S’di pse
S’di pse më kujtohen
trupat e ngjallmë të fqinjëve
që mbarten me zor
në distanca të vogla
dhe njëra prej tyre në stacionin e trenit
dhe pyetja ime për pikën e infleksionit
dhe ajo ethe e papritur
për t’iu shkuar gjërave në fund
dhe buzëqeshja jote
si një disketë e vjedhur
S’di pse më kujtohen të gjitha këto
mbi ballkonin e fqinjëve
përmbytur nga karafilë
dhe barbarozë të athët, lëkundës…
Koha vjen ulur
në data të pritshme e zhdukje
e vazhdon të jetojë ngadalë
si një sëmundje e pashfaqur lëkure
dhe unë mendoj për viruset,
për bartësit, humbësit…
S’di pse më kujtohen të gjitha këto tani.
Mbërriti përsëri vera
Mbërriti përsëri vera
me diellin e lartë si një kolonë therëse
U fundos edhe më
imazhi yt përftuar ngutshëm
në vende të humbura
Atëherë ranë në prehje gjymtyrët
të nxehtë nga lëvizja
gjer në mesnatën e brigjeve
dhe të bulkthave
U ftohën ngadalë
nën gjethet e ngrira kujtese…
Kështu të kam humbur
si një zbehje
e frutave të panjohura
që ranë në tokë
pa i parë një sy
Tani ndiej edhe një herë verën
me rërën e pafund në trup
Koha vazhdon të shkojë
Pamjet zbehen
nëpër kohën që shkon mbi gjithçka
dhe s’mund të kujtoj më
fytyrën tënde, gjymtyrët, të qeshurën
Vetëm jehona janë zërat
dhe imazhe për të ringjallur
gjithë ç’qe e shkuar….
Është një betejë
midis gjithçkaje që kam
dhe bindjes se mrekullia kaloi
Pa praninë e askujt
koha vazhdon të shkojë
dhe pa nëntekste
Nëpër terrin tim të arsyeshëm
baresin kujtime të kristalta
me trajta iluzore e zëra
që vetëm dikur i pata
Prania mërgon pafundësisht
nëpër territore të reja
ku shirat shtypin ditët
dhe mesazhet deshifrohen
pa dritë natyrale, nëpër dhoma të ftohta
Ajri mbush vendet bosh të mungesave
dhe stinët shkojnë mbi qenie
pa rëndësinë e moshës
dhe zbehjen e trupave
humbur pafundësisht në të shkuarën
Kërkim
Përsëri këto rrugë
këto dritare të zbehta
me perde që hapeshin paksa
mbi idilet e provincës
dhe të ftohtin që mbështillte trupat tanë
Ende mbi tjegulla drita është pingul
dhe bimët e vogla mbi qeramikë
errësojnë të kuqen
Përsëri, si atëherë, tymi hepohet
në ajrin e dridhshëm
mbi hutimin tim pa kahe…
Ndoshta erdha këtu për të gjetur kujtime
në gëzimin e heshtur të së shkuarës
ku dashuria si një kamë ngulej
dhe bisedat tona nën tinguj
shuanin mesnatën.
Të heshtur kemi qenë
kur si një ortek zemrën përgjonim
dhe malli u rrit
përtej kohës, përtej këtyre ndërtesaveë publike
e skicave të udhëve
ku dashuria jonë mbërriti.
Ndoshta kam ardhur këtu
për të të dashur prapë
dhe të të them se sytë e tu
nuk u shuan
në asnjë prej endjeve të mia
Dritat e befta të makinave
zbulojnë në këto rrugë silueta
dashuria si një vegim feks
e mbush errësirën me vetëtima.
Koha e kambanave
Shpresojmë, por
vjen koha e kambanave
me të vdekurit që psherëtijnë
nën kostmet e zeza
dhe lulet e thata
Ajri tendoset nën peshën e heshtur
të ankthit, në oborrin e kishës
qarkuar me aromë parafine
Engjëj baresin nëpër mure
sipas besimit dhe dëshirës
tjetër trajtë ka koha
nën fytyra të lodhura shenjtorësh
dhe psalmesh buçitës
Do të doja të vdisja
në ndonjërën nga këto ditë
pa ateizmin tim
dhe erotikën e largët
që mbërrin qiellin
përpara lutjeve dhe qirinjve