Press "Enter" to skip to content

Nëse dikujt i mungon buzëqeshja…

Dera e autobusit u hap me përtesë dhe zhurma çoroditëse e vakumit e përmendi Antoninën nga topitja. Nisi të çante mes turmës së udhëtarëve, që prisnin me ngut dhe ankth të hipnin e të zinin një vend, qoftë edhe në këmbë. Kur e pa se nuk po depërtonte me përçapjen e saj të kujdesshme, Antonina filloi të shtynte me bërryla, siç bënte mëngjeseve jo të mira, kur nuk ia përtonte të transformohej në krijesë luftarake, e gatshme të bënte gjithçka për të mos e humbur autobusin. Ky veprim, i papërfillshëm në dukje, për Antoninën ishte thuajse jetik, pasi krejt ditët i kishte të kronometruara. Zgjohej në pesë e dyzet, i ndërronte oturakun bashkëshortit invalid, ia lante të ndenjurat me ujë dhe klor, i ndërronte mbathjet, ia mbështeste pjesën e gjoksit në supin e saj dhe me një hov të mundimshëm e hidhte shakull mbi karrocën e vjetër, ku dergjej prej dhjetë vjetësh. Kujdesi për të sëmurin i hante së paku tridhjetë minuta. Në gjashtë fiks përgatiste ushqimin që do merrte me vete. Shpesh vezën e ziente një natë më parë, që të kursente sadopak kohë. Fetat e bukës i paloste tresh njëra mbi tjetrën dhe flegrat e sallamit dhe djathit i ndante në dy mesoret. E mbështillte me qese të tejdukshme, hidhte pallton krahëve dhe, para se të dilte për në punë, kontrollonte të birin nëse ishte në dhomën e tij. Kohëve të fundit e kish bërë zakon ta gdhinte jashtë dhe nuk bëhej i gjallë me ditë. Kjo e shqetësonte Antoninën edhe pse e tejkalonte sa herë në heshtje. Sepse janë disa situata të ndera, që e di që do ndodhin dhe se, kur të ndodhin, do kenë tërë kohën e mundshme për veprim. Njeriu i kapur pas çdo shprese sa një fije kashte, mendon dhe tenton ta shtyjë sa më vonë këtë akt, duke shpresuar se ajo që do ndodhë, ndoshta nuk do të ndodhë në të vërtetë dhe shqetësimi ka qenë thjesht i kotë, i pabazë. 
Shkallët i zbriste dy e nga dy dhe vetëm ajri i athët mëngjesor ia ftillonte fytyrën e mbufatur nga hutia e veprimeve mekanike, të kryera me përpikëri çdo mëngjes të dhjetë vjetëve të fundit. 
Mes të shtyrave zuri vend në një qosh të autobusit, poshtë të çarës së dritares së parë. Njerëzit, me kokat e rrasura në jaka, ishin ende të përgjumur. Tundja e autobusit sa majtas-djathtas sikur ua ndillte sërish gjumin. Antonina i ktheu shpinën korridorit të tejmbushur me njerëz dhe kundroi rrugën, që e përpinte vrulltas me sy. Ai parakalim i shpejtë i godinave, rrugëve, njerëzve të mbështjellë me palltot e dimrit, të dyqaneve me sportele katrore, që shisnin byrekët e ngrohtë e të vegjël, ishin filmi i saj i përditshëm. Kjo copëz e shkurtër kohe i duhej për të sistemuar mendimet dhe ngjarjet e një nate më parë. Mëngjeset ishin sfilitëse, shkurajuese. E ndiente përherë nevojën e një ripërsëritjeje të ditëve të mëparshme, me shpresën e përmirësimit të diçkaje në jetën e saj, qoftë të një situate me të shoqin, murmurimat ngashënjyese e shpesh të pakuptimta të të cilit e bënin të vuante, por nuk kish kohë t’ua vinte veshin gjithmonë. Pastaj e mbërthente një dëshirë marroke të jetonte e vetme, diku në një qosh të botës, pa peshën e rëndë dhe torturuese të asaj përditshmërie, që i ngjante një kurthi të pashmangshëm. Dhe ndiente malin e madh që ia kish zënë përfundi lirinë, e cila përmallshëm i shndërrohej në një iluzion gati-gati të prekshëm e që i përshfaqej krejt e qartë në ato pak minuta meditimi, shkaktuar nga pamja e dritares së autobusit, para së cilës parakalonte jeta paralele dhe e jashtme, krejtësisht e huaj. 
– Para, apo abone? – u dëgjua zëri i fatorinos, një burri në moshë, me kokën e shogët e pa flokë, që çalonte dhe hera-herës rraste gishtin tregues në hundë. 
– Abone! – iu përgjigj Antonina, pa ia hedhur sytë. 
– Nxirre ta shoh! – këmbënguli si me urdhër fatorinoja. 
Rrëmoi në çantë dhe diku mes rraqeve e gjeti atë copë kartoni të bërë zhele. 
– Ja, e pe? – ia ktheu me njëfarë bezdie. 
– E pashë, – ngriti zërin fatorinoja, sikur ta kishte kuptuar bezdisjen e saj dhe donte ta shtynte më tej atë lojë. 
– Mos pafsh më! – nëpërdhëmbi Antonina, pa ia hedhur sytë. 
– The gjë, zonjë?
– Jepi, ec, liro rrugën, – iu hakërrye ajo, me nervat tashmë të shprishura. 
Burri më në fund e kuptoi se Antonina nuk ia kishte ngenë dhe se ishte gati t’i shkonte deri në fund atij diskutimi, ku sigurisht fatorinoja, në krye të detyrës dhe ende në fillimin e një ditë të gjatë, medoemos do dilte i humbur. Ai u tërhoq me një zgërdhimë në fytyrë dhe iu drejtua me ton gati urdhërues pasagjerit tjetër. 
Kaq pak e hapte gojën Antonina thuajse çdo mëngjes. Ja, një dialog i shkurtër me fatorinon, por ishte kjo englendisje që e ndihmonte të shfrynte dufin e një mëngjesi të mugët, pasojë e një nate të shkuar. 
Zbriti në stacionin e parafundit, para portës së spitalit dhe u drejtua nga bari përballë. Shkëputi karrigen e vendosur skiç mbi tavolinë dhe, ende pa u rehatuar, ia bëri me dorë kamerierit, i cili, në pak minuta, i çoi filxhanin e kafesë, bashkë me letrën e vockël me dedikim, që kompania e kafesë ua shërbente klientëve në formë reklame. Hodhi gjysmën e bustinës me sheqer, e trazoi shpejt e shpejt dhe e ktheu me një hurbë. Pastaj, siç vepronte gjithmonë, hapi letrën dhe lexoi fjalinë e shkruar me germa dore në ngjyrë të kuqe: “Nëse dikujt i mungon buzëqeshja, jepi tënden”. 
– Pirdhu! – tha me mendje. – Unë s’kam për vete, ku ta gjej për të tjerët? 
E bëri shuk dhe e zhyti në xhepin e palltos. Hodhi sytë nga rruga e gjerë dhe e lagur nga shiu i pakët i mëngjesit, në fund të së cilës shquheshin godinat e para të qytetit. Drita që depërtonte mes degëve të zhvoshkura nga dimri i lagësht, krijonte një si brerore të zbërdhulët, që i falte asaj sapak një çast të kthjellët dhe krejt të vetmuar në pragditën që do ishte e gjatë, shumë e gjatë. 
Turnin e niste në orën shtatë fiks. Si fillim, kontrollonte pacientët një për një. Tregonte një kujdes të shtuar në këtë rutinë, sepse e dinte që turni i natës më shumë flinte sesa kujdesej për të sëmurët. 
Antonina veshi dorezat e bardha plastike dhe ia mësyu dhomave me radhë. Në të parën rënkonte një plak i shëndoshë, mbështetur në shpinë. Depozita e urinës ishte mbushur cit dhe kjo i shkaktonte bllokim të brendshëm. Ajo e hoqi dhe e shkarkoi në tualetin e dhomës. Plaku sikur u qetësua edhe u ankua sërish për djegie. Në krevatin ngjitur, një tjetër i moshuar ishte operuar dy ditë më parë nga prostata dhe shpëlarja e tij ishte vonuar për arsye hemorragjie. Ditën e parë, ai, nga padurimi, e kishte hequr kateterin dhe kjo i pat shkaktuar acarim e më pas hemorragji. 
Këtë punë bënte Antonina mëngjes për mëngjes. Duart i lëvizte shpejt. Balluket e lyera me këna i ngjiteshin nga djersët mbi ballë dhe ashtu të shprishura i jepnin një pamje të përvuajtur. Rreth mesditës gjente kohë të hante drekën. Shkonte gjithmonë në fundin e pavijonit, në dhomën e vogël të depos së ilaçeve dhe rehatohej mbi një poltron të vjetër të dalë boje. Këmbët i shtriqte mbi kutitë e serumeve dhe, për pak çaste, shihte tavanin. Drita e zbehtë në mesin e tij i falte një lloj paqeje. Më pas mbyllte sytë dhe fantazonte gjëra të paqena, plot ngjyra e kthjellime. Detyrës i rikthehej gjithmonë me përtesën që mbart rituali i rëndë i një pune të rëndomtë. 
Antonina fliste pak dhe shpejt. Si infermiere në repartin e urologjisë, shpesh i duhej të komunikonte edhe me të afërmit e pacientëve, që i kërkonin sqarime, por gjithmonë ndihej ngushtë. U rrëfente për gjendjen e të sëmurit, për pasojat e sëmundjes, por në sytë e tyre vërente një paqartësi, që e bënte të ndihej keq. Ajo aq mundej. Të sëmurët ishin shumë. Edhe më shumë të afërmit që nuk ngopeshin me sqarime, por Antonina ishte një dhe e vetme. Ky ritual i përditshëm e lodhte më shumë sesa puna mekanike që kryente me shiringat, vigonët, kateterat dhe aparatin e tensionit. Me kolegët bëhej pak. Prej vitesh nuk merrte pjesë në festat e kolektivit apo ditëlindjet që festoheshin në zyrën e shefit të pavijonit. Mendonte se duke u veçuar, u shmangej edhe detyrimeve. Çka nuk shmangte kurrë, qenë ëndërrimet. Mendja e saj nuk ishte kurrë aq e kthjellët dhe e përqendruar te diçka. Antonina ishte qenie që jetonte me ëndrrat. 
Kur kthehej nga puna, ende pa u shtrirë apo çlodhur këmbët e ënjtura, i duhej të merrej me bashkëshortin. E shtynte karrocën deri në banjë, ngjitur me qypin e vc-së, ia afronte kofshët e fishkura në zgrip të rrethit të porcelantë derisa e fiksonte mirë mbi të e sa ai të kryente nevojat, ajo vraponte t’i ndërronte çarçafët e pshurrur dhe këllëfin e jastëkut të mbushur me zbokth e luspa psoriaze. Mbasi e rehatonte, i përgatiste ushqimin. Vetëm gjatë kësaj kohe të shkurtër, ajo ia lejonte vetes tymosjen e një cigareje. 
Tarraca e shtëpisë përdhese ishte vendi ideal ku ngjitej çdo pasdite, aty në të rënë të muzgut. Rehatohej mbi karrige dhe hidhte vështrimin mbi tarracat e hirta të shtëpive përreth, bash atje ku dielli thuajse i zhdukur linte pas ndriçimin kuqalosh të perëndimit, që depërtonte nëpër të çarat e godinave. Dhe mendonte për gjithçka që arrinte të rrokte truri i saj i lodhur. Imagjinonte çdo gjë të bukur. Për shembull: një shëtitje buzë një liqeni, diku në qytetet gjermane, një kafe pranë një dritareje diku në Paris, mbi Senë, ku në sfond shihen godinat me pak kate e krejtësisht të zhveshura, ku lehtësisht mund të kundrosh njerëz të zhytur në rutinën e tyre: një vajzë që shkruan mbi skrivaninë e dhomës, një djalosh narcisit që zhvishet para pasqyrës dhe shikon shpatullat plot krenari, një të moshuar, që lexon ulur mbi kolltuk, dhe bibliotekën e tij të stërmadhe, që vesh muret e dhomës… Këto janë ëndrrat e saj, ato hapësira për të cilat Antonina mendonte se nuk do t’i kishte kurrë. Gjëra të vogla të realizueshme nëse jeta e saj do ishte paksa më bujare. Dhe ndiente turp për veten, për jetën e saj. Trupi i rrëqethej nga krupa e pesimizmit dhe vrerit që i shkaktonin këto mendime. 
Gjithçka, Antonina e kishte zbuluar nga interneti. Në listën e “You tube” gjithmonë gjendeshin video të xhiruara me dron mbi qytetet e mëdha europiane: Torino, Stokholm, Athinë, Nju Jork e shumë e shumë të tjera. Ajo shihte detaje nga ato qytete, godina, qoshe pallatesh, sheshe të stërmbushura me njerëz fatlumë dhe ia niste ëndërrimeve sikur edhe vetë ishte një nga ata, diku aty, në mes të qytetit, e lumtur dhe plot shpresë për jetën. Ëndërrimet ia ndërprisnin shpesh britmat e të shoqit nga poshtë, i cili, pasi mbaronte së ngrëni, kërkonte ndihmë për diçka tjetër. Antonina zbriste me të shpejtë, duke i lënë ëndërrimet atje në tarracë, të freskëta dhe të pandërprera, gati për t’ia nisur sërish sapo bashkëshortin ta zinte gjumi.
E shtuna e parë e atij muaji nuk qëlloi si gjithë të tjerat. Antoninën e lajmëruan në telefon se i biri ishte në urgjencën e spitalit ku ajo punonte. U vesh me të shpejtë, mori një taksi te cepi i rrugës dhe u nis. Kur mbërriti, u njoh me diagnozën: Mbidozë e lëndëve narkotike. U shemb në karrige dhe qau, pastaj u ngrit të shkonte tek i biri dhe qau, arriti te krevati i tij duke qarë dhe dënesi fort kur e pa të mbërthyer në tuba plastikë. Hoqi pallton, u ul në gjunjë në anë të krevatit, i kapi dorën dhe mbështeti ballin aty. Qau pa pushim. Doktori, që e gjeti në atë gjendje, i foli me të butë: “Do ta kalojë”. 
Do t’ia hidhte kësaj here, por si do ta kalonte varësinë ndaj drogës? Dënesi sërish. 
Mjeku e këshilloi që, pasi të dilte nga spitali, ta shtronte djalin në një klinikë rehabilitimi. Antonia e falënderoi me gjysmë zëri dhe shkoi e zuri vend në krevatin ngjitur të birit, te këmbët e një plakushi të zverdhur, shtrirë në shpinë, me duart kryqëzuar mbi trikon e trashë prej leshi të nderë nga të vjellat. Antonina, bërë meit, mbështeti pëllëmbët mbi gjunjë dhe ia nguli sytë të birit, mu në mes të ballit, aty ku balluket e zeza i qenë ngjitur nga djersa. “Po tani?”, mendoi dhe i ngjau sikur tavani i dhomës filloi t’i thërrmohej bash mbi krye. Si mund t’ia dilte e vetme, me një burrë invalid dhe një djalë të droguar?! Po me paratë, si do ta përballonte? A do t’i dilnin ato pak që merrte nga rroga, kempi i të shoqit, ndonëse të shtunave i konte pak më shumë me çka fitonte nga pastrimi i dy shtëpive, pronarët e të cilave fati i kish përkëdhelur me pasuri? 
Mpirja i nisi nga qafa dhe i përshkoi trupin deri te gishtat e këmbëve. Pas thuajse një ore, i biri hapi sytë dhe, sapo pa të ëmën, nëpërdhëmbi ca sharje. Ai ishte agresiv në të shumtën e rasteve. Në shtëpi, kur i binte në mend të kthehej, mblidhej vetëm në mbrëmje. Antonina ish ndjerë e pafuqishme përballë tij. Nuk ishte e zonja të ndiqte me përpikëri ecurinë e të birit, shërbimet sfilitëse ndaj të shoqit dhe punët e lodhshme që kryente për t’i siguruar familjes ato pak të ardhura. Ai e vështroi të ëmën që qante pa zë dhe deshi të ngrihej. Antonina iu afrua:
– Mos bir, ku do shkosh? 
Ai reagoi sërish në mënyrë të dhunshme dhe në tentativë për të shtyrë të ëmën, vigoni me serumin u shkëputën nga pjesa e sipërme e dorës, aty ku lëkura është më e hollë dhe e dobët. Plakushi me fytyrën meit ktheu pak kokën dhe pëshpëriti diçka si sharje ndaj të dyve. Dikush nga dhoma njoftoi mjekët, të cilët e mbërthyen djalin dhe e shtrinë prapë. I shtuan një tjetër qetësues serumit dhe ai ra në gjumë. Por përpara se t’i mbyllte sytë, Antoninës nuk i shpëtoi vështrimi i tij, ngulur mbi të, me një ndjenjë turpi të ravijëzuar në portret. Janë ato ndjesitë e turpit të zbuluar, të cilat nuk kanë më qoshk ku të struken dhe njeriu tenton ta mbulojë duke i dhënë vetes një vetëdije hakërruese dhe akuzuese, sikur faji nuk është vetëm i tij. Madje shkon deri aty sa krijon bindjen se nuk është aspak i tiji, por i njerëzve përreth, që nuk mundën ta ndalonin kur shkonte symbyllazi drejt turpit. Sindroma e gjysmë fajtorit ndihej tek i biri, por dhe tek e ëma. 
Antonina e pa të gjithë skenën pa folur. Pëshpëriti ca fjalë të pakuptueshme, derisa buzët iu rrudhën dhe më pas u puthitën, për t’ia lënë vendin heshtjes. Ëndërrimet e së shtunës, ku mezi priste të zhytej, ishin zhdukur dhe tashmë truri i mpirë thuajse nuk i funksiononte. 
Gjithë ditën e kaloi në korridoret e spitalit. Herë në sallën e madhe të urgjencës, ku ambulanca ia behte çdo gjysmë ore me sirena të ndezura e herë në korridoret e brendshme. Aty nga pasditja, pak para se të binte muzgu, telefonoi të shoqin. E pyeti si ishte dhe e siguroi se do shkonte shumë shpejt ta ushqente. Ia merrte mendja që ai nuk kishte ngrënë gjithë ditën dhe pelenat do t’i ishin qelbur tashmë. Ndihej e vetme në një botë pa njerëz dhe shërbime. Bota e saj ishte një shkretëtirë e pafund dhe ajo ishte robina që duhej t’u shërbente dy “mbretërve”; e vetmja mbretëri në botë me dy mbretër dhe vetëm një skllave. Pa popull, pa oborrtarë, pa senatorë, pa princa, pa taksa, pa gjedh e kafshë të tjera, pa deve, pa ushtarë, pa armatime, pa luftëra, pa qëllime. Vetëm një skllave dhe aq. Ajo duhej të luftonte, ajo duhej të gjente armët, të luante dhe rolin e oborrtarit dhe taksidarit, i cili, krejtësisht në absurd, ia vilte vetes taksat e shtrenjta. 
Në mbrëmje u kthye në shtëpi. Bashkëshortin e gjeti në tokë, pranë dollapit të bukës. Kish rënë në përpjekje të kapte një kothere harruar mbi raft. E ngriti me vështirësi dhe e uli në karrigen e tavolinës së ngrënies. Përgatiti me të shpejtë gjellë dhe ia vuri të ngrohtë përpara, bashkë me dy copa djathë deleje dhe bukën e sapoblerë. Vetë nuk pati kohë të mbushte barkun; shtëpia kundërmonte aromë urine dhe feçeje. Iu fut pastrimit, ndërkohë i shoqi e shante nëpër dhëmbë pas çdo luge, që e kishte harruar tërë ditën e ditës. Antonina nuk i tregoi për të birin për të mos e dëshpëruar edhe më shumë atë krijesë të mjerë, që shtynte ditët sa në krevat, sa në karrige. 
Kur mbaroi, Antonina e ngriti sërish, ia hoqi pelenën e fëlliqur, e afroi te oturaku dhe e la të zbrazej mirë. Pastaj e lau dhe e shtriu në krevat. Fiku dritën dhe u nis për nga tarraca. Ishte ora e gjumit. Për të tjerët. Për të, ish koha e saj! 
Mesnata kish mbërritur e ftohtë dhe plot ethe. Një mjegull e trashë dhe e lagësht i jepte hijeshi, duke mbuluar përkohësisht shëmtinë e asaj lagjeje të humbur të qytetit të madh. Antonina nxori një cigare, por nuk e ndezi. U ul në karrige dhe u mbështoll mirë me pallton ngjyrë rozë, të vetmen që kishte. Këmbët i shtriu mbi stolin e vogël prej druri, që e mbante aty pikërisht për atë gjë. Mendoi për të birin, për moshën e tij të njomë, që rrudhej e mpakej nga droga. Ajo e kishte kuptuar me kohë, po pse nuk kish reaguar? Fajësoi veten, por aty për aty gjeti plot arsye pse nuk qe fajtore. Ishte kthyer në një kalorëse e vetvetes. Ajo ishte edhe kalorësja, edhe kafsha. Edhe thundra, edhe shala. Nuk ishte më njeri, por një mekanizëm i gjallë prej mishi e kockash, që lëvizte në përpikëri. Ditët dhe netët e saj nuk ishin të sajat dhe asgjë tjetër që kishte sapak lidhje me botën që gjallonte atje jashtë. 
E lodhur u zhyt në ëndërrime të paqta. Iu bë sikur një avull i zbehtë në ngjyrë vjollcë u përvodh nga fundi i tarracës, diku nën hekurat e dalë të kolonave dhe u zvarrit deri te këmbët e saj. Pastaj avulli nisi të trashej dhe të ngrihej lart vertikalisht derisa mbuloi tërë konturet e hapësirës. Mbi kokën e saj, në një drejtim dhe të baraslarguar nga njëri-tjetri, mbinë disa shandanë të mëdhenj, plot gur smeraldi që vezullonin. Paretet anësore të asaj hapësire u veshën me ngjyrën e paqtë dhe gjithçka u shndërrua sa hap e mbyll sytë në një sallë të madhe mondane kërcimi. Nga një deriçkë e vogël doli një burrë i gjatë me shpatulla të gjera. Flokët e ngjeshura pas kokës dhe nofullat e mëdha ia shtonin hijeshinë atij madhoshi të veshur me frak. Iu duk sikur ai u nis drejt saj duke i buzëqeshur dhe kur iu afrua në largësinë sa një shtat njeriu, i zgjati duart të veshura me dorëza të bardha dhe e ftoi në vallëzim. Antonina, ende nën befasi, u step. E la mbi karrige cigaren e pandezur dhe u ngrit. Mendoi për bashkëshortin e sëmurë një kat më poshtë, të birin e shtruar në spital… por ndjeu që pezmi po i venitej dalëngadalë. Madje dhe fakti që ajo ishte e ëma apo bashkëshortja e dikujt po venitej. U kthye në njeri pa kujtesë. Sikur gjithçka të ishte fragment i një ëndrre të keqe, nga e cila sa ishte zgjuar. Atëherë, ajo hodhi pallton në dysheme dhe u lëshua mbi krahët e burrit. Ai e mbështolli me shpatullat e mëdha dhe nisi të hidhte hapa valsi. Në ajër u përhapën tingujt e një valsi të shurdhët, që i ngjante një muzike kortezhi. Njehsuan hapat. Në fillim, Antonina u përskuq nga turpi dhe uli vështrimin; te vetja dhe rrobat e saj të vjetra, që nuk i përshtateshin partnerit në krah. Gjithsesi, pamja e saj nuk i ngjalli krupë. Përkundrazi, afërsia e burrit e bëri të ndjehej e dëshiruar dhe e zhveshur nga komplekset e saj të përditshme. Vërtet i qe fshirë gjithçka nga mendja, kish harruar kush ishte, por rrobat dhe flokët e shpupurisur tregonin diçka. Antonina u ndje mirë dhe për herë të parë në jetë vendosi të mos kishte më turp për veten. Shikonin sho-shoqin në sy dhe hidheshin së bashku nga një qosh në tjetrin. “O Zot”, mendoi ajo, “A thua të jetë kjo parajsa?”. Dhe nuk deshi të pyeste më, as të ëndërronte, por ndjeu tundimin e madh t’i ngjishej sa më fort atij trupi të madh, atij burri me aromë menteje. E puthi me epsh. Ai i ngjeshi buzët edhe më fort në të sajat. Hapi sytë dhe vështroi shandanët e mëdhenj. Ndjeu krahët e tij të fortë t’ia mbështillnin mesin. Po fluturonte. Dhe s’kish si të ndodhte ndryshe. Të pandarë e duke vallëzuar në çdo cep të sallës ngjyrë vjollcë, koha rrodhi si nëpër filma historikë, ku gjithçka ndahet me shekuj, në pamundësi për ta përmbledhur tërë historinë e njerëzimit në aq pak orë. Dhe ky përjetim tejkalonte gjithçka të bukur që ajo kish mundur të ëndërronte. Edhe lumenjtë e Gjermanisë, edhe godinat e përkryera të Parisit, mbushur cit me njerëz të qytetëruar, edhe pallatin mbretëror të Holandës me këmbët në lumë, edhe kupolat e kishës së Torinos, brenda së cilës dergjej ende një pjesë e Krishtit mbi mantel, aty ku njerëzia ruante me fanatizëm gjurmët biologjike dymijëvjeçare, edhe mbrëmjet e qeta plot melodi buzuku të Athinës antike, edhe netët e ftohta akull të Stokholmit plot drita e hijeshi, apo pamjeve mahnitëse të një bote me zhvillim të hatashëm mbi gradaçelat e Nju Jorkut. Gjithçka që ajo kishte ëndërruar netëve të vona mbi tarracë, në përpjekje për të zhbërë sapak jetën e saj të mbushur me mizerje, ishte tejkaluar duke ia lënë vendin atij përjetimi hyjnor në krahët e burrit me të cilin po vallëzonte. 
Një çast, burri i hijshëm e ndaloi vallëzimin dhe me një gjest të zgjatur të krahut e ktheu Antoninën me shpinë nga vetja, i lidhi sytë, e rrotulloi si në lojërat e fëmijëve dhe u zhduk. Përreth ra heshtja. Valsi pushoi dhe i ftohti i thatë iu ngjesh në lëkurë sërish. Atëherë, Antonina hoqi shallin nga sytë, u kthye andej nga kishte ardhur burri dhe pa se gjithçka ishte zhdukur. Në vend të shandanëve ishte qielli i errët, në vend të mureve ngjyrë vjollcë ishin çatitë me tjegulla të vjetra të shtëpive përreth dhe në fundin e tarracës së saj, aty ku pak më parë ishte shfaqur ajo mjegull hilacake ngjyrë vjollcë, qëndronin të shtrembër dhe pa asnjë perspektivë për zgjatim, hekurat e ndryshkur të kolonave. U përmend dhe vetëm atëherë dëgjoi gërhimat e të shoqit atje poshtë. Mendoi edhe për të birin në spital. Ndjeu neveri për zhgjëndrrën e saj dhe turp. Dy ndjesi thuajse të pandashme nga njëra-tjetra. E dërrmuar, u ul sërish në karrige. Mori cigaren dhe shtiu dorën në xhepin e palltos për shkrepësen. Gishtat i prekën një copë letër. Iu kujtua pusulla e vockël që shoqëronte filxhanin e kafesë së mëngjesit: “Nëse dikujt i mungon buzëqeshja, jepi tënden”. E lexoi disa herë dhe po aq herë iu ravijëzua një buzëqeshje krejt naive dhe e paqartë. Pa përreth dhe kuptoi se kishte kaluar kohë nga mesnata. Në kraharor iu krijua një lëmsh, që iu ngjit në ezofag dhe pastaj shfryu si furi mbi buzë, të cilat iu çelën me forcë dhe aty i shpërtheu një e qeshur marroke, e pakontrollueshme. Qeshi aq shumë, sa u përkul mbi karrige dhe u rrëzua mbi stol. Ajo e qeshur kumbuese u shpërnda mbi të gjithë hapësirën përreth dhe ashtu, e shtrirë në shpinë, pa se dritat dhe dritaret e shtëpive të fqinjëve po hapeshin një e nga një, dhe në secilën prej tyre mbinë koka njerëzish. Por e qeshura e Antoninës ndaloi vetëm atëherë kur fqinjët nisën ta shanin me zë të lartë. Atëherë, në sytë e saj të vegjël, me qepalla të rënduara, që shihnin nga qielli i errët, u shfaqen dy bulëza të vogla. E dinte që bulëzat thuajse gjithmonë ishin paralajmërim i një rrebeshi. 

(Shkëputur nga Revista Letrare – Dimër 2024. E gjeni në Amazon, “Art’s Librari” në Tiranë etj) 

Autori
Liridon Mulaj