Press "Enter" to skip to content

Të mësohesh me errësirën

Në fund të ditës, dielli mbështillet me një pallto të mëndafshtë,
dhe fillon stina e errësirës. Njerëzit e hutuar shpejt përshtaten me natën,
dhe në heshtje fillojnë të mësojnë alfabetin e saj.

Si fëmijë kam mësuar se drita shkëlqen në errësirë,
dhe errësira nuk mund ta pushtojë atë.
Por me kohë gjërat ndryshuan.

Albert Kamy i mërzitur shkruante:
“Njeriu më në fund mësohet me çdo gjë.”.
Por shumë para se ta lexoja këtë
isha mësuar me gjëra të pazakonta dhe lirinë e trazuar,
me orë të gjata policore dhe lajme të këqija.

Si fëmijë i llastuar, para një mësueseje plot dantella,
mësoja për fenomene fizike, por gjithmonë më kanë joshë ato të shpirtit.
Për shembull, një ditë – sa një jetë, kur një njeri mbyllet në dhomën plot vetmi,
dhe i ndrynë kujtime në arkën e tij plot sekrete.

Shpesh jam bërë arkeolog shpirti dhe kam gjurmuar stinët e lumturisë
dhe në universin e pyetjeve dhe pikëpyetjeve pafund,
kam lexuar librin tim, atë biblën e jetës që e shkruaja përditë.

Rrëfimet për kohët e djeshme, të largëta dhe të mjegullta si mistere universi.

Edhe tani mes rreshtave kujtoj gjërat e bukura dhe nuk joshem nga errësira,
por e shoh se ajo peshon si gur i zi në qepallat e syve të tokës,
aty ku kryqëzohen përmasat e dhimbjes,
si ditën kur terri i trishtimit hyn papritur në sytë e tu,
siç hyn i paftuari me maskë në dhomën e vetmisë.
Kur ka terr dhe vetmi, yjet janë larg në qiellin e pafundësive,
aq larg sa këmbët e molepsura nuk arrijnë të shkojnë.

Si fëmijë, shpjegimet për tokën dhe për njeriun,
i kuptoja sipas kronologjisë së lumturisë dhe diagramin e mbaja lart:
Sot është mirë dhe nesër do të jetë edhe më mirë.

Por me kohë e kuptova se dielli bën rrugën e tij qarkore
dhe kthehet rishtas në mëngjes, i pispillosur, i krehur dhe plot energji,
por nuk ngroh njësoj për të mirët dhe të këqijtë, siç mësojnë shkrimet biblike.
Ai i ngroh më mirë ata që e mësojnë alfabetin e natës.
Ah, ç’më bëre, zotëri Kamy: “Njeriu më në fund mësohet me çdo gjë!”

Po si të mësohem unë me errësirën?

(Poezia u shkëput nga libri i ri me poezi, që do të botohet së shpejti.) 

Autori
Ndue Ukaj

Ndue (Tomë) Ukaj lindi në vitin 1977 në Stubëll të Epërme të komunës së Vitisë. Është poet, shkrimtar, kritik dhe publicist.

Botime
Diskursi biblik në letërsinë shqipe"- studim, AIKD, 2004, Prishtinë.
"Ujëvarat e metaforave", poezi, Botimet M&B, 2008 Tiranë.
"Ithaca of the word ", poezi, përkthyer nga Peter Tase dhe botuar në SHBA, Lulu Enterprises.
"Godo nuk vjen", poezi në shqip, anglisht dhe spanjisht, me përkthim të Peter Tasesm Lulu Enterprises.
"Arka e shpëtimit", poezi, "Drita", 2012, Prishtinë.
"Gjithmonë diçka mungon", poezi, OM, 2017, Prishtinë.
"Krijimi i dashurisë", përzgjedhje poetike, botuar nga Festivali Ndërkombëtar 'Ditët e Naimit, 2017, Tetovë,
"Ismail Kadare: Kryqëzime letrare dhe kulturore", Onufri, ese, 2019
"Mbretëria e ëndrrave", tregime, Onufri, 2021.
"Retë prej drite", poezi, Onufri, 2022.
"Dritarja e Marin Shkrelit",roman, Onufri, 3023.

Çmime letrare apo nderime të tjera
2011, Çmimin Kombëtar “Azem Shkreli” për librin më të mirë në poezi, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Kosovës.
Festivali Ndërkombëtar i Poezisë, "Ditët e Naimit", 2011, Çmimi për poezinë më të mirë.
"Creativity prize", 2016, Naji Naaman’s Literary Prizes 2016.

 

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *