siguri!

Pse të shkruaj apo të bëj poezi?
Pse të jetoj në mënyrë poetike?
George Mallory, kur e pyetën pse shkon në Everest,
pse e vë në rrezik jetën e tij, pse…
ç’kuptim kishte,
u përgjigj:
SEPSE ËSHTË ATJE
dhe kjo është Poezi!

Sepse Poezi
nuk janë vetëm poezitë!

Me nderim i përulem çdo natë perëndeshës
kur ti në pafajësi
i jepesh përqafimit të Morfeut.

U gdhifshim mirë,
e dashur!

– Athinë –

Përktheu Maklena Nika

Nga vëllimi poetik “Letra një gruaje”, botimet “Enypnio”, Athinë 2020

Elias Fragakis ka lindur në Athinë, në vitin 1963. Është poet, romancier, regjisor, përkthyes. Ka qenë Drejtor Artistik i Teatrit Popullor Periferik të Rodosit. “Letra një gruaje” është përmbledhja e parë poetike e autorit.

Autori
Elias Fragakis
Autori
Maklena Nika