Burri i netëve të mia
Burri i netëve të mia verore është kaq i vogël,
ka sy të çuditshëm,
dhe një dylbi si të Piter Panit.
Çdo herë e ndërron çatinë,
veshjet po se po;
këtë javë banon në faqen e dyzetë të librit që po lexoj.
Sa herë shfletoj,
ai fap nxjerr kokën në heshtje,
për t’u ngjitur ngadalë,
në katin e tretë të mendimeve të mia.
Trak – trak rënkojnë shkallët nga hapat,
që më përmendin edhe mua.
Ndodh që personazhet e librave të mi të tremben,
por kjo ndodh rrallë,
shumë rrallë.
E ndjej xhelozinë e këtij burri të vogël,
por nuk shqetësohem,
vetëm se…
buzëqesh… buzëqesh.
Çfarë më pëlqen më shumë tek ai,
janë poezitë e ëndrrave;
nisin me të njëjtat fraza
dhe mbarojnë me pikëçuditje.
Burri i netëve të mia edhe trupin e ka si fletë libri.
Lulet e bardha të mëngjesit
Ishin etur për vesë,
lulet e bardha të mëngjesit,
lodhur nga udhëtimi i natës,
nëpër vise të errëta.
Në agim, kur hapa dritaren,
për të nxjerrë jashtë ëndrrat,
i pashë të gjitha;
pinin ngadalë,
pikë – pikë,
nektarin e vesës
dhe përkundnin veten me dritë.
Dhe u kujtova;
mbrëmë, duke hyrë në derën e pasme të mendimeve të mia,
u rrethova nga tinguj të pajetë mesnatash
dhe veshë të shurdhuar shpresash.
Ndaj, në mëngjes, u arratisa nga frikërat,
që më kishin pushtuar,
dhe u përqafova me rrugën.
Jashtë frynte erë
dhe jehona e hapave më rikujtoi,
se mëngjesi është një djalosh i bukur.
Redaktoi: Shqipto.com







Be First to Comment