Po kalonim pushime tё gёzuara mes vapёs sё korrikut, djegur e pёrcёlluar nga dielli i pamёshirshёm, por akoma duke u ruajtur nga kovidi. Maskat nuk i hiqnim nga turinjtë. Dezinfektonim duart me xhel e mundoheshim të mos futeshim andej-kёndej. Trembur nga e padukshmja; frikё nga gjithçka pёrreth.
Pas katër muajsh mbylljeje, kjo ishte mёsymja e parё. Sulmi i parё rebelues. E kishim marrё me entuziazëm, me vrull, me një dëshirë tё papërmbajtur. Asnjëherë nuk kishim shkuar me kaq dëshirë diku.
“Mbyllur se mbyllur jemi!”, i thashë sime shoqe. “Ia mbathim me pushime?”.
Kur mbёrritёm në ishull, gjithçka mё shёmbёlleu me njё festё ngjyrash, dritash dhe aromash. Mbas asaj mbylljeje të detyruar, çdo gjë kishte njё shije tё çuditshme mes lirisё dhe robёrisё. Si tё ishim zgjuar pas njё goditjeje të fortё. Njё tronditje ardhur çuditёrisht nga vetё jeta.
Vija mё i shёndoshё, mё i buhavitur, mё i trullosur, edhe pse, çuditёrisht, jo fare i tromaksur nga ç’na kishte ngjarё. E kisha marrё me filozofi atё burgim njerёzor. I bindur t’i shihja gotёs gjithmonё gjysmёn plot, kisha filluar tё reflektoj. “Bukur!”, i thosha vetes. “Kam mё shumё kohё tё lirё. Po mё dhurohet koha për veten!”, ndaj, kur nuk isha nё spital, lexoja me zell.
Kёto ishin pushime disi tё çuditshme. Njerёz kishte, por nuk i kuptoja. Silleshin çuditshëm, të mbyllur, të distancuar, sikur nga çasti nё çast do ndodhte diçka e keqe. Dhe mbi turi na rrinin gjithё kohës ato maskat e bezdisshme, që na detyronin ta thithnim prapë mbrapsht erёn e gojёs, qё e nxirrnim si me zor. Kohё barbare. Dukej si fundi i botёs. A mund tё ndalej dot jeta, pulsimi i saj? A ishte e mundur tё ndalohej tёrbimi i njerёzve? Etja pёr dёfrim? Pjesa mё e madhe e botёs kish vendosur tё rrinte akoma syrgjynosur, siç rrinin malёsorёt nё gjak, ngujuar, mbasi i mbaronte besa tridhjetëditёshe. Por ne tashmë ishim tё entuziazmuar. Gati çakёrrqejf. Mё nё fund kishim kohё pёr familjen, pёr pushimet, edhe pse ishin fare anormale.
Do rrinim një javë te vila “Hotel”. Rrugёt ishin tё ngushta dhe autobuzi, që na shpuri nga njёra anё nё anёn tjetёr tё ishullit, tek ngjitej me bujё dhe zhurmё atij relievi kodrinor, pas çdo kthese që merrte, na falte ca kёnde pamjeje tё mrekullueshme, nga ku dukej deti blu, qielli pa fund dhe vezullimi kobalt i plazhit veror. Gjithçka dukej e mrekullueshme.
Pёr te vila u ngjitёm mbi disa shkallё guri. Mbi krye kishte landra plot me lule, ku aromat ishin mё tё forta sesa vetё ngjyrat. Sipёr, duke tёrhequr valixhet me nerv dhe sforcim, hapa njё portё me ristela. Hymë brenda.
Darka na gjeti duke pirё birrё, përtypur lajthi dhe arra, nën një perёndim që kishte njё pёrmallim tё skajshёm, i cili, me ngjyrat e tij portokall nё tё kuqe, shkonte aq larg nё kohё. Deri tek origjina e vetё jetёs. Ç’bёnim ne aty? Ishim ndoshta udhёtarё tё rastёsishёm tё njё segmenti jete?
Me bujё dhe plot entuziazëm qeshnim, flisnim, hidhnim batuta sikur tё donim tё rikuperonim edhe kohёn e zezё dhe barbare kur na kishin detyruar tё rrinim kyçur, me atё amullinё, frikёn, plogёshtinё gati depresive mbi krye. Ndenjёm deri vonё në tarracë, ulur mbi karrige tё bardha plastike, me kёmbёt shtrirё mbi karrige tё tjera boshe. Disi çakërrqejf nga birrat, ndjenim lehtёsinё e qenies, mrekullinё e saj.
Befas më mbërtheu njё trishtim i çuditshёm. Ndjeva si tё isha gjithkund edhe askund; i humbur, si dikush që kur e braktis njё herё dheun e vet e ndihet gjithandej i huaj, endacak pa dhe e atdhe. Lexoja nёn hijen e shelgjeve, duke dёgjuar gjinkallat që i këndonin vapёs, por s’po ia kapja qё s’po ia kapja dot fillin librit. E lashë atë e mora një tjetër. “Mbi dashurinё dhe demonet e tjerё!”. Mendova se njё autor tё preferuar do tё mund ta shijoja mё shumё, por mendja nuk ish për lexime.
Kur hyri java e re, rrёmujshёm; ishim shtatë vetё. U zgjuam me ide nga mё tё ndryshmet pёr atё ditё. Kush donte tё rrinte nё plazh, kush donte tё bёnte shtegun e dhive, njё orё mes pishave e kaçubeve, që tё çonte në njё plazh të vogёl, fare intim. Dikush donte tё rrinte nё çadёr. Në fund vendosёm tё merrnim me qira njё varkё. Ideja na pёlqeu. T’i binim rreth e qark ishullit me skaf do tё ish diçka vёrtet e mrekullueshme, nxitёse dhe ngacmuese.
“Ja si ndizet!”, na tha djali me kёmbёt në ujë deri te gjunjёt. U ngjit dhe ndezi motorrin.
“Prit njё herё ta provoj unё!”, i thashё dhe bёra gjithçka nga e para. “Qenka si lodёr fёmijёsh!”, ia ktheva duke qeshur.
“Ja leva e nisjes, e kthesave dhe e shpejtёsisё!”, pёrsёriste instruktori.
Kjo lodёr e re do na e bёnte udhёtimin akoma edhe mё zbavitёs.
“Kujdes, mos iu afro shumё shkёmbinjve!”, i mbylli këshillat kur u ngjitёm mbi varkё.
E ndeza dhe motori, me njё uturimё tё zhurmshme, filloi të çante ujin me tёrbim. Rrëshqisnim mbi ujë dhe frika ime e vetme dhe e tmerrshme ishte se mos, papritur, dikush na dilte para nga thellёsitё e ujit pёr tё marrё frymё dhe bashi i thiktё i skafit e çante mё dysh. Shpejtësia më shtonte frikën. Nuk durova mё.
“Mateo!”, i thashё djalit gati me tёrbim. “Ti do rrish nё bash e do vёzhgosh ujin me kujdes se mos shohёsh shkёmbinj!”.
Ai urdhër prej diktatori shprehte padashur tёrё tmerrin tim se mos…
Por, pavarësisht asaj frike, uturima e motorit sikur më falte gёzim, adrenalinë. Kishim mbushur çantat e shpinёs me ushqime dhe birra tё ftohta. Kur na pёlqente vendi, fiknim motorin dhe zhyteshim nё ujërat e mrekullueshёm përreth ishullit. Diell, kripё, ujё dhe lumturi. Ishte njё nga ato çastet kur njeriu, pranё familjarёve dhe miqve, e ndjen gёzimin, lehtёsinё e qenies…
Nё mesditё, hёngrёm, pimё birra dhe qeshёm me batutat e çastit. Në fund e ndeza, i dhashë gaz motorrit dhe u nisёm rishtas. Maria, ime motёr, mё shihte me admirim. Ishim tё gjithё çakёrrqejf nga eksperienca e re, e panjohur, por e mrekullueshme. Ishim ende afër bregut. Andej-kёndej, nja dhjetë metra larg nesh, kishte shumё plazhistё tё tjerё me varka tё ndalura, që si ne, laheshin a ngroheshin nё diell mbi varkat e tyre, që pёrkundeshin lehtёsisht nga dallgёt.
Papritur, nën këmbë dёgjuam njё goditje dhe zhurmё tё frikshme. Pashё varkёn tё humbte ekuilibrin, tё tronditej dhe pёrkundej si djep i hedhur tej. Gjaku mё shkoi nё fund tё kёmbёve.
“Ç’qe?!”, pyeti dikush, por tё tjerёt nuk i dhanё rёndёsi.
“Roje!”, i bёrtita djalit. “Ç’ishte?”.
Mateo, akoma i shtrirё duke parё pёr shkёmbinj, ngriti supet. Ktheva kokёn pas, por, pёrveç shkumёs sё ujit tё trazuar nga helikat, nuk pashё asgjё tjetёr.
“O Zot”, mendova. Ajo zonё ishte plot me plazhistë. Mos ndoshta…? Thashë ta fikja fare motorrin nga frika, por veç ula shpejtёsinё. I shihja të gjithë plot pikёpyetje, sikur të tjerët ta dinim fare mirё ç’kishte ndodhur. U vara e pashё poshtё, por nuk pikasa asgjё. Frika po më mbyste përbrenda, por tё tjerёt nuk e ndjenin. Isha unё kapiteni.
“S’ka ndodhur asgjё e tmerrshme”, i thashё vetes mё nё fund, ndaj e rrita prapë shpejtёsinё. Por, tek i jepja gaz skafit, fillova tё bёhesha gjithnjё edhe mё serioz.
“Vrasёs. Je njё vrasёs!”, mё kumboi nё vesh. U shqetёsova edhe më shumë dhe pak nga pak po nxihesha nё fytyrё. E humba humorin dhe u bёra krejt i heshtur dhe serioz. Njё frikё e fshehtё, si njё hije e zymtё, po ma pushtonte shpirtin.
“Po sikur…?”, mendova me tmerrin që po mё zgjohej nga fundet e shpirtit. Grupi vazhdonte tё agёtohej. Qeshnin, tregonin me gisht bukuritё e bregut; vajzat mbanin flokёt që ua merrte era, ndёrsa unё vazhdoja tё shtrëngoja timonin i shqetёsuar, i mbyllur nё vetvete, pa buzёqeshje.
Tridhjetë vjet punё, mendova. Tridhjetë vjet lodhje mund tё shkatёrroheshin tё gjitha nё njё çast. Ç’kishte qenё ajo trandje ashtu?! Gjak nuk pashë! Por, si mjek, e dija mirё se gjaku shpёrthen mё pas. Veç nёpёr filma, pёr efekt viziv, e bëjnë të shpёrthejë njёherёsh e me shumicё mes shkumёs. Me siguri s’kisha pasur kohё ta shihja gjakun. Por gjaku kishte qenё aty. Tek vazhdoja tё ngisja skafin, tani nё ujëra pa plazhistё, fare nё thellёsi, nuk arrija ta hiqja nga mendja atё trandje tё barkёs.
Tanimë me siguri e kanë nxjerrё nё breg. Janё munduar tё thёrrasin ambulancёn, por derisa tё vinte, nё njё plazh tё humbur si ky, mes rrugёsh gjarpёrushe, plot zhavorr dhe dredha, i aksidentuari, pёr fajin tim, me siguri do ketё mbaruar. Me siguri do pёrfundoj nё burg. Po. Se nuk ndalova. Duhej tё ndaloja. Braktisja e tё aksidentuarit, mungesa e ndihmёs sё shpejtё, ёshtё akoma edhe mё keq se aksidenti. Ta rrit fajin. Oh, ç’mё gjeti. Mbaroi jeta ime. Mori fund. Dikush me siguri i ka marrё numrin skafit dhe do na denoncojë.
“Ja, ai është fajtori, ai!”, do ulёrasё, duke treguar varkёn me gisht.
Kush? Unё? Po, unё do ta ha. Unё isha nё timon. Ja pse tё tjerёt janё tё qetё. Tё tjerёt s’panё gjё, ndaj pёrgjegjёsia bie mbi mua. Jam edhe doktor! E di ç’do tё thotё kjo? Shtohet pesha e fajit dhe numri i viteve me burg. Oh, zot! Humba, u mbyta, mbaroi jeta ime. Kaq e pata, sa turp, sa frikё…
Mirë, por pse tё tjerёt nuk ishin tronditur sa unë? Pёrkundrazi, njё pjesё e miqve kishin filluar tё qeshnin kur varka qe anuar, trandur fort dhe për pak desh kishin humbur ekuilibrin, duke rrezikuar tё binin nё ujё.
I këqyra me kujdes. Era na godiste ballin e na i picёrronte sytё. Dielli na e digjte lёkurёn pa mёshirё. Zhurma e motorrit na i tёrbonte veshёt. Aroma e detit na i mbushte mushkёritё me oksigjen, njësoj si më parë e gjithçka dukej e mrekullueshme, perfekte, pёrveç frikёs sime, që rritej e rritej.
Birra mё kishte dalё fill prej hundёsh. Tani isha esёll e i ngrirё, nё vendin tim prej kapiteni, me duart mbi timon. Ime shoqe, motra, djali, mё hidhnin vёshtrime tёrthorazi dhe kur mё shihnin ashtu tё ngrysur nё fytyrё, reshtnin pёr njё çast sё qeshuri, kafshonin buzёn dhe pastaj, duke mos ditur ç’tё thonin, vazhdonin me qyfyret e tyre, gjallёrinё, klithmat e lumturisё.
Ndenjёm gjithё ditёn në varkё. Mbasi bёmё xhiron e ishullit, nё mbrёmje iu afrova portit tё vogёl. Prisja tё shihja policinё, karabinierët, që me pranga nё dorё mezi prisnin tё mё arrestonin. Por nuk ishte askush.
“Akoma nuk e dinё se kush ishte vrasёsi!”, mendova. “Por herёt a vonё do ta gjejnё!”.
Djersё tё ftohta mё kaluan nёpёr trup. “Do ta gjejnё, do vijnё drejt meje, do më vёnё prangat e do mё akuzojnё se desha t’ia hidhja me heshtje. Pra, faji do dyfishohet se doja të fshihja tё vёrtetёn. O Zot, më ruaj!”.
Nё darkё, ndёrsa tё gjithё ulur rreth tryezës së madhe bёnin muhabet, duke pirё dhe duke sajuar batuta fare çakёrrqejf, unё rrёmoja nёpёr kanalet televizive, tё dёgjoja lajmet lokale. A ishte ende i gjallё i aksidentuari? Kish shpёtuar? Mos ishte nё grahmat e fundit? Kur do vinin tё mё kapnin? O Zot! Nuk mjaftoi kovidi, tani edhe burgu. Ky realitet i ri më tronditi.
Mbaroi jeta ime! Kaq e pat. Nesёr nё mёngjes do vijnё tё mё marrin. Imagjinova veten nё burg, me mjekёrr, flokё tё gjatё, krejt i thinjur, ndёrsa djali vinte dhe mё bёnte vizitën e tij rutinё. Gruaja e lodhur nuk vinte mё. Mё kish braktisur. Ç’tmerr! Ç’rёnie e turpshme!
Por lajmet s’folën pёr asnjё incident me barkё atё ditё. U lodha duke kërkuar edhe nё Google për aksidentin, duke u munduar tё formuloja sa më mirë fjalёt kyçe: Ishulli i Xhiljos… Njё turist vret me skaf njё njeri… Data… Duhej tё shkruaja datёn. Sa ёshtё data sot? Prita tё dilnin lajmet e fundit. Lajmi kob. Lajmi i zi. Lajmi kokёposhtё.
“Idiot”, i thashё vetes. “Lajmi mund tё dalë nesёr, po doli, s’del direkt”.
Mezi merrja frymё, sikur tё kisha litarin nё fyt.
“Ç’ke?”, më foli ime motёr që kishte lёnё grupin.
“S’ndjehem mirё”, i thashë.
“Ç’tё mundon?”.
Nuk e mbajta dot e ia tregova të gjitha.
“Budalla!”, ma ktheu duke qeshur. “Ishte trung. E pashё vetё!”.
“Trung?!”, pёrsёrita dhe nga çlirimi ndjeva të më këputeshin gjynjët, sikur tё ma kishin marrё nё çast tё gjithё gjakun nё deje.
“Trung?! A e pe mirё?”.
Ajo tundi kokёn dhe qeshi mё fort.
