Kjo është një shtëpi e heshtur
Kjo është një shtëpi e heshtur.
e vetmja zhurmë – gërvima e shkallëve
nën peshën e këmbëve
që ngjiten e zbresin tri herë në ditë
nga kuzhina në banjo.
njëzetekatër hapa plus trembëdhjetë shkallë.
grilat e ulura,
dyert lënë hapur,
naturemortet në mure
macja që fle në një qoshe vazhdimisht
mërmërima monotone e kompjuterit
dhe telefonat e ngjirur me njoftime komerciale
që s’i ngre njeri…
Kjo është një shtëpi e heshtur.
vetëm një herë në muaj
hyn një rreze drite
jo më e gjatë se një metër
dridhen muret, shkunden tavanet,
në dysheme mbetën gjurmë hapash të vogla,
dhe heshtja kthehet serish…
Si bari kur e korrin është dëshira ime
Si bari kur e korrin është dëshira ime
mbas koses këputet krejt në heshtje
dhe zogjtë ngrihen fluturim të trembur
nën shiun tjetër prapë do të mbijë
dhe prapë do ta korrin
përsëri…
Kur dimri të ketë ardhur
dhe nën dëborë të jetë harruar
ti prapë s’ke për ta besuar
se s’do të mbijë përsëri…
Sa herë që përpiqem…
Sa herë që përpiqem t’i shtoj pak lëndë
asaj që ne të dy e quajmë dashuri,
gjithmonë ti do të ngresh me ngut një mur heshtjeje.
mbetur në këtë anë
bëj e zhbëj mërinë pa pushim
përfytyroj se si matanë
zhytet në terrin e vetvetes, qyteti yt
me këmbanoret e lëmuara, të bardha,
si kyçen dyert gjysmë të ç’ngjyrosura
dhe u shtrëngohet fort llozi si dhëmb që kafshon
si përplasen dritaret dhe ulen grilat prej qerpiku
që drita të mos tradhëtojë pulsin që s’bindet dhe
zjarret në udhëkryqe, që më kot përpiqesh t’i shuash…
…biblen hap atëherë në faqen e mëkatit
dhe rizbuloj se puthja prandaj ështe
për të thënë atë, që fjala s’mundet
Fryj pak vajzë tek unë
Fryj pak vajzë tek unë
I lehtë të bëhem
Si balonë fëmijësh e të ngrihem lart
A të bie si gjeth i vjeshtës;
Cdo gjë, vec të mos mbetem
përgjithnjë ngujuar
piramidë shkretetirash.
Mbill pak grua
në tokat e mia
Të mund të dalloj stinët
Kur ndërrohen.
Digje flakë krejt femrën tënde
Dhe hirin derdhe mbi mua të ngrohtë:
Të kuptoj pse njeriu
Dashurohet.
.
Një dashuri më shumë
Eshtë ende vjeshtë
Dhe gjethet bien gjithandej…
S’do të ketë më verë .
Një nga një do të harrohen dhe kujtimet
Gjithcka do të mjegullohet si muzg
Pas qelqit opak te frymës sime
Dhe do më vijnë ndërmend si centaure
fytyra e njërës me belin e tjetrës
Fjalë aty-këtu qe u kam pëshpëritur
Dhe ah! ato që dot s’i thashë
Si pengje do të dergjen rrënojave të kujtesës
Netëve kur në shtratin tim do flejë e shkuara.
Bien gjethet ngadalë
Mbi truallin që ftohet vazhdimisht
Mëngjeseve mbi to ngrin brymë e frikë,
Për ta kafshuar këtë vjeshtë
Varrosur, pa dhënë shpirt
….Eshtë ende ngrohtë dhe e di se
ka kohë për një dashuri më shumë
Nën këto gjethe të fundit
Që bien gjithandej.









Be First to Comment