Të kisha thënë çdo agim,
unë dhe ky peizazh veshim bluzat
e njëri-tjetrit.
Sa herë që nis të fryjnë erërat e jugut
dhe pemët nisin të vallëzojnë ca tango
të çuditshme vjeshtore,
pylli i përrallave të Andersenit bëhet imi
dhe miliona gjethe prej dielli bëhen
fustani im.
Atë çast… Eva hyn brenda meje
dhe rrugicat e pyllit mbushen plot
me Adamë, të përzënë nga parajsa,
ndërsa në ajër vërtiten mollë të kuqe iluzionesh.
Pylli dhe nimfat e tij shkojnë të pijnë ujë në liqen,
e më marrin edhe mua me vete.
Vetëm të më shohësh sa e bukur bëhem!
Por ti je larg, i përmalluari im i përhershëm.
Je larg!
Dhe mua largësitë më rëndojnë si mall,
sidoqoftë t’a kam lënë të hapur
përgjithmonë një derë përralle,
ku mund të hysh…
Mjafton të më sjellësh një fërshëllimë
dhe një erashkë gjethesh;
nga thellësitë e asgjësë, vetëm ti je dëshirë!







Be First to Comment